Vepra e poetit, prozatorit, skenaristit e akademikut Eqrem Basha ka qenë temë diskutimi e ditës së shtatë të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Është vlerësuar se trashëgimia letrare e tij dhe e vendit po vazhdon të pasurohet me tituj dhe gjetje origjinale prej poeti, përkthyesi e kritiku. “Mjeshtër i tregimit shqip”, ka qenë një prej vlerësimeve për të. Veprimtaria e Bashës në vitet ’90 në media e shënjon edhe si personalitet të kulturës shqiptare për shkrimet për artet pamore, filmin e televizionin.
Amfiteatri i Bibliotekës Universitare është mbushur të hënën paradite në organizimin e tryezës kushtuar krijuesit Basha. Është vlerësuar se përmes tregimit ai bëhet zë përfaqësues për letërsinë shqipe, duke qenë krijues për gjysmë shekulli dhe duke zbuluar çdoherë diçka interesante.
Akademiku Rexhep Ismajli, derisa ka numëruar opusin e Bashës, ka thënë se ai deri më tash “ka sjellë pesë vëllime me tregime, 11 vëllime poetike, katër romane, shume ese, skenarë filmi e televizioni, pjesë skenike, kritika për artet pamore dhe një varg përkthimesh cilësore nga frëngjishtja, italishtja dhe nga gjuhët sllave të jugut”.
Ai ka thënë se akademik Basha fliste në vitet ‘70 për sharmin e poetizmit, duke i perceptuar lehtësisht kontradiktat. Derisa ka lexuar kumtesën e tij “Momento për mjegullën, rrëfimin dhe absurdin në letërsinë e Eqrem Bashës” ka paraqitur edhe një anë tjetër të shkrimeve të tij, derisa ka thënë se pesimizmi ishte në prapavijë dhe se fliste për realitete.
“Përmes imazhit të njeriut të shkujdesur ai jo vetëm tregonte aspektin strucian të psikologjisë sonë, piketonte pamje, jepte mendësinë e të bërit sikur ato të mos ishin, po njëherësh e objektivizonte atë gjendje të njeriut që as dëshiron të informohet për realitetin që mund të jetë kërcënues. Mjegulla ishte me shumë se figurë. Basha nuk bën tregim me tezë, nuk ta imponon zgjidhjen as zhytet kot në pyllin e pafund të konkretes. Ai është mjeshtër i tregimit të formësuar, të rrumbullakuar, të përqendruar, të pastër. Mjeshtër i tregimit shqip, ku përthyhen traditat dhe origjinaliteti i tij i spikatshëm”, ka thënë akademik Rexhep Ismajli derisa ka cituar në kumtesën e tij.
Romancieri dhe studiuesi Virion Graçi derisa ka vlerësuar veprën e akademik Bashës ka thënë se “përmes tregimit bëhet zë përfaqësues në letërsinë shqipe, autor me fizionomi të kryer, duke pasur libra gjatë gjysmë shekulli, më kryesorja, përherë shfaqet duke rinovuar mjetet shprehëse, duke zbuluar diçka të re, interesante për të treguar në planin tematik”.
Në kumtesën e tij “Proza tregimtare në rilexim: Eqrem Basha” ka vlerësuar se pjesë qendrore në krijimtarinë e Eqrem Bashës është tregimi, por se e vlerëson edhe si pasurues të prozës shqipe. “Në këtë mënyrë ofrimi të prozës së shkurtër, Eqrem Basha bën një esencialist, jep pikat kryesore të vizonit të tij artistik, relievin e një realiteti të domosdoshëm por prozaik, ai e copëzon lëndën, tregohet minimalist dhe shkruan prozën e gjatë në disa raste, për të shmangur monotonitë e përshkrimet, e formalisht me segmente të pavarura. Mund të imagjinojmë: Duke mos dashur, mund të nënkuptojë një prozë të gjatë, të fragmentarizuar, të ndarë vetëm. Shoqërinë e njëri-tjetrit, tregimet të cilat, me emër të përbashkët, sikurse jepen, të operojë me regjistra të ndryshëm narrativë, stilistikë e leksikorë, i vendos në pavijoneve përkatëse”, ka thënë Graçi.
Derisa është ndalur në prozën e gjatë ka përmendur teatrin, minidramën e monodramën si kategori estetike dhe se Basha ka anuar nga teatri absurd.
“Rrëfimi është në dialog, në monolog ose në diskursin vizual-piktorik të autorit-narrator. Herë pas here autori përsërit ose njofton hollësi të reja të rekuizitës, të dekorit, duke u kujdesur kështu me përkushtim regjisorial për skenën ku kryhet episodi i radhës. Fare lehtë ‘Alpinisti’ dhe ‘Lakoret e ikë'sit" mund të inskenohen si monodrama. Nuk e teprojmë nëse e përfytyrojmë ‘Dyert e heshtjes’ si pjesë për teatër, së cilës i mungojnë vetëm etiketimi dhe shpjegimet formale për t’u botuar a luajtur në skenë pa më të voglën ndërhyrje në tekst”, ka thënë studiuesi Graçi. Ka përmendur edhe prozën e shkurtër, dialogun, monologun e zërin e ndërfutur të autorit-narrator që sipas tij “vijnë në sintezë, të harmonizuara organikisht, në funksion të pamjeve artistike, në shërbim të botës së gjallë fiksionale”.
