Artisti Phil Buehler ka realizuar një mural, i cili ia kujton botës se pothuajse 20 mijë fëmijë janë rrëmbyer nga forcat ruse. Vepra e tij po qëndron e ekspozuar në lagjen “Little Ukraine” në Manhattan. “Empty Beds” (Krevatet e zbrazura) paraqet fotografi në madhësi reale të krevateve të disa prej 994 fëmijëve që janë kthyer shëndosh dhe sigurt nga Rusia ose nga zonat e pushtuara nga Rusia, që nga fillimi i luftës në vitin 2022. Nuk dihet për fatin e pjesës tjetër të fëmijëve të rrëmbyer
A ka gjë që shkakton më shumë dhimbje sesa shtrati i zbrazët e një fëmije, i cili nuk do të kthehet kurrë më?
Kjo pyetje nxitet me mural 30 metrash që thekson rrëmbimin e 19 mijë e 546 fëmijëve ukrainas nga Rusia. Murali i realizuar nga artisti Phil Buehler u zbulua fundjavën e kaluar në lagjen “Little Ukraine” në Manhattan të Nju-Jorkut.
“Empty Beds” (Krevatet e zbrazura) paraqet fotografi në madhësi reale të krevateve të disa prej 994 fëmijëve që janë kthyer shëndosh dhe sigurt nga Rusia ose nga zonat e pushtuara nga Rusia, që nga fillimi i luftës në vitin 2022. Nuk dihet për fatin e pjesës tjetër të fëmijëve të rrëmbyer.
Buehler, një artist me bazë në Brooklyn, i specializuar në instalacione publike gjigante me tema politike, gjatë një udhëtimi në Ukrainë muajin e kaluar i kishte realizuar këto fotografi. Projekti është vazhdim i “Please Don’t Forget Us” (Ju lutem mos na harroni), një mural fotografik 18 metra i gjatë që ai e prezantoi vitin e kaluar.
Gjatë atij udhëtimi, Buehler kishte dëgjuar historitë e mijëra fëmijëve të vjedhur ukrainas. Ai ka provuar ta vendosë veten në vendin e prindërve dhe e kujtoi vizitën te një mik i ngushtë në Ohio, ku vajza e tij ishte vrarë nga një shofer i dehur pesë vjet më parë dhe kishte lënë dhomën e saj të gjumit të paprekur.
“Është si një kapsulë kohe”, ka thënë 68-vjeçari. “Kur hyja në dhomë, mund ta ndieja praninë e saj dhe imagjinoja prindërit e saj që hynin atje dhe shihnin këtë krevat të zbrazët dhe gjërat e saj të paprekura. Është si një jetë e ndërprerë. Andaj kjo ndjesi gjithmonë më ka mbetur në mendje”.
Ai pastaj e imagjinoi se si prindërit ukrainas linin dhomat e fëmijëve të tyre të paprekura dhe prisnin që ata të ktheheshin. Kur Buehler e vizitoi këtë shtet, ishte e pamundur të fotografoheshin krevate të zbrazëta të atyre që ende mungonin, sepse një hetim aktiv për krime lufte ishte në zhvillim e sipër.
Por, Buehler arriti t’i takonte tetë fëmijë që kishin shpëtuar nga zonat e pushtuara nga Rusia – disa duke bërë udhëtime që zgjatën një javë – për t’u ribashkuar me prindërit ose kujdestarët e tyre. Fëmijët u sollën sërish në Ukrainë falë përpjekjeve të “Bring Kids Back UA”, një iniciativë e presidentit të Ukrainës që punon për kthimin e të gjithë fëmijëve të rrëmbyer dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ata tani jetojnë me familjet e tyre jashtë Kievit në qendrën “Hope and Healing”, duke pritur për strehim të përhershëm. Gjithashtu, edhe në “Hansen Village”, një lokacion i krijuar për t’i strehuar familjet në nevojë, të cilat mund të qëndrojnë aty pa paguar qira për pesë vjet.
“Disa nga këta fëmijë janë ende të traumatizuar dhe duan të vrapojnë drejt strehimoreve kur dëgjojnë sirenat e sulmit ajror”, kujton Buehler.
