Kulturë

Kosova me dy filma garon në Festivalin e Filmit në Sarajevë

“Rrugës”, nën regji të Samir Karahodës dhe “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës janë në garën zyrtare të edicionit të 30-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë

“Rrugës”, nën regji të Samir Karahodës dhe “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës janë në garën zyrtare të edicionit të 30-të të Festivalit të Filmit në Sarajevë

Kinematografia e Kosovës përsërit sukseset e viteve të mëhershme në Festivalin e Filmit në Sarajevë, kur garonte edhe me tre filma sikurse më 2021. Në edicionin e sivjetmë, në garë ka “Rrugës” të Samir Karahodës dhe “Si e verdhë e sëmurë” të Norika Sefës. I pari garon në kategorinë e filmit të shkurtër, i dyti në atë të filmit dokumentar. Festivali i Sarajevës të enjten ka publikuar listën e filmave garues e jashtë garës. Jashtë garës shfaqet edhe dokumentari për aktorin e madh Bekim Fehmiu, nën regji të Valmir Tertinit, i cili përfaqësohet si produksion i Shqipërisë

Emri i Kosovës tashmë është bërë i patejkalueshëm në ngjarjet madhore të filmit. E, në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë garon me dy filma: “Rrugës”, nën regji të Samir Karahodës dhe “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës janë në garën zyrtare të njërës prej ngjarjeve më të njohura të filmit në rajon. 

I pari garon në kategorinë e filmit të shkurtër, i dyti në atë të filmit dokumentar. Festivali i Sarajevës të enjten ka publikuar listën e filmave garues e jashtë garës. Sivjet prej 16 deri më 23 gusht mban edicionin jubilar, të 30-tin. Por, dyshja e filmave konkurrentë nuk ndalet me kaq. Jashtë garës shfaqet edhe dokumentari për aktorin e madh Bekim Fehmiu, nën regji të Valmir Tertinit, i cili përfaqësohet si produksion i Shqipërisë. 

“Zemra e Sarajevës” është çmimi kryesor i festivalit e për të konkurrojnë 54 filma në kategoritë garuese. Në kategorinë për filmin më të mirë të shkurtër, ku është “Rrugës”, janë edhe 11 filma të tjerë. Jepet premierë rajonale. Dokumentari “Si e verdhë e sëmurë” garon edhe me 20 të tjerë. Po në këtë kategori është edhe “Bekim Fehmiu” jashtë garës. 

Gara në Festivalin e Filmit në Sarajevë ka peshë veçmas në kategorinë e filmit të shkurtër. Fituesi i “Zemrës së Sarajevës” kualifikohet për nominim për çmimin “Oscar”, sikurse bëhet kandidat direkt për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit i njohur edhe si “Oscar” evropian. 

Sarajeva është stacioni i radhës për “Rrugës” pas premierës botërore dhe historike në Festivalin e Filmit në Cannes, ku garoi për “Palmën e Artë” në majin e sivjetmë. 

Në 15 minuta, filmi për të cilin Samir Karahoda ka shkruar edhe skenarin tok me të birin Miron Karahoda, që ka rol në film, gjatë një udhëtimi me makinë një fëmijë e babai i tij bëjnë muhabet kompleks duke ofruar qartë realitetin me të cilin përballet shoqëria e sotme kosovare. Bëhet fjalë për babë e bir që janë rrugës për në aeroport për të marrë një dhuratë që vjen nga kumbari i djalit. Midis pengesash burokratike me pak a hiç shpresë për ndryshime politike e sociale në vend, ata gjejnë rehati dhe forcë në optimizmin e tyre të përbashkët për të ardhmen. 

Emri i Samir Karahodës nuk është i panjohur për Festivalin e Sarajevës ashtu sikurse edhe kinematografia e Kosovës në përgjithësi. Karahoda rikthehet aty për të tretën herë. Ka garuar e marrë çmime me “Në mes” më 2019 sikurse edhe me “Pa vend” më 2021. 

“Është një lajm i bukur që kthehem për herë të tretë në Sarajevë dhe të jem pjesë e një konkurrence jashtëzakonisht të fortë në mesin e 12 filmave me regjisorë premtues të regjionit”, ka thënë Karahoda në një prononcim për KOHËN. Producentja nga Rumania, Anamaria Antoci, Flora Anna Buda, regjisore nga Hungaria dhe Burak Çevik, regjisor e producent nga Turqia, përbëjnë treshen e Jurisë së kategorisë për film të shkurtër. 

Karahoda ka thënë se kjo është një mundësi e mirë për promovimin e kinematografisë së Kosovës 
“E po ashtu për krijimin e lidhjeve të reja me kolegë nga regjioni. Jemi të lumtur që edhe filmi ‘Rrugës’ po e ka një rrugëtim si filmat e kaluar dhe ftesat vazhdojnë të vijnë pandërprerë”, ka thënë Karahoda. Pas Cannes, “Rrugës...” është ndalur edhe në Villa Do Conde në Portugali dhe në Guanajuoto në Meksikë. 

