Kulturë

Kosova e Shqipëria në vitet ‘70: Arsimi, kultura e shkenca para politikës

Për dallim nga bashkëpunimi ekonomik, sipas Ukshin Hotit, asokohe në fushën e arsimit, kulturës e shkencës, Kosova zinte një vend me shumë rëndësi, për të mos thënë vendin më të rëndësishëm në shkëmbimin e përgjithshëm shqiptaro-jugosllav. Në këtë mes, vend me përparësi kishte bashkëpunimi midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës

Në pjesën e dytë, dokumenti “tepër rezervat” me titull “Marrëdhëniet midis RSF të Jugosllavisë dhe të RP të Shqipërisë-Pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj”, të hartuar më 20 nëntor 1974 nga Ukshin Hoti, pasi vë në dukje se Kosova merrte pjesë me vetëm 1.5 për qind të shkëmbimit me RP të Shqipërisë, evidenton vështirësitë e këtij bashkëpunimi, si dhe sjell propozime konkrete për përmirësimin e këtij bashkëpunimi midis Kosovës dhe Shqipërisë. Por, për dallim nga bashkëpunimi ekonomik, sipas Ukshin Hotit, asokohe në fushën e arsimit, kulturës e shkencës, Kosova zinte një vend me shumë rëndësi, për të mos thënë vendin më të rëndësishëm në shkëmbimin e përgjithshëm shqiptaro-jugosllav. Në këtë mes, vend me përparësi kishte bashkëpunimi midis Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Shtetëror të Tiranës, i cili kishte filluar kontaktet e para diku më 1967 dhe për të vazhduar pastaj më 1968, me rastin e mbajtjes së Simpoziumit për 500-vjetorin e vdekjes së Gj. K. Skënderbeut. Por, ky bashkëpunim filloi të kishte orientim të qartë me nënshkrimin e protokollit të I për bashkëpunim ndëruniversitar, në vjeshtë të vitit 1970. Që nga ajo periudhë, këto protokolle do të nënshkruhen vazhdimisht për secilin vit shkollor.

Rëndësia politike e bashkëpunimit ndëruniversitar

Zhvillimi i bashkëpunimit ndëruniversitar, edhe atëherë kur marrëdhëniet midis dy shteteve nuk ishin ende plotësisht të normalizuara, kishte rëndësi të madhe politike, jo vetëm se eliminonte një lloj mosbesimi që ekzistonte ndërmjet dy vendeve, por ishte shumë i dobishëm dhe efikas për plotësimin e kuadrit shkencor për Universitetin e sapohapur të Kosovës, si dhe mbajtjen e ligjëratave në gjuhën shqipe, për të cilat nuk kishte kuadër adekuat. Sipas tezave të Ukshin Hotit, “bashkëpunimi midis këtyre dy universiteteve në aspekt të ngushtë shkencor-profesional dhe në planin arsimor zhvillohet a) përmes shkëmbimit të kuadrove për ngritjen, specializimin dhe përgatitjen e temave të magjistraturës dhe disertacioneve; b) duke shkëmbyer ligjërues të rregullt, që në të vërtetë ishte ardhja e profesorëve të rregullt nga USHT në Universitetin e Prishtinës dhe mbajtja e 102 lëndëve mësimore; c) shkëmbimi i ligjëruesve për mbajtjen e kurseve afatshkurtra në të dyja universitetet dhe d) shkëmbimi i të ashtuquajturave ekspedita shkencore për linguistikë, folklorikë, etnografi, histori, arkeologji etj. nga të dyja vendet”.

Në dokument, po ashtu, nënvizohet se edhe nga vlerësimet e vetë Universitetit të Prishtinës në vazhdimësi konfirmohej se shkëmbimi i kuadrove për specializime dhe ngritje profesionale kishte qenë formë shumë e dobishme dhe efikase për sigurimin e kuadrit pedagogjik-shkencor. I një rëndësie të veçantë, po ashtu, ishte edhe bashkëpunimi në planin e kërkimeve shkencore, sidomos ajo që kishte të bënte me gjetjen adekuate të terminologjive të fjalorëve juridikë e ekonomikë. Po kësaj, dokumenti në fjalë vinte në dukje se dobia e dyanshme e këtij bashkëpunimi është e shumtë dhe e pamohueshme, si në aspektin e ngushtë shkencor-plan mësimor, ashtu edhe në shkëmbimin e përvojave për metodat e kërkimit shkencor; për tendencat e shtimit të sasisë dhe për thellimin e disa fushave shkencore-kërkimore; begatimi i praktikës dhe teorisë së hulumtimit shkencor e të tjera si në planin teorik-shkencor ashtu edhe në atë politik.

Zvogëlimi i mosbesimit ndaj Kosovës

“Siç e kemi hetuar edhe më parë, bashkëpunimi shumë dinamik midis dy universiteteve jo vetëm që zvogëlon mosbesimin ndaj nesh, por ndërthur edhe dimensione të gjera në teorinë shkencore dhe në mendimin intelektual, te disa rrethe të punëtorëve shkencorë, po edhe tek ata të jetës politike”, thekson Hoti.

