Gjendja e kritikës dhe studimeve letrare shqipe në shekullin XXI, duke vënë në pah sfidat, zhvillimet nëpër periudha kohore, kontributin e autorëve specifikë e ndikimin rajonal në të krijuar, kanë qenë temat që janë trajtuar në konferencën shkencore ndërkombëtare “Kritika dhe studimet letrare shqipe në shekullin XXI”, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Rreth 20 kumtesa të profesorëve universitarë, kritikëve letrarë e akademikëve janë shpalosur të premten në këtë konferencë njëditore
Kritika letrare shqipe, e cila funksionon në baza interpretative, edukative e estetike, është cilësuar se ka kaluar nëpër shkallë zhvillimi dhe ka qenë e ndikuar nga ngjarjet historike. Ndikues kryesorë janë parë zhvillimi i letërsisë shqipe, i cili ka dërguar tek interpretimi i teksteve letrare si shfaqje e strukturave e përmbajtjeve të reja, si dhe thellimi i mendimit kritik në rrethana të reja teorike.
Sabri Hamiti, Mitrush Kuteli, Ismail Kadare, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Fan Noli, Lasgush Poradeci kanë qenë veç disa nga autorët, veprat e të cilëve kanë qenë objekte të analizës nga aspekti i kritikës letrare që u është bërë ndër vite, në konferencën shkencore ndërkombëtare, “Kritika dhe studimet letrare shqipe në shekullin XXI” të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Me 20 kumtesa të profesorëve universitarë, kritikëve letrarë e akademikëve është trajtuar gjendja e kritikës letrare shqiptare, duke vënë në pah sfidat, zhvillimet nëpër periudha kohore, kontributin e autorëve specifikë e ndikimin rajonal në të krijuar.
Sipas Muhamet Hamitit, kritika letrare shqipe kohësisht kap pak më shumë se një shekull. “Vetëdija dhe praktika kritike për letërsinë si e tillë ka nisur me Faik Konicën kah fundi i shekullit XXI”, ka thënë Hamiti. “Konsolidimi i sistemit letrar shqiptar: kritika letrare e shekullit XXI”, ka qenë tema e kumtesës së tij.
Ndërkaq në Kosovë tri dekadat e fundit të shekullit XX kanë qenë rinjohje e traditës së shpërnjohur për arsye politike e ideologjike dhe lidhje me studimet bashkëkohore perëndimore.
Është vlerësuar edhe roli i vendeve prej nga burojnë veprat jo veç si përkatësi regjionale, por si ndikues të drejtpërdrejtë rrethanor në aspektin përmbajtjesor.
tekst është gjithmonë i formësuar nga hapësira në mënyra të shumëfishta dhe gjithmonë merr pozicion të nënkuptuar në lidhje me topografitë kulturore. Lokacionet konceptohen si produkte të imagjinatës, përveç si të krijuara prej nevojave materiale dhe njëherazi si prodhuese të realitetit, referenca thelbësore për proceset volitive dhe të kujtesës, për evokimin e kujtesave private dhe kolektive, për artikulimin e historisë në vetvete dhe të ngjarjeve”, ka thënë Kastriot Gjika, nga Universiteti i Tiranës që është prezantuar me kumtesën, “Gjeokritika – një perspektivë ndërdisiplinore e studimit të letërsisë”.
Akademik Sabri Hamiti ka vlerësuar se shkrimtarët, lexuesit e kritikët janë në një kërkim të përhershëm për gjetje të dramës në një proces dialogjik.
“Sprovat e kritikës marrin domethënie letrare, duke e bërë bashkëkohës autorin e kohës tjetër ashtu dhe duke lakuar autorin bashkëkohës, në kohë të shkuara si në kohë të pritshme, qoftë e veshur me pamje proteike, vetëm për ta zbuluar apo zgjidhur enigmën, qoftë me aureolën e vetëdijes për të arritur sistemin, kritika në fund thur ëndrrën e kreativitetit”, ka thënë akademik Hamiti që ka prezantuar kumtesën “Sprovë e kritikës”.
Studiuesi Nysret Krasniqi ka ngritur çështjen e kritikës letrare gjenuine, të cilën e ka cilësuar se lind nga leximi personal për të vazhduar drejt referencës së standardizuar në sistematikën e njohjes letrare shqipe.
