“Krahët e punëtorëve” nën regji të Ilir Hasanajt në edicionin e 10-të të Festivalit që mbahet në kryeqytetin slloven, ka fituar çmimin kryesor “Grand Prix”, përderisa “Si e verdhë e sëmurë” nën regji të Norika Sefës, Çmimin e jurisë ndërkombëtare për filmin më të mirë të shkurtër. Dy filmat tashmë janë në rrugë e sipër të suksesit të tyre. Këta dokumentarë lënë gjurmë kudo që shfaqen. Kësaj radhe në Slloveni. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Lubjanë
Janë dy rrëfime autentike që bartin standardin social të kohës kur janë xhiruar. “Krahët e punëtorëve” dhe “Si e verdhë e sëmurë” tashmë janë në rrugë e sipër të suksesit të tyre. Këta dokumentarë lënë gjurmë kudo që shfaqen. Kësaj radhe në Slloveni. Në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër në Lubjanë.
“Krahët e punëtorëve” nën regji të Ilir Hasanajt në edicionin e 10-të të këtij festivali që mbahet në kryeqytetin slloven, ka fituar çmimin kryesor “Grand Prix”, përderisa “Si e verdhë e sëmurë” nën regji të Norika Sefës, Çmimin e jurisë ndërkombëtare për filmin më të mirë të shkurtër.
“Si e verdhë e sëmurë” është në hov të jashtëzakonshëm. Ende pa u bërë një muaj ka marrë tri çmime. Në fillim të gushtit mori trofeun kryesor në Festivalin ndërkombëtar të filmave dokumentarë dhe të shkurtër “DokuFest”, kurse javën e kaluar ka fituar “Zemrën e Sarajevës” për filmin më të mirë të shkurtër dokumentar. Filmi me rrëfime unike nga videokasetat e vjetra ndërthur të bukurën dhe të trishtën brenda 23 minutave.
Filmi që u dha premierë në janar të këtij viti tash në Festivalin e Filmit në Sarajevë është përballur me konkurrencë ku marrin pjesë alamet filmbërës, pasi është më e madhja ngjarje e botës kinematografike në Evropën Juglindore.
Regjisorja nga Kosova, Norika Sefa, nuk ka qenë e pranishme në ceremoninë e ndarjes së çmimeve që është mbajtur të premten mbrëma, për shkak të skadimit të vizës që i ishte dhënë për vetëm katër ditë. Por publikut e organizatorëve u është drejtuar me një video mesazh.
Kishte thënë se Festivali ka qenë zemërgjerë në rrugëtimin e saj si filmbërëse.
“Jam vërtet falënderuese. Festivali i Filmit në Sarajevë ka qenë shumë zemërgjerë në rrugëtimin tim të filmbërjes. Faleminderit festivalit për ftesën dhe jurisë për njohjen e filmit. Ka qenë një shfaqje shumë e mirë. Ka qenë kënaqësi që ka pasur njerëz që donin të flisnin më shumë për filmin. Festivali ka një shpirt që vërtet e vlerësoj”, ka thënë ajo. Derisa ka folur edhe për përvojën e saj në punimin e filmit “Si e verdhë e sëmurë”. Kishte shpalosur edhe pak nga përvojë në realizmin e dokumentarit.
“Duke e punuar këtë film, duhej të vija në pikëpyetje rolin tim si filmbërëse, sepse filmi është punuar nga materialet e mia dhe zakonisht ato imazhet janë të bukura ashtu siç janë, kështu që kur erdha atje dhe doja të vija rend, bëja shumë pyetje se si asgjë nuk është sekret, si vendos diçka jashtë kontekstit dhe bëhet diçka tjetër”, kishte thënë ajo.
Sefa shpalos histori magjepsëse nga videokasetat e vjetra të historive të familjeve, anëtarë të të cilave nuk janë më. Aty ndërthuren bukuria dhe e trishta, duke ndërtuar rrëfime unike. Rrëfimi aty konsiderohet si përrallë misterioze dhe magjepsëse për jetët që nuk janë më aty.
