“Vetëm 1 është kthyer n’shpi”, është konstatimi në formë thirrjeje me të cilën mbyllet katalogu 104-faqësh mbi ekspozitën arkeologjike “Dardania Antike”, që u përurua pasditen e së premtes. Në ceremoninë e përurimit – në praninë e përfaqësuesve të huaj diplomatikë, si dhe zyrtarëve të KFOR-it – katalogu është vlerësuar si një narrativë e vyer për pasuritë arkeologjike të vendit, por edhe si një përkujtues për fatin e artefakteve të marra nga Serbia nën rrethanat e pushtimit. Kryeministri Kurti, teksa moskthimin e artefakteve e ka cilësuar si shkelje konventash ndërkombëtare, ka thënë se për këtë çështje mund t’u drejtohen edhe institucioneve gjyqësore po qe nevoja
Në vitet e para të pasluftës, administrata ndërkombëtare në Kosovë po e shtynte me gjysmë zëri kërkesën për rikthimin e artefakteve që Serbia i kishte grabitur nga fondet e Muzeut Kombëtar të Kosovës. Pas bisedimeve, në të shumtën e rasteve shterpe, kreu i asokohshëm i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), Michael Steiner, kishte arritur të kthente nga Beogradi “Hyjneshën në fron”, figurinën prej terrakote e vjetër 6 mijë vjet. E qindra të tjera vazhdojnë sot e gjithë ditën të qëndrojnë në muzetë në Beograd.
“Vetëm 1 është kthyer n’shpi”, është konstatimi në formë thirrjeje me të cilën mbyllet katalogu 104-faqësh mbi ekspozitën arkeologjike “Dardania Antike”, që u përurua pasditen e së premtes. Në vitrinën me beze të kaltër është ekspozuar edhe “Hyjnesha në fron”, e cila rëndom nuk zë vend në ekspozitë. E po aty, edhe libri i reversëve për 1.247 artefakte arkeologjike e etnologjike që mbahen në Serbi.
“Dardania…”, botim i përbashkët i MKRS-së dhe Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK), katalogu me autorë Arben Hajdarin dhe Milot Berishën vjen si narrativë informative e shpjeguese për ekspozitën me të njëjtin titull që ishte përgatitur me rastin e dhjetëvjetëshit të parë jubilar të shtetit të Kosovës.
Si ekspozitë tanimë e përhershme, repertori i saj me artefakte e ekofakte përfshin një hark kohor rreth 8-mijëvjeçar nga epoka e neolitit e gjer në mesjetën e vonë.
“Eksponatet, pasi që janë përzgjedhur nga kuratorët e koleksioneve, një pjesë e tyre janë restauruar e konservuar, ndërsa disa replika plotësojnë boshllëkun e krijuar nga marrja e 676 eksponateve prej Muzeut Kombëtar të Kosovës në vitin 1998 (gjatë luftës) nga Muzeu Kombëtar i Serbisë. Këto eksponate ende nuk janë kthyer pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të institucioneve të Kosovës”, thuhet në parathënien e këtij katalogu.
Në ceremoninë e përurimit – në praninë e përfaqësuesve të huaj diplomatikë, si dhe zyrtarëve të KFOR-it – katalogu është vlerësuar si një narrativë e vyer për pasuritë arkeologjike të vendit, por edhe si një përkujtues për fatin e 676 eksponateve të marra nga Serbia nën rrethanat e pushtimit.
Me një adresim të shkurtër, Ajet Leci, drejtor i MKK-së, ka vlerësuar se ky katalog ka rëndësi për historinë e Kosovës. Sipas tij, një pjesë e eksponateve janë marrë nga pushtuesit serbë gjatë luftës së fundit e nuk janë kthyer më.
“Për këtë arsye, duke u bazuar në dokumentet që posedon, Muzeu Kombëtar i Kosovës më 19 maj të këtij viti u ka bërë kërkesë zyrtare institucioneve të Serbisë që eksponatet arkeologjike të kthehen në vendin e origjinës, sepse po mbahen padrejtësisht në Serbi”, ka thënë Leci, i cili ka treguar se për të njëjtën çështje u janë drejtuar edhe organizatave ndërkombëtare që merren me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.
Canolli: “Një katalog që cyt njohjen objektive”

Profesori i antropologjisë, Arsim Canolli, teksa ka folur për këtë katalog, ka thënë se ekspozitës arkeologjike i është “këputur trupi e shpirti i është lodhur”, ngase një pjesë e madhe e artefakteve mbahen peng në Serbi që prej qershorit të vitit 1999.
“Vetëm një është kthyer në shtëpi. Por kjo duhet të jetë fjala e thirrja kryesore që duhet ta bëjmë çdo ditë derisa Muzeut t’i kthehen ato artefakte”, ka thënë Canolli.
Duke folur për katalogun e sapobotuar, ai ka thënë se në të jepet një narracion kronologjik për mbajtjen e ekspozitës “Dardania Antike” i mbështetur në referenca shkencore, por edhe i adaptuar si tekst për lexuesin e vizitorin e zakonshëm.
“Ekspozita ‘Dardania antike’ paraqet profilin e kulturës iliro-dardane, gjetjet e së cilës janë të pakta, por pikërisht këtu qëndron aspekti grishës i ekspozitës që kërkon përtej gjurmës, shenjës së artefaktit, drejt qytetërimit iliro-dardan nën shtresat e romanizimit e akulturimeve të tjera”, ka thënë Canolli.
Sipas profesorit të antropologjisë, ky katalog nuk është për të shpikur e fantazuar, por për të cytur imagjinatën arkeologjike drejt kërkimit, njohjes e interpretimit objektiv shkencor.
“Katalogu është një kallëzor narratologjik, një libërth që jep informacione edhe më të mëdha sesa jep një ekspozitë”, ka shtuar ai.
Kurti: “Ruajtja e trashëgimisë – detyrim kushtetues”

