Kulturë

Kritika italiane: Marigona Qerkezi, mjeshtërore në rolin e Leonorës

Që kur debutoi me rolin e saj si Leonora, sopranoja Marigona Qerkezi është rikthyer në qendër të vëmendjes. Nuk kanë të ndalur kritikat pozitive që e lartësojnë punën që ajo ka bërë për operën “Il Trovatore” të kompozitorit italian Giuseppe Verdi.

“Si Leonora, Marigona Qerkezi u prezantua shumë bindëse. Zëri i saj si soprano është fleksibil e preciz. Koloraturat dhe notat e larta në ‘Di tale amor che dirsi’, si dhe momente të ngjashme arritën në sallë si fishekzjarrë, ndërsa në arie zëri i saj u mishërua me një ekuilibër perfekt”, ka shkruar kritiku Bernardo Gaitan për “Opera World Spain”. Të ngjashme janë edhe komentet e tjera për produksionin që pati premierën me datën 18 nëntor dhe do të zgjasë deri në fund të muajit shkurt të 2022-s. Shfaqja u dha në “Teatro Sociale” në qytetin italian Como të themeluar në vitin 1764.

Stefano Balbiani për “Connessi all’Opera” do të shkruante se zëri i Qerkezit me timbër bindës, i ngjyrosur me ndjeshmëri dhe joshje, është i vendosur me butësi.

“Një zë i harmonizuar që depërton në sallën teatrale me shumë lehtësi. Janë për t’u admiruar akutet brilante e të vrullshme, mesi i perfeksionuar dhe baza e poshtme vokale”, ka shkruar ai. Edhe në këtë kritikë është veçuar “Di tale amor che dirsi”, ku sipas Balbianit, Qerkezi eksponon me fluiditet kadencat virtuoze të kristalta plot bindje, ndërsa skenën e madhe të aktit të katërt e gdhend me madhështi e plot intensitet, duke dhuruar një interpretim të aries “D’amor sull’ali rosee” të mbushur me emocione të fuqishme.

E për Roberta Pedrottin, nga “L’Ape Musicale”, me këtë rol Qerkezi dëshmon kualitetin e saj.

“Ngjyrën e ndritshme të një vajze të dashuruar, dominimin e frymës e artikulimin e çdo fjale në frazat më delikate, dinamikat, koloraturat ekspresive, nuk e ka fare problem t’i depërtojë në sallë e t’i jep projeksion të duhur zërit edhe në momentet më dramatike, me aksentë të vulosur e një dominim të diapazonit pa asnjë sforcim”, vazhdon tutje shkrimi për shfaqjen që të parën premierë e pati më 19 janar në vitin 1853, në teatrin “Apollo” në Romë.

Për Qerkezin, debutimi me Leonorën në këtë moment të zhvillimit të saj vokal ishte një ëndërr që u realizua në mënyrën më të bukur të mundshme, në vatrën e operës italiane.

“Për mua është ndjenjë e jashtëzakonshme të interpretoj në të njëjtën vepër operistike të cilën e kam ndjekur qysh si fëmijë i vogël kur e shikoja me admirim nënën e tanimë profesoreshën time të këndimit Merita Juniku, në rolin e mexosopranos”, ka thënë ajo. Për Leonorën ka shtuar se është një rol kulminant, shumë i vështirë, por edhe jashtëzakonisht i bukur.

“Ndihem shumë e plotësuar dhe e motivuar për shfaqjet që me presin tutje”, ka thënë ajo.

E Simone Manfredini për këtë rol ka shkruar për “OperaClick”, se Qerkezi shkëlqen dhe ka një dramaticitet interpretues, si dhe merr vëmendje me kapacitetin vokal dhe frazimin që bën. E Loris Braga nga “CremonaSera” ka shkruar se Marigona Qerkezi ilustron një Leonorë mjeshtërore, konsistente dhe iu qaset me personalitet dhe me shije.

“Posedon një vokal të jashtëzakonshëm dhe ka kontroll të jashtëzakonshëm të tingullit, që e bën të meritojë duartrokitje edhe gjatë shfaqjes”, ka shkruar ai për shfaqjen për të cilën kompozitori Verdi ishte bazuar te libri “El trovador” (1836) i Antonio García Gutiérrez.

Edhe Luigi Ferronani në “Brescia Oggi” ka theksuar vokalin e Qerkezit që nga aria e parë e deri te skena e fundit.

“Interpretimi i sopranos kosovare është i mrekullueshëm. Ajo dallohet me vokalin e saj të jashtëzakonshëm, si dhe aftësinë interpretuese të këtij roli në mënyrën më mjeshtërore nga aria e parë e deri te skena e fundit”, ka shkruar ai. Zëri do t’i linte mbresa edhe Giulio Salzi që shkruan për “La Provincia di Cremona”.

“Me zërin e saj të jashtëzakonshëm dhe notat e larta kumbuese e mishëron shpirtin muzikor të kësaj opere”, është vlerësimi i tij. Kurse Roberto Cighetti nga “The BlogArtPost Italy” ka shkruar se ajo është një artiste që teatrot do të bënin mirë ta mbanin para publikut.