Nëpërmjet letrës, drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës ia ka bërë të ditur Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve se Serbia e ka detyrim që Kosovës t’ia kthejë artefaktet që i janë marrë në vitet 1998-1999. “Marrëveshjet e nënshkruara midis institucioneve respektive sqarojnë se artefaktet janë bartur me qëllim të një ekspozite të përkohshme dhe duhet të kthehen në vendin e origjinës, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, të cilit i takojnë”, shkruhet ndër të tjerash në letrën dërguar organizatës, e cila bashkëpunon ngushtë me UNESCO-n. Një letër e tillë pason atë që MKK-ja ua kishte drejtuar tri institucioneve në Serbi. Për profesionistë të trashëgimisë kulturore, është e drejtë legale dhe legjitime e Kosovës që ta kërkojë kthimin e pakushtëzuar të eksponateve arkeologjike dhe etnografike nga Serbia
Pas kërkesave zyrtare në drejtim të institucioneve në Serbi, Kosova ka bërë edhe një tjetër hap në raport me artefaktet që i mban shteti serb tash e më shumë se dy dekada. Muzeu Kombëtar i Kosovës i është adresuar Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve (ICOM). Ka kërkuar që çështja e 1247 artefakteve arkeologjike dhe etnografike të marrë zgjidhjen që përcakton dokumentacioni bazik e konventat ndërkombëtare.
Kjo letër është dërguar pa u bërë një muaj prej se drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Ajet Leci, u është drejtuar Muzeut Kombëtar në Beograd, Muzeut Etnografik të Beogradit dhe Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.
Sikurse institucioneve serbe, edhe Këshillit Ndërkombëtar të Muzeve i është sqaruar se në bazë të reversëve, konventave ndërkombëtare dhe Planit të Ahtisaarit, artefaktet që prej viteve 1998-1999 mbahen në Beograd duhet të kthehen në Kosovë.
Në letrën e protokolluar në ditën e 15-të të këtij muaji, drejtori i MKK-së, Ajet Leci, ka vënë në dijeni kryetarin e Bordit Ekzekutiv të ICOM-it, Alberto Garlandini, dhe drejtorin gjeneral, Peter Keller, se Muzeu Kombëtar i Kosovës është duke e vazhduar betejën për kthimin e artefakteve që gjenden në muzetë e Serbisë. Në letrën për organizatën e themeluar më 1946, me seli në Paris, shkruhet se artefaktet janë marrë me qëllim të një ekspozimi të përkohshëm dhe Serbia obligohet ta bëjë kthimin e tyre.
“Marrëveshjet e nënshkruara midis institucioneve respektive sqarojnë se artefaktet janë bartur me qëllim të një ekspozite të përkohshme dhe duhet të kthehen në vendin e origjinës, në Muzeun Kombëtar të Kosovës, të cilit i takojnë”, shkruhet në letrën dërguar organizatës, e cila bashkëpunon ngushtë me UNESCO-n dhe ka anëtarë nga 141 vende të botës. MKK-ja është anëtare prej vitit 2016.
Si bazë e rëndësishme për kthimin e artefakteve përmendet Konventa e UNESCO-s për Mjetet e Ndalimit dhe të Parandalimit të Importit, Eksportit dhe Transferimit të Paligjshëm të Pronësisë së Pasurisë Kulturore. Aty ceket se Serbia e ka ratifikuar këtë konventë. Plani i Ahtisaarit është argumenti i tretë.
“Nëpërmjet kësaj letre, ne ju lusim të na mbështesni për ta adresuar këtë çështje në forumet respektive dhe të nxisni Serbinë dhe institucionet përkatëse muzeore që të iniciojnë procesin e kthimit”, shkruhet në letër. Aty bëhet e ditur se Kosova u është drejtuar edhe institucioneve serbe për këtë çështje.
Një ditë pas 18 majit, kur është shënuar Dita Ndërkombëtare e Muzeve, kishte qenë po drejtori i Muzeut Kombëtar të Kosovës që u ishte drejtuar Bojana Boriq–Breshkoviqit, drejtoreshë e Muzeut Kombëtar në Beograd, Tijana Çolak–Antiq Popoviqit, drejtoreshë e Muzeut Etnografik të Beogradit, dhe Vladimir Kostiqit, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve në Serbi.
Por, këto institucione, deri të enjten e kësaj jave, nuk i janë përgjigjur letrës së MKK-së.
Para se të flasin këto institucione, ka folur Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi, që udhëhiqet nga ministrja Maja Gojkoviq. Dy ditë pas publikimit të letrave, kjo ministri ka bërë të ditur se “lidhur me kërkesën e institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë për ‘kthimin e artefakteve’, Ministria e Kulturës dhe Informacionit thekson se ky është padyshim një tjetër keqpërdorim në serinë e abuzimit të kulturës për të promovuar pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës dhe Metohisë dhe fabrikim i legjitimitetit të rremë të institucioneve”.
