Kulturë

Kosova ende larg mbrojtjes së të drejtave të autorit

Te drejtat e autorit

Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta numëron më shumë se një dekadë. Me të rregullohet mbrojtja e të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike, rregullohet statusi i Task-Forcës kundër piratërisë dhe ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi e gjykatat

“Pronësia intelektuale dhe muzika: Ndjeje ritmin e pronësisë intelektuale” ka qenë tema e sivjetme e konferencës me të cilën është shënuar dita që i dedikohet mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Po kjo është edhe tema e sivjetme globale e Ditës Botërore të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale. Por shumë pak për pronësinë intelektuale, e më shumë për atë industriale është folur në ngjarjen që ka zënë vend në një hotel të kryeqytetit

Ligji për mbrojtjen e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta është aktiv, por nuk zbatohet dhe artistët janë të pambrojtur nga institucionet. Kështu është konstatuar në konferencën vjetore me të cilën shënohet Dita Botërore e Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale. Pos transmetimeve në media, krijimet e artistëve përdoren edhe në fushata e organizime të tjera politike, pa u kompensuar. E për nga aspekti financiar, Ministria e Industrisë e Dogana e Kosovës shprehet se ka progres. 

“Pronësia intelektuale dhe muzika: Ndieje ritmin e pronësisë intelektuale” ka qenë tema e sivjetme e konferencës me të cilën është shënuar dita që i dedikohet mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Po kjo është edhe tema e sivjetme globale e Ditës Botërore të Mbrojtjes së Pronësisë Intelektuale. Por shumë pak për pronësinë intelektuale, e më shumë për atë industriale është folur në ngjarjen që ka zënë vend në një hotel të kryeqytetit. 

Ministri në detyrë Hajrulla Çeku, që qe në agjendë të fliste për rolin e politikave qeveritare në nxitjen e industrisë muzikore dhe mbrojtjen e pronësisë intelektuale nuk ka marrë fare pjesë në këtë organizim. Në ceremoninë e nisur me gjysmë ore vonesë shkaku i ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është arsyetuar me trafikun e dendur rrugor. Hajdari ka thënë se përmes regjistrimit të markave të artistëve në vend mbrohet jo vetëm identiteti i tyre, por edhe pasuria kulturore e vendit. 

“Ky është një akt i vetëdijshëm politik dhe institucional për të garantuar që puna dhe kontributi i artistëve të mos cenohet dhe të vlerësohet nga shoqëria dhe tregu. Në epokën e teknologjisë dhe globalizimit ku ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përbëjnë rreth 90 për qind të ekonomisë globale, rëndësia e pronësisë intelektuale është më e madhe se kurrë. Qeveria jonë e ka kuptuar këtë realitet dhe e ka shndërruar atë në politikë publike konkrete”, ka thënë Hajdari në fjalën e saj. 

Derisa ka folur për pronësinë intelektuale në kontekstin industrial, ka listuar “arritjet e prekshme të Ministrisë” për katër vjet.

“Me përkushtimin tonë politik dhe punën e Agjencisë për Pronësi Industriale, janë zgjidhur 741 raste të shkeljeve të markave tregtare që ishin në pritje prej vitesh, pra prej një dekadë e më shumë, duke e bërë kështu të qartë se vonesat dhe padrejtësitë nuk janë pjesë e sistemit tonë qeverisës. Janë regjistruar 7 mijë e 596 objekte të pronësisë industriale, prej tyre 7 mijë e 455 marka tregtare, 101 dizajne industriale dhe 40 patenta”, ka thënë ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari. 

Kompozitori e këngëtari Korab Shaqiri, ka thënë se përtej pentagramit, ekziston edhe ritmi i pronësisë intelektuale dhe ai i Ligjit i cili, siç është shprehur, çalon.

“Përtej pentagramit, ekziston edhe një ritëm tjetër. Ai është sistemi ose ritmi i sistemit që duhet të mbështesë dhe të mbrojë muzikantët dhe artistët në përgjithësi. Ritmi i pronësisë intelektuale, ritmi i ligjit, i drejtësisë, fatkeqësisht në Kosovë edhe çalon ose është i çrregullt. A është në sinkron me nevojat e krijuesve dhe zhvillimin e industrisë globale? Republika e Kosovës ka arritur të miratojë Ligjin 04/L065 për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta e harmonizuara me direktivat e Bashkimit Evropian”, është shprehur Shaqiri. 

Ka theksuar se ligji mbron të drejtat morale dhe ato ekonomike, por se “ekziston një hendek i dukshëm midis asaj që garantohet me ligj dhe asaj që mbrohet në praktikë”. 

“Ligji është aktiv, por implementimi është pasiv. Sistemi ekziston, por nuk funksionon. Në mungesë të një organizate të fortë në menaxhimin kolektiv të mungesës së zbatimit nga ana e institucioneve, artistët fatkeqësisht mbeten të pambrojtur”, ka thënë Korab Shaqiri.