“Kritika letrare gjenuine bëhet dëshmi e fortë e aftësisë së kritikut letrar, që nëpërmjet dialogimit me veprën letrare, të hetojë, të vlerësojë dhe të bindë lexuesin për vlerën specifike të veprës letrare”, ka thënë Krasniqi.
Studiuesi nga Shkupi Afrim Rexhepi ka përmendur teorinë e rrjetëzimit aktorial, si një sistem që lidh mes vete veprat letrare duke përjashtuar kontekstin kohor, por si ndërlidhje e njëpasnjëshme.
“Ajo që vlerësohet në veprat e artit është vetëm fuqia e tyre për të tjetërsuar dhe çorientuar, por edhe aftësia e tyre për të rikontekstualizuar atë që dimë dhe për të riorientuar dhe rifreskuar perceptimin e lexuesit, si dhe ngritjen e tyre shpirtërore dhe morale”, ka thënë ai, duke shtuar se “nuk është aq e rëndësishme çështja e tekstit apo e lexuesit, sa pyetja, si dhe në ç’mënyrë ata lidhen”.
Për Floresha Dadon nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë funksioni i kritikës ka ndryshuar nga zhvillimi i letërsisë shqiptare në tri dekadat e fundit, që ka imponuar interpretime të reja të tekstit letrar, e që janë shfaqur me struktura të reja përmbajtjesore e të formësimit.
Se kritika letrare ka nevojë për literaturë dhe qasje të re, e ka konfirmuar profesoresha universitare në Tiranë, Edlira Macaj.
“Pas shqyrtimeve përkatëse përfundimet duket se pasqyrojnë modele ‘pa model’ shkrimesh dhe artikulimesh verbale, prirjen për të pretenduar kritikë ‘pa kritikë’ dhe bindjen se kritika është vetëm gjykim, i lënë shteg diskursit interdisiplinar në të, që në vetvete kërkon një ‘new literacy’ e parë si kompetencë e shtuar kulturologjike”, ka thënë Macaj, e cila ke referuar në temën “Kritik(u) letrare në media”.
Ndikimi historik i periudhave dhe krijuesve të caktuar në zhvillimin e kritikës letrare është vënë në këtë konferencë.
Blerina Suta nga Universiteti i Napolit në Itali ka theksuar se letërsia shqipe ka marrë “forcë rinovuese” nga poezitë të cilat janë shkruar në dy gjuhë, duke u stacionuar te Bogdani dhe letërsia arbëreshe.
“Hapësirat ndërdisiplinore që hapen, prerja plurivoke që lejon leximin e historisë dhe bashkëkohësisë në perspektivë të identitetit universal dhe utopisë humaniste, janë një funksion i rëndësishëm i letërsisë që lind nga raporti me ‘tjetrin’ si në rrafsh të shprehjes, ashtu edhe të lëndës që sendërton artin”, ka thënë ajo.
Është çmuar edhe kritika letrare në revistat kulturore të Shqipërisë në periudhën e rënies së realizmit socialist, duke u përqendruar te “Mehr Licht”, “Nëntori”, “Bota letrare”, “Hylli i dritës”, “Fjala”.
“Kontributi i këtyre revistave është mjaft i rëndësishëm, si për përcjelljen e veprave dhe procesit letrar ashtu edhe për pasurimin e kritikës letrare me metodologji të reja kritiko – letrare dhe studimore. Përmes tyre mund të studiohen disa tipare dhe veçori të kritikës letrare pas rënies së realizmit socialist”, ka thënë Arben Prendi nga universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Ndërkaq po për këtë periudhë u trajtua edhe zhdukja e termit “realizëm socialist” nga tekstet akademike e shkollore për më shumë se një dekadë.
“Termi bashkë me konceptin do të shfaqet sidomos në dekadën e fundit në studime që priren drejt restaurimit të letërsisë që ky term përfshin, qoftë duke e shpallur disidente një pjesë të letërsisë së realizmit socialist, qoftë duke e interpretuar importimin e saj në Shqipëri si zhvillim të natyrshëm të letërsisë shqipe”, ka thënë Dhurata Shehri nga Universiteti i Tiranës në kumtesën “Kritika për realizmin socialist pas rënies së realizmit socialist”.
