Kulturë

“Krejt e thirrin Rexhën” i pari në Bari për histori rezistence dhe shprese

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realiteti i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Krejt e thirrin Rexhën”

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realiteti i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Krejt e thirrin Rexhën”

Me çmimin që mban emrin “Franco Cassano”, emërtuar sipas sociologut të shquar italian, është vlerësuar cilësia e filmit të regjisorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut në edicionin e 16-të të festivalit të mbajtur nga 22 deri më 29 mars 2025. “Për prerjen inteligjente, ashpërsinë e regjisë, kompleksin e aktorëve dhe për skenarin delikat dhe ironik që tregon me mjeshtëri një histori rezistence dhe shprese”, shkruhet në arsyetimin e çmimit të ndarë për filmin “Krejt e thirrin Rexhën”

Rreth dy muaj prej premierës, filmi “Krejt e thirrin Rexhën” nën regji e me skenar të Ibër Dearit, pos rrugës ndërkombëtare, ka nisur edhe të vlerësohet. Në festivalin ndërkombëtar të filmit dhe televizionit “Bif&st” në Bari të Italisë është shpërblyer me çmimin për Filmin më të Mirë në kategorinë ku garonte. Në kategorinë “Meridiana” është vlerësuar rrëfimi i komedisë emocionuese që trajton qëndrueshmërinë e një komuniteti në kohëra moderne.

Me çmimin që mban emrin “Franco Cassano”, emërtuar sipas sociologut të shquar italian, është vlerësuar cilësia e filmit të regjisorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut në edicionin e 16-të të festivalit të mbajtur nga 22 deri më 29 mars 2025. 

Juria e përbërë nga presidenti i saj, shkrimtari maroken Tahar Ben Jelloun, profesoresha e letërsisë, Nadine Makram Wassef nga Egjipti, regjisorja siriane Soudade Kaadan, gazetarja e skenaristja italiane Antonella Gaeta si dhe regjisori shqiptar Roland Sejko, kanë zgjedhur fitues këtë film. 

Në arsyetimin e tyre, filmi që në anglisht mban titullin “Everybody calls Redjo” vlerësohet për mjeshtërinë e historinë e rezistencës dhe shpresës. 

“Për prerjen inteligjente, ashpërsinë e regjisë, kompleksin e aktorëve dhe për skenarin delikat dhe ironik që tregon me mjeshtëri një histori rezistence dhe shprese”, shkruhet në arsyetimin e publikuar në uebfaqen e festivalit. 

Regjisori Ibër Deari ka thënë se kategoria “Meridiana” ku ka qenë në garë ky film u dedikohet filmave të rajonit të Mesdheut. 

“Jemi shumë të lumtur dhe krenarë që sonte Rexhoja nga Sllupkova u shpërblye në festivalin prestigjioz Bari International Film Festival në Itali, me çmimin për Filmin më të Mirë në kategorinë konkurruese ‘Meridiana’. Kjo kategori është e dedikuar për filma nga vendet e rajonit të Mesdheut dhe përzgjedhja jonë në mesin e veprave të tjera të fuqishme ishte një nder i madh. Faleminderit jurisë, festivalit, publikut dhe të gjithë atyre që besuan në këtë film dhe në zërin që ai përfaqëson. Rroftë kinemaja!”, ka shkruar Deari në një postim.

Aktori Afrim Muçaj, që në film luan kryepersonazhin Rexhën, në një përgjigje për KOHËN ka thënë se çmimi është reflektim i mundit dhe emocionit në rol. 

“Ky çmim është më shumë se një shpërblim – është një reflektim i çdo emocioni dhe mundi të shkrirë në këtë rol. Si aktor (Rexho) ky moment është një ngjitje personale që nuk do ta harroj kurrë. Filmi është pasqyra e shpirtit tim, dhe ky çmim është një ndihmë për të kuptuar se sa thellë mund të ndikojmë te të tjerët me historitë tona”, është shprehur ai.

Aktorja Adriana Matoshi, e cila në filmin “Everybody calls Redjo” luan Hirën, gruan e Rexhës, ka thënë se çmimi është dëshmi e fuqisë së artit dhe rrëfimit. 

“Ky është një moment i jashtëzakonshëm për të gjithë ne që kemi punuar me pasion dhe përkushtim për këtë projekt, dhe një vlerësim i jashtëzakonshëm për mundin e regjisorit, aktorëve, dhe të gjithë ekipit që kontribuoi në realizimin e këtij filmi. Ky çmim është një dëshmi e fuqisë së artit dhe storytelling-ut, që arrin të prekë shpirtrat dhe zemrat e njerëzve, pa marrë parasysh kufijtë e gjuhës apo kulturës”, ka shkruar ajo. 

Në një postim në rrjete sociale, Matoshi ka thënë se ky është vetëm fillimi i filmit dhe se me të hapin “një dritare të re për të treguar historitë tona, të vlerësuar dhe të ndarë me botën”. 

Në një fshat fiktiv në Maqedoninë e Veriut me përplot elemente imagjinare, realiteti i vetëm janë problemet që zbërthehen në rrëfimin e filmit “Everybody calls Redjo”. Komedia, drama e romanca shpesh çojnë në rrëfime përplot sfida në fshatin pak të banuar të kryepersonazhit. Ai është simbol i vazhdimësisë dhe përkushtimit në filmin nën regji të Ibër Dearit, i cili skenarin e ka shkruar bashkë me Artin Selmanin.
Në dy orë e gjashtë minuta të filmit të gjatë artistik, të gjithë e thërrasin Rexhën, kryepersonazhin e projektit që tashmë është lansuar në Prishtinë, Shkup e Tiranë, dhe jo vetëm.