“Po ashtu gjatë muajit gusht do t’i ketë edhe katër pjesëmarrje në vende të ndryshme të botës”, ka thënë ai pa i zbuluar stacionet e radhës. “Si e verdhë e sëmurë” kishte premierën sivjet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam. Dokumentari i Norika Sefës merret me të kaluarën. Videokasetat familjare janë subjekt i këtij projekti. Është një thurje nga materialet arkivore të videokasetave të tregimeve familjare që nuk janë më. Regjisorja Sefa me “Si e verdhë e sëmurë” në janar ishte rikthyer pas dy vjetëve në konkurrencën e Festivalit të Rotterdamit. Gjatë vitit 2021 me “Në kërkim të Venerës” filmi bëri histori duke u bërë projekti i parë nga Kosova që u përfshi në garën zyrtare të këtij festivali. Suksesin e vulosi duke u bërë po ashtu filmi i parë kosovar i shpërblyer në këtë ngjarje, me çmimin special të jurisë në kategorinë “Tiger Competition”. Kurse në janar Sefa në edicionin e 53-të të festivalit në qytetin holandez u shpalosën historitë magjepsëse nga video-kasetat. 

Tash, “Si e verdhë....” është rikthim për të edhe në Festivalin e Filmit në Sarajevë kur mori edhe çmimin me “Në kërkim të Venerës” më 2021. Ishte viti kur Kosova shënoi sukses të trefishtë. Flaka Latifi, Era Balaj dhe Uratë Shabani, tri aktoret e filmit “Luaneshat e Kodrës”, nën regji të Luana Bajramit, rrëmbyen “Zemrën e Sarajevës” si aktoret më të mira. Përderisa filmi “Në kërkim të Venerës” mori Çmimin Special (Çmimin për promovimin e barazisë gjinore) e filmi i shkurtër “Pa vend” i Samir Karahodës mori mirënjohje speciale nga juria e kategorisë së filmave të shkurtër.

Norika Sefa ka një lidhje të veçantë me Festivalin e Filmit në Sarajevë. 

“Ka ndjekur disi hapat e mi prej shumë herët dhe e ka përkrahur punën time. Ne ishim me filmin ‘Në kërkim të Venerës’, u shpërblyem me çmimin, ‘Special Award for Promoting Gender Equality’, në vitin 2021”, ka thënë ajo për KOHËN, të enjten mbrëma. Ka folur për peshën e pjesëmarrjes. 

“Është shumë ndjenjë e mirë, ky është një event i rëndësishëm, ngase është festival i frekuentuar nga shumë njerëz, ata që e vizitojnë, sidomos njerëz të industrisë presin të shohin diçka të veçantë nga regjioni, meqenëse ky është edhe fokusi i Sarajevës. Mua po më gëzon fakti që audienca e ‘Like a Sick Yellow’ po rritet, e për më tepër që është një storie e cila do të rezonojë shumë afër me njerëzit e atij vendi, një ngjarje që e njohin por e shpjeguar dhe prezantuar me një formë eksperimentale. Uroj që ka me provoku diçka të re”, ka thënë ajo. 

Prania e filmit të Kosovës në Festivalin e Filmit në Sarajevë qe fuqizuar më 2020, kur “Zemra e Sarajevës” iu akordua për herë të parë një kineasti nga Kosova. Sipas jurisë, filmi “Exil”, nën regjinë e Visar Morinës, u shpall fitues i çmimit kryesor që bashkëfinancohet edhe nga Asociacioni i Turizmit në kantonin e Sarajevës. “Exil” nuk ishte i vetmi: në garën kryesore, atë të filmit më të mirë, debutoi regjisorja More Raça me filmin e metrazhit të gjatë “Galaktika e Andromedës”; filmi “Vera andrron detin” nën regji të Kaltrina Krasniqit në programin “Cinelink – Work in Progress”, si dhe filmi i Antoneta Kastratit “Zana” në programin jogarues “In Focus”.

Festivali i Filmit në Sarajevë cilësohet si eventi më i madh i filmit në Evropën Juglindore dhe një prej më të mëdhenjve në Evropë. Historia e tij nisi më 1995, pikërisht kur Sarajeva mbahej e rrethuar nga forcat ushtarake serbe.

Edhe në një situatë të rëndë lufte, edicioni i parë me filma nga 15 vende të botës ishte përcjellë nga 15 mijë njerëz. Festivali tash zë vend në Teatrin Kombëtar të Sarajevës, përballë të cilit ndodhet sheshi i festivalit ku shtrohet tepihu i kuq. Shfaqjet e filmave mbahen në “Metalac”, Qendrën Kulturore Boshnjake, si dhe në pesë kinema të tjera dhe lokacione projeksioni gjithandej kryeqytetit. Në tepihun e kuq të Festivalit të Sarajevës kanë parakaluar edhe yje të njohur të botës së filmit si: Angelina Jolie, Brad Pitt, Robert De Niro, Orlando Bloom, Morgan Freeman, Gerard Depardieu, Benicio del Toro, e të tjerë.