“Në kontekstin kur në rrafshin ndërkombëtar qartazi dihet për rrezikimin e trashëgimisë kulturore në hapësirën e Kosovës e Metohisë, prej shkatërrimit të organizuar e sulmeve vandale në objektet fetare e kulturore e deri te projektet infrastrukturore në funksion të cenimit të trashëgimisë kulturore që zgjat me dekada, kërkesat e institucioneve të përkohshme në Prishtinë janë ekskluzivisht në funksion të tërheqjes së vëmendjes nga rrezikimi i trashëgimisë kulturore dhe krijimit të iluzionit për kujdes ndaj saj”, shkruhej në komunikatën e kësaj ministrie.
Por, sipas profesionistëve të trashëgimisë kulturore, Kosova duhet ta vazhdojë betejën për artefakte. Letra drejtuar ICOM-it është parë si hap pozitiv.
Arkeologu Milot Berisha, udhëheqës i punimeve në Parkun arkeologjik dhe lokalitetin e Ulpianës, ka thënë se është e drejtë legale dhe legjitime e institucioneve të Republikës së Kosovës që të kërkojë kthimin e pakushtëzuar të eksponateve arkeologjike dhe etnografike nga Serbia në Muzeun Qendror të Kosovës.
“Andaj, riatdhesimi i koleksioneve në fjalë, në vendin e origjinës, është dhe duhet të jetë kauzë e padiskutueshme dhe e panegociueshme e diplomacisë tonë kulturore, sepse këto objekte të luajtshme fizike, që kanë statusin e artefakteve arkeologjike e etnografike, janë pronë kulturore e pasurore e Kosovës”, ka thënë ai të enjten. Ka përmendur reversët, konventat ndërkombëtare dhe një sërë faktesh që kthimin e artefakteve e bëjnë të detyrueshëm për Serbinë.
“Për më tepër, mbështetur nga të gjitha aktet, normat dhe konventat ndërkombëtare, nëse eksponatet e trashëgimisë kulturore i takojnë një grupi ose shoqërie që janë marrë nga një grup tjetër dhe nuk kthehen në muzetë amë, atëherë ato ligjërisht trajtohen si në një akt plaçkitjeje, grabitjeje apo pengmarrjeje, qoftë në kontekstin e imperializmit, kolonializmit, aparteidit, konfliktit të armatosur apo luftës, dhe mund të shihet edhe si gjenocid kulturor”, ka thënë ai.
Përtej profesionistëve e udhëheqësve të institucioneve të trashëgimisë kulturore, Kosova ka treguar edhe gatishmëri në nivel qeveritar për kthimin e artefakteve.
Në të njëjtën ditë kur institucioneve serbe u është nisur letra nga Muzeu Kombëtar i Kosovës, atyre u dërguar një tjetër letër e përbashkët nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla–Schwarz. Letra e dyshes ishte përcjellëse dhe mbështetëse për letrën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës.
Dyshja ka shkruar se në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës ofrojnë mbështetje të plotë për angazhimin dhe kërkesën e Ajet Lecit, drejtor i MKK-së, për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnografik nga Serbia në Kosovë.
Nga 1247 artefakte sa përmenden në letra, të cilat i mban Serbia, vetëm artefakti i kohës së neolitit “Hyjnesha në fron” i është kthyer Kosovës në vitin 2002, me ndërmjetësimin e kryeadministratorit të Kosovës në atë kohë, Michael Steiner.
Politika kosovare deri tash nuk ka arritur ta bëjë ndonjë hap konkret në raport me kthimin e artefakteve.
Prej vitit 2011, prej se mbahen ato që janë quajtur bisedime teknike midis Kosovës e Serbisë në Bruksel, kjo dhe çështje të tjera që lidhen me trashëgiminë kulturore kanë qenë temë e një raundi të vetëm. Madje, pala kosovare atë vit kishte thënë se pala serbe me fjalë kishte treguar gatishmëri për kthimin e artefakteve.
Edita Tahiri, ish-kryenegociatore e palës kosovare në bisedime, kishte thënë se Kosova ka dërguar në Bruksel edhe këtë çështje si nevojë për të biseduar, por në agjendë nuk është futur. Sipas Tahirit, në vitin 2011 – kur ka filluar dialogu teknik – një prej çështjeve që ka qenë në agjendë me Serbinë ishte edhe kompensimi i dëmeve të luftës që ka bërë Serbia në Kosovë në fushën e trashëgimisë kulturore. Asokohe, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i kishte dorëzuar asaj platformën dhe strategjinë e bisedimeve sa i përket trashëgimisë kulturore. Në njërin prej raundeve të bisedimeve, palën kosovare e ka shoqëruar edhe delegacioni i MKRS-së. Ishte kërkuar edhe kthimi i artefakteve.
“Është parë një gatishmëri ndoshta më tepër retorike sesa ndonjë seriozitet”, kishte thënë Tahiri.
E më 2014, Kosova kishte përgatitur një skemë të temave për të cilat do të diskutohej në të ardhmen. Aty bënte pjesë edhe kthimi i artefakteve. Por, propozimet nuk kishin hyrë kurrë në agjendën e dialogut të zhvilluar me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.