Në mesin e fëmijëve të rrëmbyer ishte edhe 17-vjeçari, Rostislav, i cili u mbajt rob dhe u torturua nga forcat ruse, por refuzoi të heqë dorë nga shtetësia e tij ukrainase dhe përfundimisht shpëtoi. Ai më vonë dëshmoi para Kongresit të SHBA-së dhe tani studion për fotografi. Një tjetër ishte Vlada, 3 vjeçe, e cila në mars u largua nga rajoni i Khersonit, i pushtuar nga Rusia, me prindërit dhe vëllain e saj 8 vjeç, Stas.
Buehler fotografoi krevatet aktuale të këtyre fëmijëve, duke përshtatur kuadrin e fotoaparatit në nivelin e një fëmije, për të rikrijuar pikëpamjen e tyre. Ai i mbajti ato bosh si një simbol të humanizmit të përbashkët.
“Është një vend kaq intim për një fëmijë, njësoj sikurse lidhja midis prindërve dhe fëmijëve të tyre, dhe kur ajo shkëputet në këtë mënyrë, është vërtet një tragjedi dhe diçka e tmerrshme. Shkalla e brutalitetit të kësaj është më e keqe sesa një plagë plumbi. Të mos e dish se çfarë ndodh me fëmijën tënd. Jam munduar të mos e teproja me estetikën e imazheve. Po përpiqesha të kapja lartësinë e duhur të një fëmije dhe nuk kam ilustruar asgjë në dhoma. Thjesht i fotografova ato”.

Madhësia gjigante e imazheve të ekspozuara u lejon shikuesve të shohin detaje intime.
Fëmijëve të kapur nga Rusia u ndalohet të flasin gjuhën ukrainase. Emrat e tyre dhe datat e lindjes ndryshohen në mënyrë rutinore nga autoritetet ruse, me synimin që të fshijnë identitetin e tyre ukrainas dhe t’i përgatisin ata të luftojnë për Moskën.
Zhanna Galeyeva, bashkëthemeluese e “Bird of Light Ukraine”, një organizatë bamirëse që mbështet fëmijët ukrainas të çliruar nga robëria ruse, dhe e cila po punon ngushtë me Buehler në këtë projekt, tha: “Fatkeqësisht, ata po përgatiten të vazhdojnë luftërat dhe po riedukojnë fëmijët tanë ukrainas. Po u heqin identitetin dhe sistemin e tyre të vlerave. Po i riedukojnë ata në një forcë ushtarake aktive dhe ne njohim raste që e dëshmojnë këtë. Kam folur me disa fëmijë që u rrëmbyen dhe që u rikthyen, të cilët dëshmuan para Kongresit të Shteteve të Bashkuara dhe ata thanë se askush nuk i pyeti se çfarë donin të bënin, pasi u transferuan në ato kampet e riedukimit. Ishte një protokoll i caktuar, një rutinë në të cilën secili duhet të merrte pjesë dhe djemtë e një moshe të caktuar – besoj 14, 15, 16 vjeç – u vendosën menjëherë në një klasë speciale që është klasë ushtarake e edukimit, ndërsa vajzat u inkurajuan të merrnin mësime për kujdesin shëndetësor ose gatimin. Është një qasje klasike për t’i përgatitur këta fëmijë të jenë të dobishëm gjatë kohëve kur Rusia planifikon të pushtojë edhe shtete të tjera”.
Buehler u kthye në SHBA në fillim të muajit tetor, por e përfundoi këtë mural në kohë për zgjedhjet presidenciale, nga të cilat mund të varet e ardhmja e Ukrainës. Kjo përkon gjithashtu me një konferencë ministrore në Montreal, më 30-31 tetor, ku diskutohen veprime për t’i kthyer ukrainasit e burgosur, civilët e ndaluar pa të drejtë dhe fëmijët e zhvendosur.
Është e dukshme se luftës në Ukrainë i ka munguar vëmendja gjatë fushatës zgjedhore.
Murali me titull “Empty Beds” qëndron i ekspozuar në lagjen “Little Ukraine” në New York City, deri më 30 nëntor.