Kulturë

“Kosova në tinguj” sjell traditën e këngës shqipe në petkun e operës

“Kosova në tinguj”

Salla ka qenë plot në koncertin “Kosova në tinguj” dhe ky është imazhi i ngjarjeve që organizon Opera e Kosovës që nga debutimi i institucionit me operën “La Traviata” në dhjetor të 2022-s. Dirigjuar prej maestro Edon Ramadanit, koncerti ka qenë shpalosje e traditës muzikore shqiptare (Foto: Opera/Ministria e Kulturës)

Koncerti i Orkestrës Harkore të Operës së Kosovës u ka dhënë tjetër peshë veprave pa të cilat s’mund të shkruhet historia e muzikës shqipe. Dirigjuar prej maestros Edon Ramadani me soliste sopranot Adelina Paloja, Besa Llugiqi dhe Zana Abazi – Ramadani, programi i tillë në këtë format është shfaqur për herë të parë dhe ngjarje si këto konsiderohen si nxitëse për pasurimin e literaturës së këngës shqipe

Improvizimet në koncertet e Operës së Kosovës e shpalosin përherë ekzistencën e institucionit pa shtëpi. Kapitulli i radhës ka qenë “përshtatja” e atij që është kthyer në Amfiteatër i Teatrit Kombëtar të Kosovës. Njashtu edhe në formacion. Ansamblit të përkohshëm të instrumentistëve që ishte zgjedhur për operën “Goca e Kaçanikut” i janë bashkuar ata të Filharmonisë së Kosovës. 

Vetë programi që i jep zë institucionit që do të duhej t’i dedikohej prodhimit të veprave që vijnë në formën më madhore të kompozimit klasik. Në vend të kësaj, koncerti “Kosova në tinguj” i Orkestrës Harkore të Operës ka qenë kontrasti. Profesionalizmi dhe talenti i trupës që janë prezantuar ka qenë maskimi i “të metave” të institucionit. 

Salla ka qenë plot në koncertin e së enjtes mbrëma dhe ky është imazhi i ngjarjeve që organizon Opera e Kosovës që nga debutimi i institucionit me operën “La Traviata” në dhjetor të 2022-s. 
Introja e koncertit ka qenë pjesa “Loja” e Valton Beqirit që është koha e katërt nga vepra “Shpirti i traditës”. Vepra në përgjithësi ka për temë zhvillimet historike ndërsa “Loja” i tejkalon ato. 

Ka nisur me dinamizmin e violinave që ka ardhur si kronologji prej pikës më të ulët deri tek ajo më e larta. Bashkë me tupanin ia ka shtuar dozën. Derisa tingujt e harkorëve nxirren me gishtërinj, njëra violinë zhvillon një ngjarje dramatike. Tupani i jep një ngjyrë tradicionale në kontrast me pjesën tjetër të instrumenteve.

Loja shumë dinamike e serioze me ritmet autentike popullore i jep tjetër kahe kësaj pjese. 
Kur është hapur programi i këngëve, Orkestrës i është bashkuar sopranoja Besa Llugiqi me këngën “Asaman”. Në version operistik ka sjellë edhe këngët “Lamtumirë” të Muharrem Qenës e “Agimet shqiptare” të Avni Mulës. 

Në zbërthim të xhevahireve të këngës popullore shqipe, sopranoja Adelina Paloja ka interpretuar “Pranvera filloi me ardhë” të Tonin Harapit, “E kujtoj atë takim” të Pranvera Badivukut dhe “Mallëngjimi” të Rashid Krasniqit. 

Paloja ka thënë se këto këngë janë sjellë nëpërmjet qasjes profesionale. 

“Ka qenë kënaqësi e jashtëzakonshme, një publik që mori nga emocionet e sontme, për të cilin përherë me kënaqësi rikthehem të interpretoj e veçanërisht sonte ku i gjithë repertori i ndërtuar për këtë koncert ka qenë nga veprat tona shqiptare, këngët tona me muzikë të lehtë, të risjella në një variant tjetër, të trajtuara me kultivim profesional”, ka thënë sopranoja Paloja. 

Koncerti “Kosova në tinguj” është organizuar me rastin e Kongresit Vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve e cila për herë të parë është mbajtur në Prishtinë, ku ka mbledhur rreth 100 gazetarë e delegatë nga Evropa (Foto: Opera/Ministria e Kulturës)

Koncerti i Operës vjen si aktivitet i parë prej premierës të shkurtit të sivjetmë të operës “Goca e Kaçanikut” të Rauf Dhomit në të cilin Paloja mbante rolin e personazhit kryesor, Pafikës.  