Kritika si këndvështrim objektiv i studiuesit për një vepër të një autori është një lloj garancie e atij krijimi letrar. Mirëpo e njëjta nuk besohet edhe për autorecensionin.
Akademik Shaban Sinani nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka sjellë këtë fenomen duke marrë shembull romanet e Ismail Kadaresë e duke iu referuar si “Autorecensioni si kujtesë për veprën e keqkuptuar”. Sipas tij, kjo ndodhi për shkak të kalimit nga leximi ideologjik te leximi kritik e i pavarur.
“Një arsye e dytë ishte publikimi i burimeve të panjohura për gjykimin e veprës së tij gjatë periudhës ideokratike, që provuan një mospajtim të thellë midis vlerësimit zyrtar shpesh të shprehur edhe me çmime të shkallës më të lartë nga njëra anë dhe mbulimit me vëmendje vigjilente të çdo vepre të re të tij në procesin e parabotimit dhe të pritjes së parë nga një rrjet institucionesh që e kishin për funksion dhe e kundërta”, ka thënë ai.
Kanë qenë edhe veprat kritike të Sabri Hamitit, të cilat janë bërë subjekt studimi. Persida Asllani nga Universiteti i Tiranës ka thënë se Hamiti nëpërmjet veprave të tij është shkollë e mirëfilltë e shkrimit kritik shqip, duke bërë bashkë zbulimin e tekstit, rikrijimin, leximin, sprovën kritike e sistematike dhe shumë elemente të tjera. Pak a shumë të njëjtën e ka pohuar edhe Eljon Doçe, duke thënë se ai ka krijuar identitet në këtë fushë.
“Kritika e Hamitit nuk synon të jetë ‘kritikë për hir të kritikës’ dhe as një bashkim i rastësishëm shkrimesh, por secila prej veprave studimore të tij projektohet dhe propozohet si një syth apo nyje e veçantë e një historie të letërsisë shqipe, ku kjo histori përshkohet nga aspekti kronologjik e deskriptiv, por që shënjohet fort nga analiza strukturore dhe që ndërtohet si histori paradigmash letrare”, ka thënë ai.
“Shënjohet dialogu me veprën e Hamitit, në nyjën të cilën ai e thotë ‘jam unë’. Që dialogu të jetë i vërtetë edhe dialoguesi duhet të thotë ‘jam unë’. Pra këtu nuk kemi të bëjmë me identifikim, por me hapje e shpalosje të të dy subjekteve e subjektiviteteve, të kritikut e lexuesit të tij”, ka thënë Kujtim Shala për veprën “Faik Konica: jam unë” të Hamitit.
Nga figurat e tjera të cilat u përmendën për nga rrafshi i kritikës letrare për veprat e tij ishte edhe Mitrush Kuteli, për të cilin Zeqirja Neziri theksoi se “me studimet mbi poezinë e Lasgush Poradecit dhe mbi poezinë e Fan Nolit mori epitetin e themeluesit të studimeve kritike stilistike gjuhësore të veprës letrare”.
Profesoresha Lindita Tahiri ka theksuar se studimet letrare brenda botës akademike kanë mbështetje në metodologji shkencore dhe profesionalizëm, teksa kritika letrare publike synon autoritetin e formulimit të shijes dhe popullarizimit të letërsisë.
Studimet e monografitë e letërsisë moderne në Shqipëri, Laura Smaqi i ka cilësuar të lidhura me një periudhë të gjatë mundi të diskutimeve e debateve nga vitet ‘90 e tutje. Vjollca Osja dhe Gazmend Krasniqi kanë konkluduar se pikërisht kjo kritikë ka nevojë që ta përcaktojë raportin e saj me traditën, leximin e burimin e saj. Përvojën e tij me Malin e Zi e ka sjellë Anton Gojçaj, i cili ka thënë se nuk ka kritikë të mirëfilltë në gjuhën shqipe atje.
“Mungesa e saj kompensohet me parathënie ose pasthënie në vepra të veçanta, të porositura nga botuesit, si dhe me interpretime recensione, prezantime që lexohen gjatë promovimeve, të cilat publikohen në media”, ka thënë ai.