E ka përmendur se artistët në Kosovë nuk kompensohen për përdorim komercial të veprave të tyre dhe se, madje këngët e tyre përdoren edhe në fushata politike duke rënë ndesh me ligjin ekzistues. 

“Këngët tona transmetohen në radio, në televizionet kombëtare, por pa marrëveshje licencimi dhe pa raport gjatë përdorimit. Të ardhurat nga të drejtat autoriale janë minimale apo inekzistente. Në mënyrë të veçantë dua të ndalem te përdorimi i këngëve apo veprave tona gjatë fushatave elektorale nga partitë politike pa dallim, shpesh pa asnjë autorizim nga autori, interpreti apo producenti. Kjo bie ndesh me çdo parim të ligjit të pronësisë intelektuale”, ka thënë Shaqiri. 

Ligji për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta numëron më shumë se një dekadë. Me të rregullohet mbrojtja e të drejtave të autorit, krijimtarisë shkencore e artistike, rregullohet statusi i Task-Forcës kundër piratërisë dhe ofrohet mundësia e zgjidhjes së kontesteve në të drejtën e autorit përmes mjeteve alternative si ndërmjetësimi e gjykatat. E Ministria e Kulturës ka edhe Zyrën për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta brenda institucionit. Zjarrta Osmani, zyrtare e lartë për certifikim dhe mbikëqyrje të shoqatave kolektive, ka thënë se ndërgjegjësimi është i rëndësishëm në këtë fushë për zbatimin e këtyre të drejtave. 

“Duke punuar gjatë në Ministrinë e Kulturës dhe në këtë fushë, kam vërejtur që çdoherë ajo që është prioriteti kryesor dhe strategjik i kësaj fushe është ndërgjegjësimi dhe promovimi. Atëherë kur ne arrijmë që të ndërgjegjësojmë të gjitha fushat, duke filluar me shkollat, tek universitetet, por duke mos lënë anash as institucionet, atëherë mund të kemi një sistem funksional dhe efektiv të këtyre të drejtave”, ka thënë ajo në panelin me temë “Muzika dhe pronësia intelektuale: Krijimtaria, institucionet dhe mbrojtja ligjore” të cilin edhe e ka moderuar. 

Driton Azemi, përfaqësues i Doganës së Kosovës, ka theksuar rolin e institucionit në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë intelektuale.

“Në këtë drejtim, Dogana është e angazhuar jo vetëm në luftimin e importit, eksportit, qarkullimit të mallrave të falsifikuara, por edhe në mbrojtjen e drejtpërdrejt të qytetarëve tanë nga rreziqet që paraqesin këto mallra për shëndetin, sigurinë dhe ekonomia. Mbrojtja e pronësisë intelektuale është pjesë integrale e përpjekjeve tona për të garantuar një treg të ndershëm, për të stimuluar investimet dhe inovacionet në Kosovë”, ka thënë ai. 

Ndërsa udhëheqësja e sektorit të Pronësisë Intelektuale në Doganën e Kosovës, Sadije Topojani, në panel ka thënë se institucioni ka nisur të ndjekë ritmin duke harmonizuar legjislacionin e doganave në fushën e të drejtave të pronësisë intelektuale. 

“Që nga themelimit, Dogana e Kosovës ka rezultate të kënaqshme. Përveç rezultateve kombëtare, është edhe anëtare e Organizatës Botërore të Doganave që nga viti 2017, ku që nga ajo kohë e deri më tani, në luftimin e falsifikimit dhe piraterisë është pjesëmarrëse në operacionet botërore të cilat organizohen nga kjo organizatë”, ka thënë ajo. 

Avokati Florin Lata, ekspert në mbrojtjen e pronësisë intelektuale, ka trajtuar pronësinë intelektuale në një tjetër dimension. Ka thënë se e drejta e autorit merr kahe të tjera kur bëhet fjalë edhe për Inteligjencën Artificiale. 

“Në këtë botën e re të Inteligjencës Artificiale ku një këngë e tërë krijohet prej makinës ku shpejt mund të ndodhë edhe filmat, kam parë reklama shumë të sofistikuara, na bën të mendojmë nëse kemi ligje që i përputhen një situate të tillë. Është një ndryshim i jashtëzakonshëm që, sipas këndvështrimit tim do ta ndryshojë shumë shpejt komplet të drejtën e autorit”, është shprehur ai. 

Sipas ueb-faqes së “World Intellectual Property Day” shënimi i kësaj dite ofron mundësi unike për t’u bashkuar me globin për të shqyrtuar se si pronësia intelektuale ndihmon artin të lulëzojë. 

“Fushata është gjithashtu një mundësi për të nxjerrë në pah rolin që luajnë të drejtat e pronësisë intelektuale, të tilla si, patentat, markat tregtare, dizajnet industriale, të drejtat e autorit, në inkurajimin e inovacionit dhe kreativitetit”, shkruhet aty. Kjo ditë shënohet çdo vit më 26 prill.