Kur në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë homazhet në vazhdën e organizimeve shtetërore për këtë personalitet po vazhdonin të mërkurën në Prishtinë, mbledhja përkujtimore u organizua me rastin e vdekjes së tij nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. “Mësimet dhe synimet e Kosovës përfshirë dhe arritjet e saj të viteve të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare”, ka thënë akademik Mehmet Kraja, kryetar i AShAK-ut. Akademiku Sabri Hamiti ka thënë se vepra e tij nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh e akademiku Rexhep Ismajli, ka vlerësuar se do të rrezatojë art, njerëzi e kulturë
Vetë Kadareja fizikisht me Kosovën do të përshëndetej në qershorin e vjetëm me vizitën e tij të fundit zyrtare në vend. Por porositë e tij për lexuesit do të mbesin në vazhdimësi në veprat e tij.
Kishte qenë mysafir i veçantë i edicionit të 23-të të Panairit të Librit në Prishtinë. Prej zyrtarëve që e pritën do të paralajmërohej edhe ndërtimi i një biblioteke me emrin e tij. E, librat e tij ka kohë që shëtisin botën. Asaj ua zbuloi shqiptarët. Edhe Kosovën po ashtu. U bë zëri i saj.
Të tillë e kujtoi Kosova, në ditën e lamtumirës së fundit, të mërkurën që qe ditë zie.
Kur në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë homazhet në vazhdën e organizimeve shtetërore për këtë personalitet po vazhdonin, në Prishtinë, mbledhja përkujtimore u organizua me rastin e vdekjes së tij nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. U nderuan vepra dhe personaliteti i Ismail Kadaresë, i cili njëherësh ishte dhe anëtar i jashtëm i AShAK-ut prej vitit 1991.
“Mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë që ai i ka dhënë Kosovës”
Në sallën kryesore të Akademisë janë projektuar fotografi që përshkruanin disa nga vizitat e të ndjerit me akademikët nga Kosova ndër vite. Humbja e Kadaresë vazhdon të potencohet vazhdimisht – përgjatë këtyre ditëve që nga e hëna kur ai vdiq në moshën 88-vjeçare – si boshllëk për gjithë botën letrare.
Një minutë heshtje, i ka lënë vend fjalimeve për peshën e veprës e të fjalës së tij. Portreti bardhezi me shiritin e zi, e vendosur në qendër të sallës paraqiste denjësisht pompozitetin që mbart figura e tij.
Akademiku Mehmet Kraja, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ka folur edhe për specifikën që bart ikja e Kadaresë për Kosovën.
“Për ne në Kosovë ikja e Kadaresë ka një kuptim më specifik. Ka qenë mbështetja këmbëngulëse, e fortë dhe pa rezervë që ai i ka dhënë Kosovës në më shumë se 50 vjetet e shkuara, pavarësisht nëse kjo mbështetje ka qenë letrare apo politike, ajo përben një ngjarje në këtë histori sepse mësimet dhe synimet e Kosovës përfshirë dhe arritjet e saj të viteve të vona, përmes zërit të Kadaresë janë kthyer dhe shndërruar në zë të ndërgjegjes kombëtare. Në një zë që bashkëndjen dhe flet për brengën më të madhe shqiptare”, ka thënë akademiku Kraja.
Ka veçuar edhe rolin e Kadaresë në shtetformimin e Kosovës. Kontributi i Kadaresë për Kosovën, sipas Krajës vjen edhe me angazhimet e shkrimtarit nëpër qarqet e ndryshme diplomatike përgjatë periudhave vendimtare për fatin e vendit.
“Zëri i Kadaresë në mbështetje të Kosovës ka krijuar kontekst politik ndërkombëtar dhe ka arritur të depërtojë nëpër kancelari të ftohta diplomatike, ka qenë frymëzim për shumë gjenerata intelektualësh, mësuesish, studentësh, nxënësish. Pra për një masë të gjerë njerëzish në Kosovë, përfshirë dhe ata që në aktin final të kësaj historie u vunë në radhët e para për luftën e çlirimit të Kosovës. Në këtë pikë Kadare ka bërë më shumë se të gjitha institucionet së bashku të shtetit shqiptar”, ka shtuar ai.
Autori i romanit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1963) që vlerësohet si pikë kthese në prozën moderne shqiptare, ku Identiteti shqiptar, heroizmi, origjina e kamotshme e mbijetesa e popullit shqiptar ndërthureshin në të, u rikujtua si një shkrimtar me individualitet të theksuar, unik.
