Në 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së dhe 15-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka sjellë ekspozitën e cila tek rikthen ballina të shtypit e libra që dokumentojnë tri dekada të historisë së re, lidh të kaluarën, të tashmen e të ardhmen e vendit. Është një rrëfim për sfidat e sakrificat në ndërtimin e demokracisë në Kosovë
“Në Paris filloi Konferenca Ndërkombëtare për Kosovën”, “Duke pritur NATO-n”, “Forcat e NATO-s filluan sulmet”, “Dita kur Kosovës iu kthye krenaria”, “Kosova humbi presidentin në finale të pavarësisë”, janë vetëm disa prej titujve të gazetave “KOHA Ditore”, “Rilindja”, “Bujku”, “Kosova Sot”, “Express” dhe “Zëri” të cilat me ekspozitën “Kosova – më shumë se një rrëfim” përthekojnë një kapitull historie të vendit. Janë vitet e kthesave të mëdha. Të tridhjetë e katër titujt përfshijnë një periudhë mbi tridhjetëvjeçare, që nis në vitin 1990 e deri në ditët e sotme. Pjesë e ekspozitës janë edhe disa libra që rrokin këtë periudhë historike. Si gazetat, ashtu edhe librat e ekspozuar janë pjesë e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës ku edhe është hapur ekspozita të mërkurën.
Në shënim të dy përvjetorëve jubilarë, 25-vjetorit të Epopesë së UÇK-së dhe 15-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, BKK-ja, si institucioni më i lartë i librit në vend, ka vendosur ta sjellë këtë ekspozitë duke shpalosur një pjesë prej arkivit. Të reprodukuara në një format më të madh se ai i zakonshmi, faqet e gazetave zënë pjesën rrethore të hollit të Bibliotekës, ndërsa librat gjenden brenda rafteve prej xhami, të vendosur në mes të hollit.
Historia që shpalosin gazetat nis në vitin 1990, atëherë kur në Kosovë po jepeshin shenja të forta të fillimit të luftës. Rrugëtimi nëpër kryetituj, tituj e nëntituj të ndryshëm, shkon deri në ditët e sotme, ku paraqiten edhe disa nga sukseset e shqiptarëve të Kosovës së pasluftës, si filmi “Shok” që e ka futur Kosovën në historinë e çmimeve “Oscar” apo medaljen e parë olimpike që arrin ta marrë Kosova nëpërmjet xhudistes Majlinda Kelmendi.
“Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, “Filozofia e një rezistence paqësore” të Fehmi Baftiut, “Lindja e një demokracie” të Jacques Baudouin, “1 tetori i kthesës” nga Bujar Dugolli, “Të vërteta për Kosovën” nga Esat Stavileci e Pajazit Nushi, janë vetëm disa nga librat që Biblioteka ka ekspozuar. Nëpërmjet ekspozitës Biblioteka synon “të shpërfaqë luftën e shqiptarëve për liri dhe pavarësi, si dhe sfidat e sakrificat për ndërtimin e demokracisë në Kosovë”.
Drejtori i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Fazli Gajraku, ka thënë se një ekspozitë e tillë ndihmon në rikujtimin dhe shikimin e këtyre ngjarjeve nga një perspektivë e re e cila lidhet me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
“Duke parë dhe lexuar ngjarjet nga historia moderne e Kosovës e viteve ‘90 të shekullit 20 – një dekadë e rezistencës paqësore (politike dhe civile) e shqiptarëve të Kosovës kundër regjimit brutal dhe mizor të Serbisë dhe, në vijim, dy dekadat e para të shekullit 21, që konsiderohen si dekada të një momenti historik të Kosovës pas lirisë dhe pavarësisë së saj, mund të evokohen përsëri në dritën e një sfondi të ri të relacioneve ndërmjet të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes sonë”, ka thënë Gajraku.
Në fund të fjalimit të tij, Gajraku ka folur edhe për idenë dhe qëllimin e hapjes së ekspozitës “Kosova – më shumë se një rrëfim.
“Ekspozita ka për synim të mundësojë një hulumtim bibliografik, nga i cili më pas do të pasojë mbledhja, dokumentimi dhe publikimi i materialeve të rëndësishme që evidentojnë ngjarje themelore të historisë politike, arsimore, kulturore, sociale të Kosovës. Të sensibilizojë institucionet e trashëgimisë kulturore të Kosovës për të mbledhur, ruajtur dhe promovuat dokumente të kësaj periudhe të trashëgimisë. Të rikujtojë ngjarje dhe histori, siç është fjala për këtë periudhë, që kanë tendencë të mbeten në margjinat e kujtesës sonë, si dhe të interesimit për ta lexuar dhe studiuar si dhe të forcojë më tej kapacitetet e hulumtimit në kuadër të zhvillimit të Qendrës së Kujtesës së Kosovës në bibliotekën kombëtare të Kosovës ‘Pjetër Bogdani’”, ka shpjeguar Gajraku.
I pranishëm në hapjen e kësaj ekspozite qe edhe zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Feim Hoxha.
“Kjo formë e ekspozimit të artikujve të gazetave dhe librave është një ftesë për t’i njohur dhe për t’i rikujtuar sakrificat dhe sfidat për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe të afirmimit të ndërgjegjes demokratike dhe patriotike të shoqërisë së Kosovës, që mund të lexohet nëpërmjet një pamjeje më të gjerë të rezistencës paqësore, të pajtimit kombëtar, të mënyrës së mbijetesës institucionale, të solidaritetit, të luftës për liri, të rolit të diplomacisë ndërkombëtare dhe ndërhyrjes së saj për të shpëtuar popullin e pafajshëm, dhe të ndërtimit të sistemit shtetëror demokratik”, ka thënë Hoxha.
Ndërkohë, zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Arbër Vokrri, ka thënë se kjo ekspozitë e ktheu në kohë duke ia rifreskuar disa nga ngjarjet e së kaluarës.
“Derisa duke shikuar me radhë ballinat e shtypit, ende pa i lexuar titujt mendova se sa keq që nuk kemi tash gazeta të shtypura si më herët. Mandej duke u thelluar në titujt e këtyre gazetave, përveç sjelljes së këtyre ngjarjeve e rifreskova raportin që kam me secilën prej tyre. Domethënë ne jemi një brez që kemi përjetuar më shumë sesa gjeneratat tona të popujve të tjerë. Por duhet ta kemi parasysh që kjo është pasuri dhe nder që na jep më shumë kurajë po ta shohim të kaluarën”, është shprehur Vokrri.
Ekspozita “Kosova – më shumë se një rrëfim” do të qëndrojë e hapur për një javë.