Shumëçka ka ndryshuar në Prishtinën e pasluftës, por kur hyn në këtë vend duket sikur koha nuk ka lëvizur. E hapur në vitin 1978, në qendrën tregtare “Boro-Ramiz”, ëmbëltorja “Elida” sot e asaj dite ruan recetat tradicionale të trashëguara brez pas brezi.
Bakllavat, shampitet, tullumbat e krempitet vazhdojnë të mbeten të preferuarat e vizitorëve të ëmbëltores që nuk e ka ndryshuar as enterierin.
Pronari i saj, Bajram Idrizi, rrëfen se si ka ndryshuar shija e kosovarëve ndër vite, teksa thekson që ëmbëlsirat tradicionale vazhdojnë të mbeten më të kërkuarat.
“Më herët kemi punuar me ëmbëlsira, të cilat i kanë preferuar njerëzit në atë kohë, mirëpo tani kanë ndryshuar gjërat. E ëmbëlsirat e atëhershme i kemi ende, akoma i përgatisim, sepse i kërkojnë njerëzit, mirëpo tani kemi filluar me ëmbëlsirat e reja, si për shembull cheescake e oreo, që janë disa ëmbëlsira të portokallta. Janë edhe disa ëmbëlsira të tjera, si për shembull Snikersi dhe katër-pesë lloje të tjera, mirëpo ne si ëmbëltore shumë e moçme i kemi njerëzit, të cilët i preferojnë ëmbëlsirat e vjetra dhe ende vazhdojmë me ato”, ka thënë Bajram Idrizi, pronar i ëmbëltores “Elida”. “Njerëzit më të vjetër i kërkojnë ëmbëlsirat më të vjetra, kurse të rinjtë i kërkojnë ëmbëlsirat e reja, kështu që i kemi të dy llojet”.
Hapësira e rrethuar prej qelqi ruan kujtesën kolektive. Në vitin 1991 ëmbëltorja ishte mbyllur dhunshëm, por pas tre vjetësh i rihapi dyert. Që nga viti 2017 kjo ëmbëltore është përfshirë edhe në listën e trashëgimisë kulturore.
“Ne jemi gjeneratë e tretë: ishte gjyshi, babai im, tani jam unë me djemtë, me familjen bashkë, me djalin e axhës. Unë mundohem ta ruaj traditën e sa do ta vazhdojnë djemtë e mi nuk e di, por mendoj që po, do ta vazhdojnë edhe ata. Përndryshe, do të vazhdojmë me këtë profesion që e kemi. Ne kemi ardhur këtu që nga viti 1978, kur është hapur objekti, Pallati, e tani edhe në Maqedoni, për shembull tetovarët, shumica, të them 60-65 për qind, janë në vendet e ish-Jugosllavisë. Për shembull nga fshati ynë në Kroaci kemi diku 50 apo 60 për qind, janë atje me të njëjtën punë, dikush me restorante, dikush me ëmbëltore. Sikur ne, për shembull, që jemi në Kosovë dhe do të vazhdojmë. Nuk e di për sa, por po e vazhdojmë punën”, ka thënë Idrizi.
“Nuk mund të them se jemi më të mirët në Prishtinë, por interesim për akullore kemi shumë, sidomos në qytetin e Prishtinës. Vijnë shumë njerëz që e adhurojnë akulloren dhe e dinë se akullorja e mirë gjendet në ‘Elidë’, se ka edhe ëmbëltore të tjera në qytet, por e preferojnë ‘Elidën’. Për akullore po flas, sepse ëmbëlsira ka gjithkund”, ka shtuar ai.
Në Kosovë viteve të fundit është vërejtur rritje e interesimit për pastiçerinë dhe janë shtuar edhe bizneset e kësaj fushe. Kompania “Korabi” zhvillon trajnime për pastiçeri dhe dekore për ata që këtë zanat po e shohin si mundësi të mirë për ta siguruar jetesën.
Amir Paçarada po e bart përvojën e tij te këto vajza të reja, që duan ta përvetësojnë artin e përgatitjes së ëmbëlsirave.
“Ne ofrojmë kurse bazike, elementare, për pastiçeri, furrtari dhe po ashtu edhe për gjelateri. Interesimi është shumë i madh, dominon gjinia femërore dhe kryesisht janë vajza të reja. Është interesim dhe gatishmëri që është shprehur edhe më shumë kohëve të fundit, që të bashkohen e ta marrin një profesion që sado pak ta fillojnë si biznes prej shtëpive apo të hapin ndonjë dyqan të tyrin”, ka thënë Paçarada.
Ai flet për ndikimet perëndimore në mënyrën se si përgatiten ëmbëlsirat sot dhe bën krahasime se cilat ishin ëmbëlsirat e preferuara të kosovarëve dikur dhe cilat janë sot. Kapërcimet janë të mëdha: nga bakllavat në cheescake.
“Diku para shtatë a tetë vjetësh ka nisur një trend tjetër. Deri atëherë jemi mësuar me bakllava, me sheqerna kryesisht, trileqe. Tash është një trend ndryshe që ka ndryshuar falë edhe kompanisë sonë. E kemi sjell një përvojë, eksperiencë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim. Tash është një koncept tjetër perëndimor, me kremra, cheescake me fruta të freskëta, të thata. Kështu që, është një ndryshim mjaft i madh. Ne si kompani kemi kontribuuar në këtë drejtim, kemi sjellë shumë receta të reja, një trend mjaft i ri në Kosovë”, ka shtuar ai.
Recetat tradicionale të ëmbëlsirave sot përgatiten më shumë gjatë festave në shtëpi. Por shprehia e vizitave në ëmbëltore nuk ka ndryshuar. Kanë ndryshuar deri diku preferencat.
Erëmira Kurti, bashkëpronare në “Prishtina Homemade Muffins”, thotë se viteve të fundit kosovarët i preferojnë më shumë ëmbëlsirat moderne me dekore shumëngjyrëshe.
“Për dalim prej viteve të mëhershme, kur ke shkuar te ndonjë familjar dhe ia ke dërguar një bakllavë, tash përveç bakllavës është shtuar edhe torta. Torta nuk është më një tortë e thjeshtë, por e zbukuruar. Ky është ndryshimi në shtëpi, por i është shtuar kostoja: bakllavë dhe tortë e zbukuruar”, ka thënë Kurti.
Sipas saj, mufinët bukur të dekoruar, të cilët shpeshherë personalizohen me mbishkrime e data, në kohët moderne i kanë zëvendësuar kartolinat e fundvitit.
“Personalizimi është një trend shumë në rritje. Edhe nëse është në pyetje vetëm një mufin i vogël, klientët kërkojnë që të jetë i personalizuar me detaje të ndryshme, me simbole të ndryshme apo emra a çfarëdo qoftë. Kaherë e shoh që ka marrë edhe formën e kartolinës. Nuk dërgohet më një kartolinë e zakonshme, e vogël, e thjeshtë. Por shpeshherë edhe thëniet e dashurisë apo kur i urojmë dikujt shërim shkruhen në mafinë. Pra, ka marrë një formë krejtësisht tjetër”, ka thënë ajo.
Rituali i shoqërimit të kafesë me një ëmbëlsirë vazhdon të respektohet në shoqërinë kosovare. Për shumëkënd vlen motoja e vjetër: jeta është e shkurtër. Hani së pari desertin!