“Ismail Kadare shfaq daimonian dhe egon krijuese që nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh”
Akademiku Sabri Hamiti, veprimtarinë e Kadaresë e ka vlerësuar lart dhe ka thënë se vepra e tij në letërsinë shqipe ka kohë që ka ndjekësit e saj kadareistë, ndërkaq statusi i letërsisë se tij është ngritur edhe në nivele të larta të universiteteve botërore, duke u bërë materie studimi. Lidhja e Kadaresë me Kosovën është edhe tjetër.
“Duhet të kihet në vëmendje që koleksioni i parë i veprave të zgjedhura të Kadaresë, në shqip, është botuar së pari te ‘Rilindja’ e Prishtinës në vitin 1980. Parathënia e koleksionit është bërë nga Ibrahim Rugova, i cili veprën e këtij shkrimtari e cilëson që në titull, ‘Arti i dhembjes universale’. Është viti kur Kadare vjen në Prishtinë, në promovim dhe pritet me entuziazmin e paparë. Një shkrimtar identitar nuk mund të mos prekej nga dashuria deri në adhurim për gjakimin e lirisë në Kosovë. Drama e mëtejme dhe e përgjakshme e Kosovës në vitet në vijim e provuar nëpër ankthin e saj ekzistencial do të bëhet penë letrare dhe përtej letrare e Kadaresë në veprat si ‘Krushqit janë të ngrirë’ 1981, ‘Tri këngë zie për Kosovën’, fundi i viteve ‘90 dhe ‘Ra ky mort e u pamë’ viti 2000. Është koha kur Kadare letërsinë për çështjen e Kosovës e përkthen edhe në veprim kulturor duke promovuar autorë të Kosovës, si Qosja e Rugova, edhe në veprim politik e diplomatik për statusin e saj”, ka thënë akademik Hamiti.
Ka thënë se veprat letrare më të rëndësishme të Ismail Kadaresë janë të shkruara në trajtë të prozës së shkurtër, tregimit, novelës dhe të romanit. Por, sipas tij, Kadare u dallua më së shumti në formën e romanit, duke u njohur njëherësh dhe romancieri më i rëndësishëm i letërsisë shqipe.
“I pajisur me talent të jashtëzakonshëm, që në moshën jomadhore (që na e kujton pak Rembonë), dhe i kulturuar letrarisht deri në nivelin e diturakut me moshë (që na e kujton pak Gëten), Ismail Kadare shfaq daimonian dhe egon krijuese që nuk njeh kufij kulturash e civilizimesh. Kjo paraqitet në trajtë letrare dhe në formë konceptuale të eseut. Në këto ese, Kadare shfaqet simbas Kadaresë”, ka shtuar ai.
Vepra që do të rrezatojë art, njerëzi e kulturë
Akademiku Rex1hep Ismajli me Ismail Kadarenë ishte ndeshur në një rastësi para vitrinave të librarisë “Saint Michel” në Paris në vitin 1972, me kopertinën e librit “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, e cila kishte bërë atëbotë jehonën e saj, e përkthyer në frëngjisht. Për akademik Ismajlin, vepra e Kadaresë do të shihet tashmë në dritë të plotë letrare e kulturore. Ka bërë një përvijim të karrierës kolosale të Kadaresë dhe ka theksuar disa elemente të veprimtarisë dhe kontributit të tij për letërsinë shqiptare.
“Duhet të themi se bashkë me të dhe përmes tij letërsia shqipe po e krijon hapësirën e identitetit të veçueshëm brenda kulturës evropiane, ku ai po shkëlqen me individualitetin e dallueshëm tash me dekada me radhë. Vepra e Ismail Kadaresë do të jetojë dhe rrezatojë art, njerëzi e kulturë, përgjithmonë ndër shqiptarë dhe do të përcjellë mesazhe shprese e humanizmi nga këto hapësira në botën tjetër”, ka thënë ai.
Kadare lindi në kohën e Mbretit Zog, vitet e shkollimit të tij prekën periudhën e komunizmit dhe gjatë jetës së tij përjetoi edhe shembjen e diktaturës. Ishte i përfshirë edhe në përpjekjet për lirinë e Kosovës. Sipas Ismajlit, në çdo periudhë vlerat e tij gjithnjë ishin evidente.
