Kulturë

Kritika e teatri të pandashëm prej njëri-tjetrit edhe në krizë

“Kritikët: A mund ta shpëtojnë ata artin e teatrit? Dhe a mund ta shpëtojë teatri artin e kritikës?”, ka qenë tema e panelit të parë të diskutimit, të mërkurën, në ditën e dytë të “Kosovo Theatre Showcase”. Nuk ka pasur përgjigje të prerë për këtë, por një gjë ka dalë e padiskutueshme: kritika dhe teatri janë të pandashëm edhe kur përballen me krizën e cila përditë e më shumë po zbehet. Njëri prej panelistëve ka thënë se jo rrallë ajo po zëvendësohet me reklamë

Kanë qenë vetë kritikët e teatrit, të cilët janë bërë tok për t’iu përgjigjur pyetjes nëse ata mund ta shpejtojnë teatrin dhe anasjelltas. Nuk kanë dhënë përgjigje të prerë për këtë, por për një fakt janë pajtuar. Kritika e teatri janë të pandashëm prej njëri-tjetrit. Ose së paku kështu do të duhej të ishte.

“Kritikët: A mund ta shpëtojnë ata artin e teatrit? Dhe a mund ta shpëtojë teatri artin e kritikës?”, ka qenë tema e panelit të parë të diskutimit, të mërkurën, në ditën e dytë të “Kosovo Theatre Showcase”. Moderuar nga kritiku amerikan i artit, Steven Leigh, kolegët e tij Tom Mustroph nga Gjermania, Natasha Tripney nga Mbretëria e Bashkuar dhe Borisav Matiq nga Serbia, fillimisht kanë treguar rrugëtimin dhe fillesat e tyre për t’u marrë me kritikë arti. Konstatim i përgjithshëm ka qenë se kritika po zbehet përditë e më shumë.

Tom Mustroph, i cili punon në Berlin, në Palermo ka thënë se në fillimet e tij kishte pasur shumë ambicie për atë se si do të ecë rrugëtimi i tij si kritik arti.

“Kur fillova kritikat në Universitet, ambiciet e mia ishin shumë të larta dhe mendova se si tash do t’i takoja aktorët e regjisorët e të diskutoja me ta dhe t’u tregoja se ku e kanë gabim, sepse unë kisha njohuri për këtë shkencë”, ka kujtuar ai. Por posa kishte nisur punën, Mustroph kishte takuar një realitet krejt ndryshe, me ç’rast kishte nisur të reflektonte mbi punën që bënte.

“Shumë shpejt e kuptova që kështu nuk do të mund të duroja dhe ia kujtova vetes që kritika lidhet më shumë me aktorët, me elemente të tjera të teatrit, të shkruaj për publikun, të shkruaj kritikë profesionale, të kem mençuri dhe pak fuqi për t’i zbutur gjërat”, ka shpjeguar ai.

Për gjendjen e artit ka folur edhe Natasha Tripney, e cila është redaktore në “The Stage” të Londrës, bashkëthemeluese e “Exeunt”. Sipas saj, njëri ndër problemet kryesore lidhet me financat dhe faktin që disa njerëz nuk arrijnë të kenë qasje nëpër portale të ndryshme.

“Unë vij nga Britania e Madhe dhe atje artit i bëhet shumë reklamim. Në një anë kjo ndihmon shitjen e biletave, por kur jemi te leximi i tyre ato shpesh janë mjaft të kushtueshme. Njëri ndër rolet kryesore të kritikëve është që të mundësojnë që gjithsecili të ketë qasje në këto shkrime”, ka thënë ajo para të pranishmëve.

Tripney – e cila kohë pas kohe boton edhe në mediat e njohura si “The Guardian”, “Time Out”, “The Independent”, “Lonely Planet” – ka potencuar se sot duhet të bëhet edhe më shumë në ndihmë të gazetarëve të rinj të kritikës së artit.

“Ndoshta diku rreth 50 vjet më parë ka pasur një zhvillim më të madh të kritikës së artit, një mori ligjesh të pavarura, por në atë kohë u bënë debate të shumta të cilat shpesh nuk sollën asgjë më vonë. Mendoj që sot duhet të bëhet më shumë në përkrahje të gazetarëve të rinj dhe atyre të cilët mund të shihen që kanë potencial”, ka thënë ajo.

I pranishëm në panel ishte edhe kritiku i teatrit Borisav Matiq nga Serbia – i cili ka punuar edhe për “SEE Stage”, Kanalin e Dytë të Radiotelevizionit të Serbisë, “Scena” – ka thënë se për të pasur ndryshime në kritikën e artit nuk duhet nisur vetëm nga revolucionet e mëdha.

“Fillimisht kur nisa studimet kisha shumë pikëpyetje se kah po shkon arti. Në këtë kohë e kuptova që ne nuk duhet të nisim me revolucione të mëdha në teatër ose në kritikë, por mund të përfshihemi në disa ndryshime të vogla në mënyra të ndryshme. Dhe shpesh mendoj që historitë që i tregojmë për vete, ato që i tregojmë në teatër, shfaqin në të vërtetë anën e gabuar dhe mund të ndikojmë edhe në atë se si funksionon shoqëria”, u shpreh ai

Matiq, duke u nisur nga periudha e viteve ‘80 të Jugosllavisë, ka dhënë një shembull se si arti dhe kritika rreth tij në të vërtetë mund të krijojnë edhe situata të pafavorshme për shoqërinë dhe ta udhëheqin atë drejt një rruge të gabuar.

“Kur në Jugosllavi nisi kriza ekonomike, nisi edhe rënia e besimit në sistem, dhe jo vetëm në sistem. Disa çështje ata u munduat t’i ndreqin përmes ligjeve dhe rregullave, por ato nuk funksionuan. Çka ndodhi ishte që teatri dhe letërsia u futën brenda me interpretimet e tyre dhe sollën me vete diskursin e nacionalizmit. Kështu pati disa zhvillime në art të cilat e ndryshuan mënyrë se si njerëzit mendonin duke ngulitur në mendjen e tyre atë se ata nuk duhet t’i besonin askujt, përveç shtetit të tyre”, ka kujtuar ai.

Edicioni i pestë i “Kosovo Theatre Showcase” organizuar prej qendrës “Multimedia” është hapur të martën mbrëma me shfaqjen “Babai dhe babai” në Muzeun Etnologjik të Prishtinës. Pos shfaqjeve, panelet e diskutimit janë njëra prej shtyllave kryesore të kësaj ngjarjeje. “Teatri përtej oborrit të shtëpisë sonë”, është tema e diskutimit e cila do të mbahet sot (e enjte) krahas shfaqjeve dhe performancave.