Një instalacion skulpturor brenda të cilit vizitorët do të thellohen në “punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës” është ajo që do ta ofrojë Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Ndërkombëtare të Artit në Venecia vitin që vjen. “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” do të zërë vend në Muzeun Historik të Marinës midis dy hapësirave ekspozuese, Arsenales dhe Giardinit.
Ekipi i Pavijonit të Kosovës, kryesuar prej artistes Doruntina Kastrati, ka shpalosur disa detaje të prezantimit. Nëpërmjet një komunikate për media është bërë e ditur se Kastrati – e cila u përzgjodh në shtator për ta përfaqësuar Kosovën – nëpërmjet praktikës së saj hulumtuese dhe artistike, ka shqyrtuar trupin dhe marrëdhënien e tij me pushtetin biopolitik. Sipas komunikatës, hulumtimet e saj shpesh fokusohen në çështje sociale dhe politike të punës në kontekstin global. Është bërë e ditur se “Heshtjet Kumbuese të Metalit dhe Lëkurës” është një instalacion skulpturor që trajton punën e feminizuar dhe pabarazitë në vendin e punës.
“Deindustrializimi i ekonomisë dhe derregullimi i tregut të punës pas luftës së vitit 1999 në Kosovë krijuan mundësi të mëdha të zhvillimit të industrive të lehta (p.sh. prodhimi i ushqimit, letrës, plastikës etj.). Ky mjedis i ri ekonomik targetoi gratë dhe krijoi kërkesë për punë fleksibile dhe me pagesë të ulët”, shkruhet në komunikatë derisa shpjegohet instilacioni nën kurimin e Erëmirë Krasniqit. Aty tregohet se angazhimi në punë me pagesë u ka dhënë grave një masë pavarësie financiare dhe pjesëmarrje në shoqëri.
“Larg nga të qenit emancipues, feminizimi i fuqisë punëtore në industritë e lehta i ka mbajtur të paprekura rolet tradicionale gjinore, dhe duke mundësuar pak ose hiç promovim në pozita pune, i ka bërë gratë ekonomikisht të cenueshme dhe politikisht margjinale”, shkruhet në komunikatë.
Sipas sqarimeve që jepen, projekti i Kastratit sjell në publik rrëfimet e grave, të cilat punojnë në margjina të shoqërisë.
“Puna në fabrika është repetitive dhe mund të bëhet vetëm në këmbë. Në këtë linjë pune, afër një e treta e grave i nënshtrohen operacionit të zëvendësimit të gjurit; objektet metalike të implantuara në gjunjë në mënyrë kirurgjikale janë gjurmë materiale të punës së tyre për orë të gjata me pagesë të ulët”, shkruhet në komunikatë. Aty sqarohet se me synimin për të nxitur reflektim se pse dhe si këto praktika shfrytëzuese në vendin e punës kanë mbetur të pashqyrtuara, Kastrati do ta bëjë këtë në mënyrë abstrakte, duke theksuar karakteristikat e mishëruara të materialeve, veçanërisht atë të metalit.
Juria e përbërë nga Zdenka Badovinac, Massimiliano Gioni, Leonie Radine, Adam Szymczyk dhe Alban Muja i kishte besuar ekipit të Kastratit për përfaqësim në Bienale midis një konkurrence jo të vogël. Doruntina Kastrati, e lindur më 1991 në Prizren, punon kryesisht me skulpturë, instalacion dhe imazhe lëvizëse. Në vitin 2014 është shpërblyer me Çmimin për Artistët e Rinj Vizualë nga Galeria Kombëtare e Kosovës. Më pas ka fituar çmimin “Hajdex6” nga fondacioni “Hajde”. Ajo midis të tjerash ishte artiste rezidente në “International Studio and Curatorial Program” në New York, në “Art House” në Shkodër dhe në “Initiators” në Athinë.
Komisionere e Pavijonit, që do të hapet më 20 prill për të pritur vizitorë e deri më 24 nëntor 2024, do të jetë kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj.
Tema që do të përfaqësojë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit, që vitin e ardhshëm ka kuratorin brazilian, Adriano Pedrosa, prek edhe temën e përgjithshme të ngjarjes, “Foreigners Everywhere” (Të huaj kudo).
Ky titull i shkoi fort për shtati edhe përfaqësimit të Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës. Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorri qe dyshja e cila në pavijonin e tyre “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 – lokaliteti transcendent) mori në trajtim ndikimin e emigrantëve në zhvillimin e vendeve të tyre të lindjes. Dyshja nëpërmjet instalacionit ka trajtuar transcendencën jo veç si term filozofik, por edhe në rrafshin praktik.
Sa i përket përfaqësimit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia, gjithçka kishte filluar më 2013. Asokohe Petrit Halilaj kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti, me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër). Më 2017 ishte Sislej Xhafa, me veprën “Lost and Found”, një thirrje e fuqishme për fatin e të zhdukurve gjatë luftës. Me histori lufte, Kosova ishte përfaqësuar edhe më 2019-n nga Alban Muja, me “Family Album” (Albumi familjar). Vitin e kaluar, Jakup Ferri temës së përcaktuar nga Bienalja do t’i përgjigjej me “Monumentalitetin e përditshmërisë”.