Prej këndvështrimit të kryeministrit Albin Kurti, 2022-a është një vit suksesesh edhe në kulturë e trashëgimi kulturore. Ka suksese në rritje buxhetesh e nisma projektesh, por për akterët e kësaj fushe jo aq sa i rendit kryeministri. Trashëgimia kulturore vazhdon të mbetet në emergjencë, e në kulturë sukseset janë individuale dhe jo falë strategjive të Qeverisë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka renditur disa punë të Qeverisë në kulturë e trashëgimi kulturore duke e cilësuar 2022-n si vit të mbrojtës së trashëgimisë kulturore e të promovimit të artit. Ka përmendur nisma të Qeverisë që udhëheq e midis tyre edhe rezultate të organizimeve që kanë nisur shumë kohë përpara se kabineti i tij qeveritar të merrte timonin e ekzekutivit.
Por kryeministri Albin Kurti nuk ka përmendur dështimet kapitale të Qeverisë në raport me kulturën e trashëgiminë kulturore.
Në atë që e ka quajtur “2022: Qeveria për trashëgimi kulturore, kulturë dhe sport”, kryeministri Kurti ka thënë se kanë dyfishuar mbështetjen për skemën e granteve për komunitetin e artit dhe trashëgimisë kulturore.
“Ngritëm në 65 numrin e monumenteve të shpëtuara falë ndërhyrjeve emergjente dhe restaurimeve; Përmes akteve nënligjore të trashëgimisë kulturore vendosëm standarde të licencimit të operatorëve, përcaktimit të perimetrit të aseteve, gërmimeve arkeologjike, projekteve të konservimit”, ka shkruar ai në Facebook. Në këtë rast ka përmendur edhe bursat e studimit për profile deficitare në art, sport dhe trashëgimi kulturore.
Por dështimet kapitale të Ministrisë së Kulturës e të Qeverisë në raport me lokalitetet arkeologjike ku u investuan miliona euro nuk kanë vend në bilancet e kryeministrit.
Janë bërë më shumë se tre muaj prej kur parku arkeologjik “Ulpiana” nuk mirëmbahet. Nuk ka madje as rojë gjatë ditës e as gjatë natës. Arsyeja: mosvazhdimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta për 6 të angazhuarit si staf në “Ulpianë”. Në këtë aset të trashëgimisë kulturore u investuan mbi një milion euro. I njëjti rrëfim është edhe për Kalanë e Prizrenit, ku janë investuar mbi një milion euro të buxhetit të Kosovës dhe nga donacionet ndërkombëtare, përfshirë 700 mijë dollarë të Fondit të Ambasadorit, ndarë nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kalaja bashkë me Muzeun brenda saj janë të mbyllur, pos në rastet kur paralajmërohen vizita nga delegacionet. Rojtarët e Muzeut Kombëtar të Kosovës – ku ruhen artefaktet më të rëndësishme të vendit – janë duke dalë në punë vullnetarisht për të ruajtur institucionin dhe me shpresë që do t’u vazhdohen kontratat. Ashtu bën edhe stafi i muzeut “Shtëpia e Pavarësisë dr. Ibrahim Rugova”. Pa paga për më shumë se dy muaj janë edhe stafi i rezidencës së presidentit Ibrahim Rugova në “Velani” e rojtarët e lokalitetit arkeologjik në Dresnik të Klinës.
E krejt sektori i arkeologjisë ka mbetur në “vdekje klinike” prej vitit 2019. Por edhe sa u përket ndërhyrjeve emergjente, Qeveria, sipas atyre që merren me trashëgiminë kulturore në baza ditore, nuk ka qasje strategjike.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin kosovar për trashëgimi kulturore pa kufij, “CHwB Kosova”, ka thënë se është e vërtetë që shteti e ka rritur numrin e monumenteve ku ndërhyhet për t’i shpëtuar ato.
“Është një çështje që duhet tejkaluar. Nuk mundet që 23 vjet pas luftës të jemi në gjendje emergjente. Duhet të kemi gjendje stabiliteti”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, qëllimi duhet të jetë kthimi i trashëgimisë kulturore te publiku në një mënyrë apo tjetër, qoftë për shfrytëzim kulturor apo për çfarëdo aktiviteti tjetër.
“Duhet kaluar gjendja emergjente. Intervenimet duhet të kenë qëllim strategjik. E strategjia është t’i kthehen publikut. Ai investim është shumë më i qëndrueshëm. Në momentin që ti investon në shpëtim e nuk shkohet më tej, pas një periudhe ajo dëmtohet si në shumë raste dhe do të kërkohet prapë intervenim emergjent”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, duhet pasur vizion për investime e pastaj të investohet.