Efektet e migrimit drejt vendeve evropiane flasin me heshtjen e fshatit të ashtuquajtur Sllupkovë. Rexhep Nushi, që luhet nga aktori Afrim Muçaj,  mbetet i vetmi person që kujdeset për të gjitha llojet e punëve në fshat. Kjo është rutina e tij në film, por ai shpesh përballet me të papritura që zbulojnë histori të thella, por edhe të thjeshta, ku secili mund ta gjejë veten.

Filmi shpesh e lë rrëfimin në gjysmë e ngjarjet që ndodhin nuk rrëfehen deri në fund dhe kjo e bën më të dëshirueshëm atë për t’u eksploruar. Ditët e Rexhës zbardhin me oferta pune. Gjatë rrugëtimit, kryepersonazhi përballet me tradicionalitetin autentik të familjeve shqiptare.

Në film luan edhe Ledion Mulaku në kastin kryesor bashkë me Matoshin e Muçajn si dhe aktorët Bereda Reshit, Mirsad Abazi, Adrian Aziri, Sara Bajrami, Bujar Ahmeti, Labinot Raci, Daniela Markaj, Blerim Ismani, Nehat Memeti, Muzafer Etemi, Blerim Dardhishta, e të tjerë. Producent i filmit është Sasho Pavlovski.

Në fund të rrëfimit, familja triumfon ndaj sfidave që hasin. Një rrugëtim në paqe për në det e përmbyll rrëfimin plot dinamika të filmit “Everybody calls Redjo”.

Sipas njoftimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit dhe Televizionit në Bari, fokusi i tyre është zgjeruar përtej vendeve mesdhetare sivjet “duke marrë parasysh atë që ka ndodhur dhe po ndodh në Lindjen e Mesme pranë dhe në vende të tjera në bregun jugor. Bashkëpunimi dhe zhvillimi janë të vështira, por të nevojshme”, siç citohet drejtori i festivalit Oscar Iarussi në prezantimin e ngjarjes. 

“Ne kemi përjetuar një festival që nga njëra anë është i rrënjosur thellë në qytet dhe në territorin pulian, me histori që ngjallin tema vendimtare (anti-mafia, mjedisi, shpengimi social), nga ana tjetër të pasur me kontribute evropiane, mesdhetare dhe ndërkombëtare, dhe kryqëzime premtuese. Në një kalim të munduar dhe të pasigurt në zonën e Mesdheut, Bif&st kultivon shpresën se kultura dhe kinemaja në veçanti mund të përfaqësojnë një premtim krahasimi dhe paqeje”, thuhet në deklaratën publike të tij të mbylljes së Festivalit. 

Kryetari i rajonit të Pulias në Itali, Michele Emiliano, në ceremoninë përmbyllëse të Festivalit e ka vlerësuar atë si kontribut konkret në rritjen civile dhe kulturore të komunitetit. E ka vlerësuar si edicion emocionues, duke shpjeguar edhe arsyet. 

“Sepse ne e kemi parë Festivalin të rritet dhe të rinovohet, në harmoni me historinë e tij dhe të ngarkuar me energji dhe vizion të ri. Sepse teatrot kanë qenë gjithmonë plot për të gjitha shfaqjet. Për shkak se kishte shumë të rinj si në audiencë, ashtu edhe midis producentëve dhe regjisorëve, një shenjë se Kinemaja mund të llogarisë në një brez të ri aktiv, plural dhe pjesëmarrës. Sepse seksioni i dedikuar prodhimeve nga zona e Mesdheut ishte një bast i suksesshëm nga Rajoni dhe drejtuesit e Bif&st, pasi zgjodhën të fokusohen në temën e Detit, Mesdheut dhe Jugut”, ka thënë ai.

E kryetari i Bashkisë së Barit, Vito Leccese, ka vlerësuar se ky edicion ka qenë i suksesshëm me mikpritjen e mbi njëqind ngjarjeve. 

“Është gjithmonë emocion të shohësh vendet tona kulturore kaq të gjalla dhe të frekuentuara, veçanërisht nga më të rinjtë. Falënderoj ‘Bif&st’, Oscar Iarussi dhe të gjithë njerëzit që kontribuuan në realizimin e këtij eventi të jashtëzakonshëm. Faleminderit edhe qytetit të Barit, i cili e priti me entuziazëm këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare, si dhe organizatave që e pasuruan programin me mbi njëqind ngjarje të përhapura, duke gjallëruar rrugët dhe duke e bërë qytetin tonë edhe më dinamik”, ka thënë ai.

Në festival pati dy programe në garë: një garë ndërkombëtare kushtuar kinemasë së vendeve të Mesdheut (Meridiana) dhe tjetri Kinemasë Italiane që ka përfshirë filma artistikë sikurse edhe dokumentarë. Programi i festivalit ka përfshirë edhe filma jashtë konkurrencës dhe seksione të dedikuara për takime, njohuri dhe punëtori me personalitete të kinemasë.