Seminari Ndërkombëtar për Letërsinë, Gjuhën dhe Kulturën Shqiptare e ka fokusuar një pjesë të agjendës së ditës së tretë për projektin e Enciklopedisë, historinë e gjendjen e letërsisë shqipe në Kosovë. Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, akademik Mehmet Kraja, ka zbuluar rrjedhën e punës me hartimin e Enciklopedisë shqiptare si projekt midis ASHAK-ut dhe institucionit homolog në Shqipëri.
Ka thënë se projekti ka afat realizimi për pesë vjet, por e ka konsideruar të shkurtër këtë afat.
“Ashtu si ishte paraparë edhe në marrëveshjen e projektit, bartës të projektit janë caktuar Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave të Kosovës. Projekti ka afat realizimi pesë vjet. Mendoj që është afat i shkurtër dhe nuk besoj se do të realizohet brenda pesë vjetëve dhe do të përfshijë dije normative të të gjitha fushave të albanologjisë, historisë, trashëgimisë kulturore, ekonomisë, shkencave sociale, shkencave të natyrës, shkencave teknike, fushës juridike, mjekësisë, arsimit, sportit e të tjera”, ka thënë akademik Kraja.
Projekti për Enciklopedinë ishte nënshkruar midis Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë më 20 qershor 2022 . Kraja ka thënë se është hartuar një rregullore për mënyrën e ngritjes së redaksive për hartimin e Enciklopedisë.
“Janë dy redaksi vendore, një në Prishtinë, një në Tiranë dhe ka 29 redaksi të fushave. Unë jam zëvendëskryeredaktor dhe kryeredaktor për Kosovën, kryeredaktori jemi pajtuar të jetë i Akademisë së Shqipërisë”, ka thënë ai derisa ka bërë të ditur se gjithsej 120 veta janë të përfshirë në këtë projekt që përfshin gjithsej 29 fusha.
Ka thënë se aktualisht janë në fazën e hartimit të fjalëve në fushat përkatëse. Dhjetori është menduar si periudhë për t’i përfunduar këto lista por, sipas tij, ka skepticizëm se do të mbarojë në këtë kohë të paraparë.
“Se në çfarë faze jemi ne, jemi në punë e sipër për hartimin e fjalësit të 29 fushave. Në dhjetor mendoj se duhet të miratojmë listat e fjalëve për të gjitha fushat dhe regjistrit përfundimtar të artikujve për Enciklopedinë. Ky regjistër pastaj do të jetë diskutim publik me mundësinë që të përfshihen vërejtje, sugjerime dhe natyrisht edhe qëndrime të kundërta. Do të përpiqemi që të ketë oponencë publike dhe të brendshme. Prej vitit të ardhshëm do të jetë botimi i artikujve”, ka thënë Kraja në prezantimin e tij me temë “Enciklopedia shqiptare”.
Ai ka treguar se numri i përgjithshëm i artikujve të botuar në Enciklopedi mund të jetë rreth 10 mijë.
Redaktor i projektit për Enciklopedinë në fushën e letërsisë është profesori Nysret Krasniqi. Derisa ka thënë se letërsia shqipe në Kosovë është krijuar nga rrethana gjeografike, historike e politike nga letërsia në Shqipëri, ka treguar shtyllat themelore të kësaj fushe për rregullimin e saj në Enciklopedi.
“Letërsia shqipe domosdo ka krijuar specifikat e saj ideore e stilistike dhe si rrjedhojë kushtëzon një formë të veçantë apo një njohje autonome e cila bëhet e domosdoshme për trajtimin e saj në kuadër të një projekti deri tash të munguar enciklopedik. Duke i marrë në dijeni këto efekte, redaksia e fushës letrare deri më tani ka punuar e studiuar në tri shtylla themelore e studimore: 1. Përcaktimi i fenomeneve mbizotëruese që shquajnë korpusin letrar të Kosovës, 2. Përcaktimi i autorëve dhe i personaliteteve letrare të Kosovës dhe 3. Kriteret e përfaqësimit të autorëve të Kosovës në enciklopedinë shqiptare”, ka thënë Krasniqi.
Profesori Sabri Hamiti, në prezantimin e tij me temë “Historia e letërsisë shqiptare”, ka thënë se në fushën e letërsisë çështje që vështirë zgjidhet është ajo e dorëshkrimeve. Sipas tij, ka shumë vepra shqipe që nuk kanë kontakt me lexuesin.
“Çështja e dorëshkrimeve edhe në formë të autografeve është çështje vështirë e zgjidhur dhe e zgjidhshme për njerëzit që e shkruajnë historinë e letërsisë shqipe saktë. Botimi i tyre, shtypshkrimi i tyre nganjëherë është vonuar mbi një shekull. Më së shpeshti mbi 30 vjet. Është punë e vështirë të rezervohet çka thonë këto dorëshkrime në sistemin e gjuhës shqipe sot e çka do të thoshin po të botoheshin në kohën kur janë shkruar. Në bibliotekat shqiptare në Tiranë dhe këtu në Prishtinë, as sot nuk mund të gjenden shumë vepra shqipe të botuara, nuk kanë kontakt me lexuesin”, ka thënë ai.
Ka përmendur botimin e shkrimeve në rrjete sociale, të cilit i referohet si “deletrarizim”.
“Po ndodh një proces deletrarizimi do të thosha unë, kur letërsia merret nëpërmjet rrjeteve sociale ku ka deformime të teksteve, libra dhe autorë që thonë gabimisht, janë analfabetë funksionalë, që shkruan si dhe çka ka dëshiruar. Lexon dhe shkruan keq, sepse pa e ditur letërsinë e shkruar e qarkullon si letërsi gojore, që është absurde”, ka thënë ai.