“Duhet të kalojmë në një tjetër fazë. Kriter për intervenim në një monument duhet të jetë te roli që do të marrë ai monument pas ndërhyrjeve. Kemi shembuj të mirë si ‘Lumbardhi’ e kinemaja ‘Jusuf Gërvalla’. Praktika e mirë tregon që shteti nuk ka kapacitet t’i menaxhojë vetë, duhet të krijojë partneritet me partnerë që janë aktivë”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, shteti do të duhej që gradualisht bashkë me shoqërinë civile të bashkëpunojnë e të krijojë vizion.
Kryeministri Albin Kurt e ka vazhduar listimin e arritjeve duke thënë se kanë bashkorganizuar me sukses bienalen nomade “Manifesta 14” dhe gjatë 100 ditëve të saj u regjistruan 800 mijë vizita në 25 lokacione ku u ekspozuan vepra artistike të 103 artistëve nga 30 shtete.
“Themeluam institucionin e Operës së Kosovës, duke përmbushur një premtim programor dhe një kërkesë shumëvjeçare të komunitetit artistik; Opera e Kosovës vuri në skenë ‘La Traviata’ të Verdit, shfaqja më e madhe operistike e luajtur ndonjëherë në Kosovë”, ka shkruar ai. Ka vazhduar duke thënë se u pasurua koleksioni shtetëror i artit duke blerë mbi 100 vepra të artit nga artistët vendorë. Realisht janë blerë 87 vepra të artit.
Kryeministri ka përmendur miratimin në Qeveri të projektligjeve për kinematografinë e të drejtat e autorit, po ashtu edhe koncept-dokumentin për kulturën.
“Dyfishuam buxhetin e Qendrës Kinematografike të Kosovës për vitin 2022; Nënshkruam marrëveshje të bashkëpunimit bilateral me Shqipërinë, Francën, Izraelin, Hungarinë, Turqinë, Bavarinë (Gjermani); Fuqizuam bashkëpunimin kulturor me Shqipërinë me fokus në produksione të përbashkëta artistike dhe projekte të trashëgimisë kulturore”, ka shkruar kryeministri Kurti. Ka thënë se janë ndarë afro 15 milionë euro përmes skemave të mbështetjes direkte në kulturë, rini dhe sport për 1492 përfitues. Ka përmendur se Teatri Kombëtar i Kosovës është anëtarësuar në Rrjetin Evropian të Teatrove. “Përfunduam 8 ndërtesa të infrastrukturës për sport, kulturë dhe rini, ndërkaq 17 të tjera janë në ndërtim e sipër”, ka shkruar ai.
Në fakt, TKK-ja në majin e vjetëm është rikthyer në Konventën Evropiane të Teatrit, pas mungesës prej gati tetë vjetësh. Qe pranuar më 2013, por vetëm një vit pas, në fund të 2014-s, u tërhoq dhe nuk e pagoi anëtarësimin.
Kryeministri nuk e ka përmendur fare se Koncept-dokumenti për kulturë që është miratuar në Qeveri parasheh decentralizim në menaxhimin e institucioneve qendrore të kulturës. Kurse e njëjta Qeveri nuk i është përmbajtur Koncep-dokumentit duke mos ndarë buxhet për punësimin e zyrtarëve financiarë nëpërmjet të cilëve do të pavarësoheshin institucionet dhe do të zgjidhej telashi më i madh administrativ.
Dramaturgu Jeton Neziraj, i cili udhëheq qendrën “Multimedia”, ka thënë se përmbledhja e të arriturave kulturore të vitit 2022 nga kryeministri Kurti jep një pasqyrë goxha entuziaste. Sipas tij, megjithëse ka pasur zhvillime pozitive, pak modesti nuk i bën keq kryeministrit për hir të plot dështimeve të tjera, të cilat, “po u vunë në peshojë, rëndojnë po aq sa edhe sukseset, në mos më shumë”.
“Të kuptohemi: nuk do të kisha dashur ta prishi festën dhe këtë entuziazëm, megjithatë, s’kam se si të mos i kujtoj ato 5 milionë eurot që Qeveria ia ka dhënë ‘Manifestas’, s’kam si të mos i kujtoj institucionet e kulturës me probleme kronike - shumica akoma të pazgjidhura”, ka thënë ai.
Ka shtuar se nuk ka se si të mos e kujtojë faktin që Teatri Kombëtar i Kosovës po e vazhdon punën në një birucë jo fort të dinjitetshme për punë.
“E natyrisht, kryeministri e entuziastët e tjerë le të vazhdojnë ta dëgjojnë vetëm jehonën e ‘La Traviatas’ dhe ehot e sukseseve...”, ka thënë Neziraj.