Në “DokuFest” të Prizrenit, sivjet ishte shpërblyer edhe “Krahët e punëtorëve”. Qendra Kinematografike e Kosovës sivjet për të dytin vit dha çmimin “Talent Doc Aëard”. Fitues qe “Krahët e punëtorëve”.
Pas Çmimit në Slloveni, regjisori Ilir Hasanaj ka thënë se është tejet I lumtur për vlerësimin në Lubjanë.
“Ky Çmim për mua është një gëzim i madh dhe është bukur ta shoh njëfarë vlerësimi dhe njëfarë konfirmimi për mundin që kemi bërë si ekip. Në të njëjtën kohë, besoj që është temë ndoshta e realizuar mirë që e ka një rëndësi të madhe dhe po prek audiencat dhe juritë. Filmi është duke e konfirmuar secilën ditë e më shumë se është punuar me kualitet dhe se kemi mbërri të punojmë diçka që ndoshta është ndryshe dhe i prekë njerëzit me këtë frymë”, ka thënë ai.
Ka thënë se si ekip shpresojmë shumë që vlerësimet për filmin do t’i japin hov edhe temës që të ketë më shumë drejtësi për punëtorë dhe më shumë mundësi për ata.
“Shpresojmë që të ketë rrethana më të mira në vend të punës. Në shumë vende kjo temë duhet të trajtohet më seriozisht, pasi jeta e njerëzve në shumicën e kohës kalon në vend të punës”, ka thënë ai.
Dokumentari ka për protagonistë personazhe që kanë të kaluar të dhimbshme në vendet e tyre të punës. Ata tregojnë se kanë punuar shumë lloje punësh për pak para, aq sa për ta mbajtur familjen. Audioja si një tension i lehtë përbrenda e ilustron krejt rrëfimin. Plagët e tyre ende lëngojnë.
Aty regjisori Hasanaj u jep zë përvojave dhe rrëfimeve të harruara të tre protagonistëve në dokumentar, Milazimi, Fatmiri dhe Liridoni. Në 19 minuta filmi i shkurtër dokumentar ndërtohet si homazh poetik e eksperimental.
“Krahët..” sivjet u kthye nga Rotterdami pas premierës botërore me “Tigrin” për dokumentarin më të mirë. Në korrik është dhënë premierë në Portugali e ka marrë çmim në Meksikë. Po ashtu edhe në Kroaci. Dokumentarit të shkurtër të Ilir Hasanajt i është hapur rruga drejt nominimit për “Oscar”. Është çmimi për filmin më të mirë ndërkombëtar të kategorisë së dokumentarit të metrazhit të shkurtër në edicionin e 27-të të Festivalit më të rëndësishëm të filmit në Amerikën Latine në Meksikë, “Guanajuato International Film Festival” që ia ka hapur këtë rrugë.
““Për narrativën e krijuar me zgjuarsi, të shoqëruar me kinematografi intuitive dhe goditëse, që u jep zë dhe hedh dritë mbi punëtorët anembanë botës si dhe aksidenteve të punës në trupat e tyre”, është arsyetimi i jurisë në Meksikë në përbërje të filmbërësve Laura Baumeister, Miko Revereza dhe Virgile Ratelle.
U gëzova shumë dhe mezi prita ta ndaj lajmin e mirë me pjesën tjetër të ekipit të filmit. Momente të tilla janë të jashtëzakonshme, megjithëse të shkurtra, por shoqërohen me shumë gëzim, emocion dhe eufori. Pak më vonë më erdhi një tjetër e-mail, përmes të cilit mësova se jemi shpërblyer me çmimin ‘Best Short Film’ edhe në festivalin ‘CineHill’ të Kroacisë. Ky lajm ishte edhe më i papritur, por një gjë shumë e bukur që ndodhi. Në fillim nuk më besohej dhe pas lajmeve të tilla gjithmonë më duhet pak kohë për ta marrë veten, por jam shumë i lumtur që filmi po merr vlerësime të këtilla”, kishte thënë Hasaj pasi kishte marrë lajmin për atë Çmim.