Duke i bërë një analizë bashkëpunimit katërvjeçar midis Universitetit të Prishtinës (UP) dhe Universiteti Shtetëror të Tiranës (USHT) Hoti vë në dukje se “kjo punë gjithnjë e më shumë zhvillohet në nivel të lartë organizativ dhe e dyta, se gjithnjë e më shumë po merr karakter të mirëfilltë të bashkëpunimit shkencor-arsimor. Absolutisht, shkëmbimi i ligjëruesve është shtuar, por relativisht kjo formë e bashkëpunimit do të zvogëlohet, kur shihet se si shumë shpejt po dhe në mënyrë dinamike po zhvillohet universiteti ynë, si për nga aspekti i sasisë (hapja e fakulteteve të reja dhe futja në mësimdhënie edhe e shumë lëndëve të reja) e ashtu edhe shtimi i kualitetit. Objektivisht, bashkëpunimi midis dy universiteteve gjithnjë e më shumë po fiton elemente të bashkëpunimit të vërtetë shkencor-hulumtues dhe po mbetet gjithnjë e më pak bashkëpunim me karakter mësimor-shkencor”.

Më tej ai thekson se me rastin e nënshkrimeve të protokolleve vjetore për bashkëpunim, llogaritet të zbatohet edhe principi i reciprocitetit, në kuadër të nevojave të njërit apo të dy universiteteve dhe në kuadër mundësive të tyre reale. Me fjalë të tjera, edhe pse nuk është e mundur të bëhet reciprociteti absolut, ai së paku është i pranishëm si kriter për shkëmbimin konkret të ligjëruesve, që të sigurohet bashkëpunim i barabartë midis tyre.

Në këtë mënyrë bashkëpunimi mes dy universiteteve po fitonte një dimension më të gjerë dhe i shërben theksimit të njohurive për shkencën. Në kuadër të zhvillimit konkret të ligjëruesve nga secili prej katër tipave të përmendur, sipas Hotit, Universiteti i Prishtinës këmbëngulte që USH i Tiranës të dërgojë ligjërues të nivelit të lartë, jo vetëm nga radhët e ligjëruesve që ka, por edhe nga universitetet e tjera, qoftë që punojnë si ligjërues plotësues ose me honorar.

Në këtë kontekst, në këtë dokument Hoti bën një lloj bilanci për sukseset e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës me USH të Tiranës, duke shtuar se janë shënuar disa rezultate pozitive në fushën e shkencës, kulturës dhe me angazhimin e hulumtuesve të dy universiteteve dhe se në këtë mënyrë i ndihmuan pasurimit të arritjeve arsimore-shkencore të popullit shqiptar në përgjithësi. Në këtë kontekst, Hoti përmend edhe kontributin e përbashkët për unifikimin e gjuhës shqipe, hulumtimeve nga fusha e shkencave linguistike, begatisë kulturore, etnografike dhe kërkimeve arkeologjike, të cilat formulonin afirmimin e kulturës unike nacionale dhe historisë së shqiptare, që në këtë mënyrë bëhen më të pasura e më të kuptimta.

Në vazhdim të këtij dokumenti, përveç bashkëpunimit të Universitetit të Prishtinës me USH të Tiranës, përmenden edhe format e tjera të bashkëpunimit arsimor-shkencor dhe kulturor. Disa nga format e afërta me këto ishin edhe bashkëpunimi shkencor dhe dokumentacioni arsimor ndërmjet Bibliotekës Popullore e Universitare të Prishtinës, Arkivit të Kosovës, Entit të Mjeteve Mësimore, “Rilindjes”, Edicionit të Botimeve të librave shkollorë dhe institucioneve të tjera përkatëse të RP të Shqipërisë.

Po ashtu, saktësohet këtu se shkëmbimi i SHKA-ve kishte filluar nga viti 1970, kur në Kosovë qëndroi Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe i Valleve nga RP e Shqipërisë. Nga atëherë e këndej ishin shkëmbyer një ose dy shoqëri në vit. Nga shoqëritë e ardhura nga RP e Shqipërisë, pos Ansamblit të përmendur, kanë ardhur edhe SHKA “A. Moisiu” nga Durrësi, një SHKA nga Vlora dhe një nga Korça. Ndërsa nga shoqëritë kulturore-artistike kosovare në RP të Shqipërisë kishin qenë “Shota” (një herë), SHKA “Emin Duraku” e Zhurit (dy herë), SHKA “Shote Galica” e Gjakovës (dy herë) dhe SHKA “Rugova” nga Rugova (një herë).

Po ashtu, kishin ndodhur edhe shkëmbime të shfaqjeve teatrore: nga Teatri Popullor i Tiranës, dhe Teatri Popullor i Kosovës, si dhe Teatri Profesional nga Gjakova. Gjithashtu, Lidhja e Shkrimtarëve pothuaj rregullisht ishte e pranishme në ngjarje të rëndësishme letrare në Shqipërisë dhe anasjelltas.

