Marrëveshjet ndërshtetërore janë vlerësuar përherë si mundësi e mirë bashkëprodhimesh filmike. Të tilla, Kosova ka midis tjerash me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Francën, përderisa e radhës është ajo me Bullgarinë e nënshkruar të hënën. E marrëveshja vjen në vitin kur vendi shënon humbjen e dinamikës dhe dëshmi për këtë është mungesa e një filmi kandidat për “Oscar”. Ministri i Kulturës i Bullgarisë, Nayden Todorov, emër i njohur për skenën muzikore në Kosovë, është shprehur optimist e homologu i tij në Kosovë, ministri Hajrulla Çeku mungesën e dinamikës e ka përkthyer në nevojë për reflektim e korrigjim të vetvetes
Dirigjenti bullgar, Nayden Todorov, është rikthyer në Prishtinë. Por kësaj radhe jo për të drejtuar orkestrën e Filharmonisë së Kosovës, por në një tjetër cilësi: si ministër i Kulturës i Bullgarisë. Mesditën e së hënës Todorov – njëherësh edhe drejtor i Filharmonisë së Sofjes – është pritur në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për një marrëveshje ndërshtetërore. Ai dhe ministri Hajrulla Çeku kanë nënshkruar marrëveshje për bashkëprodhim në kinematografi.
Marrëveshja i ka hapur rrugë mundësisë që dy shtetet të mund të përkrahin me buxhet publik projekte kinematografike të njëra-tjetrës. Bëhet fjalë për një marrëveshje midis dy shteteve, në mënyrë që të dyja vendet të rrisin bashkëpunimet ndërkombëtare.
Por Qendra Kinematografike Kosovës kohëve të fundit ka stagnim në promovimin e filmave të Kosovës. Vitin e kaluar ka vendosur që të mos ketë kandidat për “Oscar” e sivjet as që ka hapur thirrje fare. Pos kësaj, për vitin e kaluar dhe deri më tash, është hapur vetëm një konkurs për projekte filmike. Mungesa e kandidimit për nominim për çmimin e madh nuk është vetëm shans i humbur, por dëshmon rënien e dinamikës në prodhime filmike. Kosova tash e një dekadë propozon film.
Për këtë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se duhet të ketë reflektim e korrigjim të vetvetes.
Optimizmi për ndikim në të ardhmen kulturore Kosovë-Bullgari
Pak minuta pas orës së paralajmëruar, ministri bullgar i Kulturës, Nayden Todorov, ka arritur në kabinetin e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku. Është pritur nga i pari i MKRS-së, dy drejtore departamentesh, drejtoresha e Qendrës Kinematografike të Kosovës, Blerta Zeqiri, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj e sopranoja Besa Lugjiqi, e cila ka karrierë të njohur në Bullgari sidomos në Operën e Stara Zagorës.
Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, fillimisht e ka falënderuar homologun bullgar për mbështetjen që i ka dhënë Bullgaria Kosovës e po ashtu edhe për kontributin e tij personal në Kosovë. Todorov dy herë ka dirigjuar Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës dhe po ashtu ka qenë dirigjent i operës “La Traviata” e inskenuar në dhjetor të vitit 2022 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Todorov – i cili kishte qenë ministër i Kulturës në Bullgari fillimisht nga shkurti deri në qershor të vitit 2013, e më pas këtë detyrë e ka marrë në prill të këtij viti nga ish-ministri Krastyu Krastev – në fjalët e para ka falënderuar nikoqirët. Midis zhurmës së derës së kabinetit që sa herë hapet lëshon tingujt e bagllamave të prishura, dy ministrat kanë folur për mundësitë e bashkëpunimeve e kanë shkëmbyer dhurata. Më pas ka qenë koha e nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëprodhime kinematografike.
“Mendoj se çfarë kemi bërë së bashku do të ketë ndikim të madh në të ardhmen kulturore në vendeve tona. Ky nuk është fillim i marrëdhënieve tona në nivel kulturor. Njerëzit tanë kanë bërë shumë së bashku qoftë në Kosovë, qoftë në Bullgari. Duke nënshkruar këtë marrëveshje shpresojmë të forcojmë artin më të popullarizuar, kinematografinë dhe të kemi bashkëprodhime të reja midis dy vendeve”, ka thënë Todorov. Sipas tij, Bullgaria ka qenë gjithnjë e gatshme që të përkrahë Kosovën në rrugën e saj drejtë Bashkimit Evropian dhe nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje është një gjë më shumë që tregon se së dy vendet duan të jetojnë, punojnë e rrugëtojnë së bashku.
“Ky është vetëm fillimi, pasi ne mund të bëjmë dhe jam i sigurt që mund të bëjmë më shumë edhe në fusha të tjera të kulturës si muzika, teatri trashëgimia kulturore, pasi kemi shumë të përbashkëta dhe së bashku jemi më të fortë”, ka thënë ai.