“Është posaçërisht kënaqësi më e madhe kur bashkëpunimi me institucionin e Operës së Kosovës vjen pikërisht pas një suksesi absolut nga opera ‘Goca e Kaçanikut’ ku isha protagonistja në rolin titullar. Andaj, sonte pata kënaqësi të veçantë me dirigjentin Ramadani dhe koleget e nderuara dhe orkestrën, e cila çdoherë e më me siguri e interpreton repertorin jo vetëm kombëtar, por edhe atë botëror”, ka thënë ajo. 

Entuziazmi i publikut dhe përcjellja me duartrokitje pas çdo kënge ka qenë pasqyra e ruajtjes së vlerave të traditës shqiptare. Me zërin operistik, sopranoja Zana Abazi-Ramadani e ka theksuar më tej gjurmimin nëpër këngët e bukura shqipe. Ka interpretuar këngën tradicionale “O moj bukuroshe”, “Me lule t’bukura” nga Tish Daija dhe “Kroi i fshatit tonë” të Kristo Konos. 

Fjalët e fundit të secilës këngë kanë qenë hapësira për të prekur notat e larta në vokal. 

Si solist ka luajtur klarinetisti Jon Rrecaj në këngën “Sa bukur na ka dal’ nusja” të Thoma Simakut.

Ansamblit të harkorëve i ka shtuar ngjyra popullore asaj që ngjan se vjen si vijë melodike popullore në format klasik. 

Po të njëjtën frymë e ka sjellë edhe Gent Hoxha në ‘Bareshën” e Rexho Mulliqi. E ka nisur me fyell dhe e ka përfunduar me çifteli nën përcjelljen e harkorëve si dy instrumente të pazakonta në një ngjarje të institucionit të Operës. 

“Është një kënaqësi e veçantë që sot i kemi futur instrumentet tradicionale folklorike me një pjesë të orkestrës së Operës që është themeluar tash vonë në Kosovë, duke e falënderuar maestron Edon Ramadani. Në qoftë se kjo vepër sot ka tingëlluar mirë, të mos tingëllojë shumë modest, por ka qenë falë tingujve që i ka muzika jonë tradicionale dhe falë instrumenteve që sot kanë jehuar në këtë sallë”, ka thënë Hoxha. 

Krejt në fund është interpretuar “Valsi i lumturisë”, ku tri sopranot kanë bashkuar zërat në perlën e muzikës shqipe. Madhështore e ka bërë përcjellja e orkestrës me muzikë e udhëhequr nga Edon Ramadanit. 

Ka thënë se programi i tillë në këtë format është shfaqur për herë të parë. Sipas tij këto ngjarje nxisin pasurimin e literaturës së këngës shqipe. 

“Besoj që në këtë format, por me një orkestër kaq të madhe, një program i tillë mund të jetë shfaqur për herë të parë. Do të mundohemi ta pasurojmë më shumë repertorin e muzikës tonë me orkestrime dhe aranzhime për formacione të tilla që ta kemi të mundur ta prezantojmë kulturën tonë sa më mirë që është e mundur”, ka thënë dirigjenti e kompozitori Edon Ramadani. 

Në lojën e Orkestrës Harkore të Operës së Kosovës janë inkuadruar edhe instrumente tradicionale si çiftelia e fyelli që i janë përshtatur me elegancë repertorit të veprave të muzikës shqipe (Foto: Opera/Ministria e Kulturës)

Koncerti “Kosova në tinguj” është organizuar me rastin e Kongresit Vjetor të Federatës Evropiane të Gazetarëve e cila për herë të parë është mbajtur në Prishtinë ku ka mbledhur rreth 100 gazetarë e delegatë nga Evropa. 

Dirigjenti Ramadani ka thënë se me koncertin është synuar që para mysafirëve të huaj të prezantohet kultura muzikore shqiptare. 

“Opera e Kosovës e ka dhënë këtë ide për ta bërë një koncert ku do të mund të prezantonim kulturën tonë muzikore. Shumë mirë që erdhi ky rast, erdhën gazetarët dhe ne i ndezëm motorët pak më shumë dhe mblodhëm orkestrimet që kishim deri tash, që kryesisht ishin të profesorit Valton Beqiri dhe të miat”, ka thënë Ramadani. 

Kompozitori Valton Beqiri ka thënë se orkestrimi i këngëve shqip është sfidë më vete për shkak të intencave për të provuar diçka të re që i jep freski asaj pjese. Ka thënë se literatura e muzikës shqipe ka nevojë për t’u zgjeruar edhe në të tjera formacione. 

“Jo vetëm për këtë formacion të orkestrës harkore, literatura jonë muzikore ka nevojë për orkestrime edhe me orkestër më të madhe, për kor e orkestër të veprave të ndryshme, të cilat po ashtu i kam orkestruar më parë. Besoj se në të ardhmen kërkesat e tilla motivojnë krijuesit dhe mbase do të ketë kërkesa edhe nga Filharmonia e Shoqata e Kompozitorëve të Kosovës që të punohet dhe të rritet fondi i literaturës për formacione të ndryshme orkestrale”, ka thënë Beqiri.