Kulturë

Kreativiteti – faktor që “njerëzit në fund të ditës kthehen te libri”

Shtëpia botuese “Pema” e Prishtinës

Shtëpia botuese “Pema” e Prishtinës me shpërndarjen e librave donacione arrin të matë edhe pulsin e lexuesit të ri

“Ka shpresë, sepse njerëzit në fund të ditës kthehen te libri”, ka thënë Ardita Osmanaj, udhëheqëse e stafit akademik në shtëpinë botuese “Pema”, e cila ka ndërmarrë një aksion për shpërndarje falas të librave. Në Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtave të Autorit, shpresën e saj e bazon te disa faktorë. “Ka shumë institucione që janë përgjegjëse për këtë. Mendoj se kreativiteti, duke filluar nga prindërit dhe mësimdhënësit, është një prej pikave kryesore”, ka thënë ajo

Ata që merren direkt me librin, shpesh alarmojnë për rënie të numrit të lexuesve, edhe anketat e statistikat ua dëshmojnë këtë por megjithatë, për dikë “ka shpresë, sepse njerëzit në fund të ditës kthehen te libri”. E, ka disa arsye për këtë. 

Teknologjia kaherë ka rolin e vet edhe në këtë debat, por me një tjetër qasje ndaj saj, mund të shërbejë edhe për ta fuqizuar lidhjen midis lexuesit dhe librit. Freskimi i listës së lektyrave, hulumtimi i tregut, ngritja e cilësisë së botimeve, janë disa faktorë të tjerë. 

Shtëpia botuese “Pema” e Prishtinës, ka zgjedhur edhe një tjetër mënyrë. Ka një javë që ka nisur të shpërndajë libra falas, nëpërmjet një misioni si ky arrin të matë edhe pulsin e lexuesit të ri. Të mërkurën, në Ditën Botërore të Librit dhe të të Drejtave të Autorit, nisma ka kulmuar. 

Ardita Osmanaj, udhëheqëse e stafit akademik në shtëpinë botuese “Pema”, është njëra prej atyre që thotë se “ka shpresë që njerëzit në fund të ditës kthehen te libri”. Osmanaj ka thënë se për ta rikthyer vëmendjen te libri ka shumë faktorë e politika kulturore. 

“Ka shumë institucione që janë përgjegjëse për këtë. Mendoj se kreativiteti, duke filluar nga prindërit dhe mësimdhënësit, është një prej pikave kryesore. Nëse ne e bëjmë një orë mësimore më kreative, qoftë në gjuhën shqipe apo cilëndo gjuhë që nxënësit e preferojnë, besoj se arrijmë ta ngremë nivelin e interesimit të nxënësve që të jenë sa më pranë librave”, ka thënë Osmanaj, e ftuar të mërkurën në emisionin “Express” në Kohavision. Sipas saj, ani pse ka një rritje të përkrahjes nga institucionet kulturore për nisma si këto, “është një çështje më e përgjithshme dhe zinxhirore që duhet secili të kontribuojë nga pak”. 

Statistikat dëshmojnë se përherë e më ka shumë rënie të interesimit për librin. Por Osmanaj këtë e “mat” edhe në terren. 

“Por në fakt, dallimi vërehet edhe te vetë komunikimi. Po e shohim gradualisht që ka rënë mënyra e komunikimit te të rinjtë. Nuk kanë aftësi të mira komunikimi dhe ne shumë shpesh e ngatërrojmë gjuhën dhe shprehemi në gjuhë të huaja, duke menduar se është më ‘cool’ të flitet me një zhargon më ndryshe dhe kështu e anashkalojmë pjesën edukative të cilën e marrim direkt nga libri”, ka thënë ajo. 

Por Osmanaj vëren edhe kontraste në shkolla. Sipas saj, jo vetëm në Prishtinë, por edhe në komuna të ndryshme ka mungesë edhe të stafit që e mirëmbajnë bibliotekën, por gjithashtu ka edhe mungesë të librave. 

“Në disa raste është problemi pak më i thellë. Por për fat të mirë ka edhe komuna që kontribuojnë masivisht në ofrimin e kushteve të përgjithshme në shkollë, e sidomos te pjesa e bibliotekës, për të cilën ne e kemi filluar një lloj bashkëpunimi me donacione të ndryshme të lektyrave, të cilat i kemi bërë me standarde më të larta evropiane, me ngjyra, me një qasje didaktike më të këndshme për fëmijët, që të jenë më atraktive dhe t’i stimulojmë ata në mënyra të ndryshme për të lexuar më shumë”, ka thënë Osmanaj duke shtuar se shpresojnë që të vazhdojë ky ritëm i interesimit që është shfaqur deri më tani. 

“Kemi parë shumë shpesh që edhe mësimdhënësit kanë interesim të jashtëzakonshëm që të gjejnë diçka sa më të mirë për nxënësit e tyre, dhe kjo natyrisht se na bën të gjithë neve shumë krenarë, sepse po ndikojmë pozitivisht, jo vetëm te një shkollë apo komunë e caktuar, por në gjithë vendin”, ka thënë ajo. 

Teknologjia dhe libri, është një temë e hapur kaherë, por që debati për këtë çështje bëhet përherë aktual, jo vetëm në vend. 

“Ne nuk jemi kundër teknologjisë, përkundrazi e përkrahim përdorimin e saj në mënyrë të kontrolluar. Ne e kemi edhe distribuimin e librave të gjuhës angleze, ‘Hamilton’, që ka një ‘softuer’ dhe ka aplikacionet e veta ku patjetër duhet ta kesh pjesën teknologjike për ta përdorur një libër të tillë. Mirëpo kjo duhet të bëhet në mënyrën e duhur”, ka thënë Osmanaj. Ajo është e prerë kur thotë se “libri nuk mund të zëvendësohet me teknologji”. Por një tjetër temë që hapet në kohë zhvillimesh teknologjike e furisë së rrjeteve sociale e të  reklamave, është edhe cilësia e leximit. 

“Ka raste kur kemi edhe botime komerciale, por edhe lexime komerciale. Drejtohemi te një libër vetëm pse është bërë i famshëm nga postimi i dikujt dhe shkojmë e marrim atë libër dhe e lexojmë. Por prapë se prapë nuk është se kjo e dëmton leximin. Faktikisht ne themi se nuk ka libër të keq, sepse çdo libër e jep efektin e vet. Por ndoshta këtu duhet të ndërhyjë edhe familja apo institucionet, që të krijojnë një bazë më të mirë dhe t’i orientojnë edhe gjeneratat e reja se çka është më e mirë, më kualitative dhe më efektive për zhvillimin profesional të fëmijëve dhe për të ardhmen e tyre”, ka thënë Osmanaj. Në disa raste teknologjia është pozitive, “por në raste të caktuara mund të jetë edhe e dëmshme, sepse fëmijët janë të ekspozuar ndaj gjërave që nuk janë të nivelit të duhur për ta”. 

“E këtu duhet të ndërhyjë familja, të bëhet një kontroll më ndryshe, mandej sugjerimet nga shkolla dhe nga Ministria e Arsimit, në mënyrë që të jemi gjithmonë në nivel më të lartë”, ka thënë Osmanaj. Në aso niveli kur kthehet vëmendja përnjëmend, sepse, siç e thotë ajo, “njerëzit në fund të ditës kthehen te libri”.