Todorov e njeh mirë skenën e muzikës klasike në Kosovë e po ashtu edhe kushtet në të cilat punohet. Midis tjerash, qe pjesë e projektit që Opera e Kosovës – që funksionon si agjenci pa ansambël – inskenoi operën e parë para gati dy vjetësh. Todorov në këtë rast qe dëshmitar i një prej improvizimeve më të mëdha ku salla “1 Tetori” u përshtat si sallë opere. I pyetur se cila do të ishte këshilla e tij ndaj ministrit Çeku pasi njeh potencialet dhe defektet në Kosovë, Todorov është përmbajtur.
“Mos mendoni asnjëherë për defekte. Nëse do të ishim të përkryer nuk do të përparonim kurrë. Na duhet pak joperfeksion për të ëndërruar për të arritur diçka”, ka thënë ai. Prej kohës kur Todorov ishte në Kosovë, Ministria e Kulturës dy herë ka dështuar të shpallë edhe projektin ideor për Teatër të Operës dhe Baletit. Tash është në rishqyrtim të projektit. Por e hëna ka qenë e kinematografisë.
Homologu i ministrit bullgar, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka kujtuar se dirigjenti i njohur bullgar ka qenë disa herë në Kosovë dhe është më i njohur si dirigjent sesa si ministër. Ka thënë se tash e më pas kineastët kosovarë dhe ata bullgarë kanë mundësi të reja.
“Lajmi kryesor qe se dy fondet e filmit, ai i Kosovës dhe i Bullgarisë tash e tutje do të bashkohen duke krijuar mundësi të reja për produksionet filmike, për kineastët e të dyja vendeve që të prodhojnë bashkë”, ka thënë ai. Bullgaria është prej shteteve që ka më shumë se një dekadë që aplikon “rabatin kesh” me normë 25 për qind për produksionet botërore që xhirojnë në vendin e tyre dhe sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Filmit, ekonomia e vendit ka përfituar shumë. Të dhënat flasin për të hyra deri në 80 milionë euro në vit.
Kosova, të paktën me ligj e rregullore është në prag të një politike të tillë. E përderisa buxheti publik i Bullgarisë për filmin, sillet rreth 7 milionë euro, ai i Kosovës është 1.6.
Humbja e ritmit për “Oscar”, “problem që duhet të trajtohet”
Kosova ka marrëveshje të tilla midis të tjerash me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut e Francën, por Qendra Kinematografike e Kosovës nuk është në ditët e saj më të mira. Vitin e kaluar s’ka pasur kandidat për nominim për “Oscar”. Kështu kishte vendosur një komision i themeluar për të bërë zgjedhjen. E këtë vit lëre më që s’ka kandidat, por as që ka hapur konkurs.
Mundësia është humbur pasi koha e shpalljes së kandidatëve ka qenë deri më 2 tetor. E në shtator QKK-ja është “fshehur” duke mbajtur një konferencë për media të stilit për të thënë se Shqipëria ka kandiduar një film ku Kosova është bashkëproducente.
Sa i përket dështimit të sivjetmë me kandidatin për nominim për çmimin prestigjioz “Oscar” në QKK nuk kanë dhënë kurrfarë përgjigje. KOHA i është drejtuar drejtoreshës Blerta Zeqiri. Ajo ka rekomanduar që pyetjet t’i adresohen zyrtarit Lum Çitaku. Por Çitaku nuk është përgjigjur fare. KOHA ka insistuar prapë te drejtoresha Zeqiri, por edhe ajo ka rizgjedhur heshtjen.
Të hënën ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku është përgjigjur për këtë çështje. I pyetur nëse si udhëheqës i politikave kulturore do të kërkojë përgjegjësi, ka thënë se beson që çdo mundësi e komunikimit ndërkombëtar është e një rëndësie të veçantë për shtetin tonë, por edhe për vetë komunitetin artistik.
“Dhe, kur humben ato mundësi është një problem që duhet të trajtohet. Besoj që kjo çështje lidhet me një lloj dialogu të brendshëm dhe këtë dialog njerëzit e filmit janë duke e bërë në mënyrë shumë intensive dhe dinamike. Ndërsa e jona është që këto diskutime profesionale mandej t’i kthejmë në vendime e politika”, ka thënë ai. Ka kujtuar se vjet kishte qenë vendim i komisionit të profesionistëve të mos ketë kandidat dhe “vendimi duhet t’u lihet gjithmonë profesionistëve pa marrë parasysh se çfarë çmimi duhet të paguajmë në këtë drejtim”. Këtë vit e ka përshkruar si shumë të suksesshëm për institucionet publike e jopublike të kulturës dhe sipas tij edhe më shumë suksese do të ketë në vitet në vazhdim. Ka folur edhe për korrigjim të vetvetes.
“Angazhimi ynë për t’u lidhur me botën përmes artit do të jetë i vazhdueshëm, ndërsa kur kemi ngecje, kur kemi problematika, besoj se këto kanë çështje për të cilat duhet të ulemi dhe të reflektojmë, ta pranojmë kritikën dhe ta korrigjojmë vetveten brenda mundësive që i kemi”, ka thënë ministri Çeku.