“Ai zhvilloi veprimtari me degëzime kulturore e më të gjera, por gjithnjë dhe mbi të gjitha u rrit dhe mbeti shkrimtar i klasit dhe individualitetit në të gjitha ato valë të rrëmbyeshme. Ismail Kadareja krijoi një vepër madhore letrare me përmasa universale, me vlera të shquara artistike dhe me vulën e dukshme shqiptare. E tërë historia shqiptare, e periudhave otomane, pas otomane, dhe e pavarësisë parakomuniste, historia e diktaturës komuniste dhe më vonë, hapësira dhe dimensione të ndryshme, shpërfaqen në veprën e tij përmes një lehtësie të lëvizjes në hapësirat shqiptare e ballkanike, europiane e përgjithësisht universale”, ka shtuar akademik Ismajli.
Kosova në letërsinë e shkrimtarit, ka zënë vend në letrat e Kadaresë prej librave të hershëm të tij. Kosovën ai e ka trajtuar në prozë, poezi, libra eseistikë dhe publicistikë. “Krushqit janë të ngrirë”, e botuar pas demonstratave të studentëve kosovarë në vitin 1981, pastaj tregimi “Baladë për vdekjen e J. G”, që flet për vrasjen e shkrimtarit dhe gazetarit kosovar në Gjermani, Jusuf Gërvalla, në vitin 1982, poezitë shumë të njohura si: “Mundja e ballkanasve nga turqit në Fushë të Kosovës më 1389”, “Atje larg në veri”, “Kosova”, “Terrori në Kosovë”, janë vetëm disa sosh. Ndërkaq nga librat eseistikë dhe publicistikë që trajtojnë çështjen e Kosovës përmenden ditari për Kosovën “Ra ky mort e u pamë” (1999), “Bisedë përmes hekurash”, (1999) - seria e letrave të shkëmbyera mes Kadaresë dhe Ukshin Hotit, në vitet kur ky i fundit mbahej në burg nga shteti serb dhe eseja “Shqiptarët në mijëvjeçarin e tretë”, por nuk kufizohet me kaq. Për Kosovën, Kadare ka shkruar e folur sa herë që i është dhënë rasti.
Nderimi që ia bënte Kosova, për të kishte peshë.
“Jam vërtet i nderuar dhe këto fjalë janë pak si klishe kudo në botë dhe i lumtur që marr këtë çmim, por më besoni ky çmim i dhënë në Kosova ka domethënie më tepër se një çmim, ka kuptim më tepër se një çmim për mua dhe rrjedhimisht më jep kënaqësi me tepër se çdo çmim tjetër. Jam i lumtur kur mendoj që po e marr çmimin në Bibliotekën e Kosovës. Bibliotekat janë prijës të asaj mbretërie të madhe në botë, që është mbretëria e lexuesve. Shkrimtarët jetojnë falë bibliotekave, falë lexuesve. Letërsia është arti më i vjetër në botë”, do të thoshte Kadare në prillin e vitit 2017, kur iu dha çmimi “Letërsia shqipe”, i themeluar më 2017 nga kabineti i atëhershëm i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Shala dhe prej atëherë s’u nda më. “Vetë mbledhja jonë këtu në këtë sallë nga shqiptarë të të gjitha zonave e tregon këtë triumf të kombit shqiptar. Nga ky triumf asnjë popull nuk heq dorë. Ky është një triumf për gëzimin e të ardhmen e një populli”, do të thoshte Kadare në qershorin e vjetmë kur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do ta nderonte me urdhrin “Hasan Prishtina”. Një ditë më parë do ta hapte Panairin e Librit. “Ne shqiptarët për fat të keq disa herë e kemi neglizhuar, por pastaj jemi kujtuar, i jemi rikthyer (librit). Unë shpresoj që do t’i rikthehemi më mirë, më fort, më bukur në të ardhmen”, do të thoshte ai ngjarjen në të cilin qe i ftuar nderi edhe në edicionin e parë, fill pas luftës tok me poetin e madh Dritëro Agolli, kur shqiptarët triumfuan edhe falë zërit të tij. Do të nderohej edhe më 2009, kur romani i tij “Darka e gabuar” mori shpërblimin “Rexhai Surroi”, por edhe sa e sa shpërblime të tjera. Ai ua la shqiptarëve librat e tij. Atë të jetës e mbylli përgjithnjë.
Libri i zisë i vendosur në hollin e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës qe shenja e fundit e lamtumirës që ky institucion i bëri kujtimit të veprës dhe personalitetit të Ismail Kadaresë. Akademikë, miq e adhurues të letërsisë së tij prisnin radhën për t’i përjetësuar disa rreshta të kujtimit për të. Për të madhin, Kadare.