I pranishëm në përurim ishte edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Teksa ka përshëndetur pjesëmarrësit, ai ka thëne se me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore mirëmbahet kujtesa kolektive, ofrohet ndjenja e përkatësisë, konsolidohet rrjeta e solidaretit dhe ndihmohet zhvillimi i vendit.
“Trashëgimia kulturore është ndër burimet më të fuqishme formative të identitetit”, ka thënë Kurti. “Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë, zhvillon ndjenjën e pronësisë dhe kujdesit ndaj vlerave dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh”.
Kreu i Qeverisë së Kosovës ka përkujtuar se ruajtja e trashëgimisë kulturore mijëvjeçare, si detyrim i përbashkët i shoqërisë bashkëkohore për brezat e ardhshëm, është përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës.
“Sot po promovojmë një pjesë tejet të rëndësishme të kësaj pasurie kulturore të shtetit tonë: trashëgimia jonë arkeologjike paraqet tërësinë e kulturës materiale të krijuar nga njerëzimi në të kaluarën, e cila rrit të kuptuarit tonë për njohjen, strukturën, veprimtarinë dhe kulturën e shoqërive të lashta”.
“Moskthimi i artefakteve – shkelje e konventave”
Ndërsa ka theksuar që ekspozita arkeologjike “Dardania Antike” paraqet një repertor të pasur arkeologjik të një historie 8-mijëvjeçare, kryeministri Kurti ka vënë në dukje se ky thesar arkeologjik vazhdon të jetë i paplotë.
“Mbase pjesa më e rëndësishme e koleksionit tonë arkeologjik nuk gjendet këtu, as në Muzeun Kombëtar, e as në muze të tjerë publikë. Qindra artefakte të koleksionit tonë arkeologjik e qindra të tjera të koleksionit etnografik sot gjenden në muzetë e Beogradit”, ka thënë ai.
Megjithëse kanë kaluar njëzet e tre vjet, ka vijuar ai, një pjesë e rëndësishme e pasurisë kulturore të Kosovës po mbahet padrejtësisht në Serbi. Sipas tij, në gjykimet e Tribunalit të Hagës shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës është cilësuar si krim kundër njerëzimit.
“Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”.
Kryeministri Kurti, në vijim ka nënvizuar që reversët e nënshkruar nuk janë respektuar nga institucionet e Serbisë dhe, sipas tij, “moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës është krim kundër njerëzimit”.
“Prandaj, këtë çështje po e bartim në forume ndërkombëtare, si në ato profesionale e ndërqeveritare, e po ashtu edhe në ato gjyqësore po qe nevoja”, ka shtuar ai.
“Kosova – shembull i të drejtave të komunitetit”
Derisa kohëve të fundit është shpeshtuar debati mbi gjendjen e kishave ortodokse në Kosovë, Kurti ka theksuar se shteti dhe qytetarët e Kosovës kanë dhënë shumë për këtë trashëgimi kulturore në vend.
Sipas tij, deri më tani janë investuar miliona euro në restaurimin e kishave të dëmtuara, kurse për sigurinë e tyre kujdeset një njësit i veçantë brenda Policisë së Kosovës.
“Po bëhen 15 vjet që nuk ka incidente me motive etnike ose fetare në institucionet e kultit. Ato që ndodhin janë raste të vjedhjeve, me përqindje më së paku në kishat ortodokse. Kosova ka një nga sistemet më të përparuara në botë sa i përket mbrojtjes së të drejtave kulturore të komunitetit”, ka thënë midis të tjerash Kurti.
Në minutat në vazhdim është transmetuar një video e shkurtër me disa nga eksponatet që janë vjedhur nga Muzeu Kombëtar i Kosovës e që po mbahet në Beograd. Nëpërmjet katër projektorëve, ku pamjet ndërroheshin herë te njëri e herë te tjetri, sipas Vjollca Aliut, drejtoreshë e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKRS, “është menduar të krijohet një marramendje e qëllimshme” për një pjesë të artefakteve arkeologjike të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Fill pas kësaj, kryeministrit të Kosovës i është dhuruar simbolikisht një replikë simbolike nga gjetjet neolitike të kulturës së Vinçës në Fafos të Mitrovicës.
“Një panoramë ecejakesh”

Në fund të ceremonisë, Arben Hajdari, njëri nga bashkautorët e katalogut, ka thënë se ky narracion muzeologjik synon të bëhet një ndërmjetësues i rëndësishëm mes vizitorëve dhe Muzeut.
“Përpos kësaj, ekspozita e katalogu po e krijojnë një panoramë të ecejakeve që kaloi territori i Kosovës që nga periudha parahistorike e deri në shekullin e 15-të”, ka thënë Hajdari.
Ndryshe, ekspozita arkeologjike “Dardania Antike”, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, është përgatitur me rastin e shënimit të dekadës së parë jubilare të Kosovës së pavarur. E hapur më 23 shkurt të vitit 2018, kjo ekspozitë, deri në fund të atij viti, u vizitua nga plot 30 mijë vizitorë.