Studiuesja Lumnije Jusufi ka prezantuar analizën e studimin e saj për romanin “Varrë” të Eqrem Bashës. Një prej pikave në të cilat ndalet është termi ‘demarkacion’. “Sado personal që mund të duket libri, problematizimi i fenomenit të demarkacionit duke anonimizuar qëllimisht kufirin, rajonin dhe aktorët e përfshirë është universal. Libri tani është 11-vjeçar dhe jo aq aktual, por ai është tematikisht aktual, pasi trajton një temë shumë të spikatur në shkencë. Tema është edhe politikisht më se aktuale, nëse shikojmë diskutimet në Ballkan për zhvendosje apo korrigjime kufijsh dhe një lufte të tërë në Ukrainë për mbrojtjen e tyre”, ka thënë Jusufi para të pranishmëve derisa ka cituar nga kumtesa e saj.
Në analizë të përgjithshme të romanit, ka thënë se përbëhet nga 20 kapituj që grupohen në tri pjesë të mëdha. “Secila pjesë prezantohet me një seksion të veçantë në formën e një dialogu - p.sh. dialogu i një udhëtari (ose i arratisuri nga kufiri) i quajtur Iksi me një hanxhi, ose me një "zotëri" të rastësishëm ose thjesht me një monolog”, ka thënë studiuesja Lumnije Jusufi. Ajo ka përmendur se tri pjesët përmbajnë tri tema kryesore: e para me rajonin kufitar dhe aktorët e tij, e dyta fokusohet në trajtimin emocional dhe psikologjik të kufirit, dhe e fundit trajton pasojat e karakterit të zonës kufitare.
Romanin “Varrë” e vlerëson si prekës. Ajo ka thënë se kush e zotëron gjuhën shqipe, duhet ta lexojë atë gjithsesi dhe se për botën joshqipfolëse mbetet shpresa që romani të përkthehet. “Lexuesit i prezantohen njerëzit e rajonit kufitar në një larmi aspektesh, por në fund ai nuk e di se kush janë ata. Ai mund të imagjinojë çdo banor kufitar në botë dhe ta shohë atë si fenomen universal. Hulumtimet e rajoneve kufitare kanë arritur prej kohësh në përfundim se rajonet kufitare në mbarë botën ndajnë të njëjtin fat. Eqrem Basha na e tregon dhe e përshkruan këtë në mënyrë të përsosur letrare dhe ngre zërin kundër ndarjeve dhe kufijve”, ka vlerësuar Jusufi.
Temën e sivjetme bosht “Shqipja në rrezik” e ka ndërlidhur edhe kujdesin e institucioneve shtetërore për figurat kontribuuese në fushën e gjuhësisë, letërsisë e kulturës. “Unë ngre zërin kundër pasivitetit të shtetit të Kosovës, meqë tema bosht e Seminarit është ‘Shqipja në rrezik’, të promovojë letërsinë e Kosovës, e cila lihet pas dore edhe në aspekte të tjera. I dashur Eqrem, keni fatin e keq që jeni shtetas i Kosovës. Përndryshe, me siguri presidentja e Kosovës Vjosa Osmani do t'ju kishte shpallë edhe juve shtetas nderi të Kosovës, siç bëri këtë verë me Ismail Kadarenë”, ka thënë ajo.
Akademik Eqrem Basha ka qenë i pranishëm në tryezën e organizuar për veprën e tij. Me një fjalë rasti para të pranishmëve është shprehur mirënjohës për organizimin e ngjarjes dhe vlerësimet për krijimtarinë e tij. “Më lejoni të falënderoj të gjithë ata që besuan dhe vlerësuan aventurën time, heqjet e ngazëllimet që të jenë pakti i krijimit, sepse aventura e krijimit është rrugë e kthyer dhe e drejtë, e turbullt dhe e mundimshme. Ka shumë kthesa në mjegull. Jo rrallë jam bindur se ajo çfarë bëj dhe më pëlqen mund të mos zgjojë kërshërinë e vlerësimit te tjetri, gjë që, gjithsesi nuk më ka lënë gjakftohtë”, ka thënë Basha.
“Energjia, vullneti, fanatizmi dhe skeptizmi, sakrifica u ngjan pasionit të udhëtarëve të mëdhenj të hapësirave të paprekura, atletëve të xhunglës shpirtërore. Gjithsesi, krijuesi është si fëmija. I ngazëllyer me çastin kur përmbyll një vepër, një gjetje. I duhet përkrahje, një zë që i thotë ‘misioni yt po përmbushet’, si alpinisti kur mbërrin në majë”, ka thënë ai më tej.