Shqipëria kundër vërshimit të kulturave të huaja

Këto të dhëna tregojnë se Kosova po ndiqte dhe shfrytëzonte me vëmendje çdo mundësi për bashkëpunim me Shqipërinë, duke dashur që të kompensohej çdo ngecje e mëhershme në fushën e emancipimit dhe shkollimit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës, të Maqedonisë dhe të viseve të tjera nën Jugosllavi. Po ashtu, ky bashkëpunim ishte me interes të ndërsjellë, sepse kultura nacionale nuk mund të zhvillohej në plotëni duke qenë e ndarë në të dyja anët e kufirit.

Sipas Ukshin Hotit, në RP të Shqipërisë manifestimeve kulturore u kushtohet rëndësi e madhe, sepse këto manifestime kanë domethënie të dyfishtë: a) mobilizuese dhe b) rol afirmativ. “Duke u bazuar në realitetin e mbylljes së shoqërisë shqiptare, në luftën e tyre të vazhdueshme kundër të ashtuquajturve: ndikime të huaja, në RP të Shqipërisë ky lloj jetese bëhet zëvendësim me një veprimtari kulturore të larmishme dhe masat në atë formë mobilizohen, duke e fituar iluzionin e begatisë dhe barazisë shoqërore e kulturore në përgjithësi. Megjithatë, RP e Shqipërisë bën shumë mund t’i afirmojë vlerat e veta kulturore, duke mëtuar të nxjerrë në dukje autentiken dhe me këtë të afirmohet në botë”, thekson Hoti, duke paralajmëruar se ”RP e Shqipërisë dëshiron që në këtë drejtim të hapet, por ngadalë dhe në mënyrë selektive”. “Ajo nuk dëshiron t’i ngufatë vlerat e saj kulturore me vërshimin e kulturave të tjera, e për më shumë, ajo nuk do që një vërshim i këtillë të ndikojë në stabilitetin e jetës shoqërore-politike. Për këtë, në fillim ka pranuar ato SHKA, niveli i interpretimit të të cilave nuk ka qenë aq i lartë dhe të cilat ishin kryesisht nga Krahina jonë. Më vonë, ky qëndrim ka ndryshuar dhe është treguar gatishmëri të pranohen shoqëri që ne kemi dëshirë t’i dërgojmë”, vë në dukje Hoti.

“Bashkëpunim arsimor-shkencor e jo turizëm”

Është interesant të theksohet se në këtë dokument janë evidentuar edhe disa elemente stihike të bashkëpunimit kulturor dhe arsimor Kosovë-Shqipëri. Sekretariati për bashkëpunim me botën e jashtme kishte vlerësuar nuk u duhej lejuar organizatorëve të cilët udhëhiqen vetëm nga interesat financiare dhe se bashkëpunimi arsimor ishte reduktuar në vizita masive të mësimdhënësve në RP të Shqipërisë, nën velin e “fitimit të përvojës” e ”bashkëpunimit arsimor” etj. Në mbledhjen e zgjeruar të Sekretariatit të Komitetit Krahinor të LKK, të shtatorit 1972 ishte thënë se i duhet thënë ndal këtij bashkëpunimi stihik, por ende është e hapur dilema se a duhet të ndërpritet fare ky lloj bashkëpunimi. Në këtë kontekst, Hoti thekson se mendimi më i pranueshëm është se ky bashkëpunim arsimor “duhet të reduktohet deri në minimum dhe të lejohet vetëm në raste kur me të vërtetë bëhet fjalë për bashkëpunim arsimor-shkencor e jo turizëm”. Po ashtu, ai rekomandon se është e domosdoshme që secili lloj bashkëpunimi me RP të Shqipërisë të bëhej i organizuar, jo spontan e stihik dhe jo vetëm me Shqipërinë, por edhe me vende të tjera.

Në vazhdim Hoti, duke listuar në zhvillimin e përgjithshëm të këtyre raporteve të Kosovës me RP të Shqipërisë, thekson se në të shumtën e rasteve këto mangësi ndodhin, jo vetëm për shkak të mosorganizimit të palës kosovare, por edhe për shkak të moskuptimit të natyrës së sistemit politik në RP të Shqipërisë dhe në fund për shkak të natyrës së komplekse të raporteve midis RSFJ dhe RP të Shqipërisë. Por, ai thekson se disa nga këto dukuri nuk mund të tolerohen. Në rend të parë, ai tërheq vërejtjen se askush nuk mundet, të themi i paorganizuar ose privat, të angazhohet për realizimin e protokollit të bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe USH të Tiranës; apo dukuria e koordinimit jo të mjaftueshëm të vetë institucioneve shkencore e më gjerë. “Përpunimi më i mirë i sistemit të informimit, koordinimet e ndërsjella midis organeve vetëqeverisëse dhe organeve shtetërore e të tjera – pa dyshim do të ndihmonin jo vetëm në zvogëlimin e dukurive të atilla të panevojshme, por me siguri do të jepnin fotografinë adekuate të shoqërisë në përgjithësi”, rekomandon Ukshin Hoti në dokumentin e tij për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë