Kulturë

Kosova e ‘80-ave në film midis manipulimit, censurës dhe vetëmashtrimit

Krijimtaria kinematografike dhe kritika e rreth katër dekadave më parë kanë qenë temë diskutimi në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Disa filma si shembuj janë përfshirë në hulumtimet “Belbëzimet e Universalitetit” të Tevfik Radës dhe të “Limitet e Reprezentimit” të Sezgin Boynik, e që vijnë si tërësi e projektit të tyre “Filmi si shkollë politike”. “Palimpsestet e historisë” është titulluar ngjarja. Të tillë janë cilësuar filmat për historinë. Nëpërmjet filmave nuk lexohet thjesht përmbajtja e tyre: lexohet historia prapa tyre, mbi të gjitha historia e Kosovës

Analiza e krijimtarisë kinematografike bashkë me rishikimet e kritikave të filmave vendorë të viteve ’80 dhe jo vetëm ndërtojnë rrëfimet në “Belbëzimet e Universalitetit” të Tevfik Radës dhe të “Limitet e Reprezentimit” të Sezgin Boynik. Janë filmat që për temë kanë kryesisht etnitë dhe aty shpalosen ndikimet dhe censura në kohën kur Kosova ishte veç një krahinë e ish-Jugosllavisë. Por se cilësia ishte tjetër çështje dhe kjo vjen në konsideratë edhe me kritikat e Shkëlzen Maliqit në atë kohë.

Krijimtaria kinematografike e rreth katër dekadave më parë ka qenë temë diskutimi në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Disa filma si shembuj janë përfshirë në hulumtimet e autorëve, dy vëllimet që vijnë si tërësi e projektit të tyre “Filmi si shkollë politike”. “Palimpsestet e historisë” është titulluar ngjarja. Të tillë janë cilësuar filmat për historinë.

Filmi “Za sada bez dobrog naslova” (Tash për tash, pa titull të mirë) i regjisorit serb Srgjan Karanoviq në analizën e Sezgin Boynik në librin “Limitet e Reprezentimit”, ka trajtuar kontekstin politik të filmit. Megjithatë ai argumenton se filmi i tij mbi Kosovën nuk ishte jo vetëm më interesant për nga ana politike, por se ishte edhe më i thellë politikisht. Ai zbulon se si Karanoviq kishte pohuar se ky film nuk ishte veç një film për Kosovën, por edhe manipulues. Manipulimi me këtë rast vjen si tjetër mjet që përcillet nëpërmjet filmit.

E kjo kishte nxitur kritikën e filozofit e sociologut Gani Bobi. Teksti i tij gjithashtu zë vend në librin e Boynikut ku ndër argumentimet e tij është edhe ai se çdo diskurs mbi Kosovën e viteve ’80 duhet të fillojë me diskutimet e vetë manipulimit. Përjashtimi i kaosit që rrethon Kosovën, politikën dhe artin e saj janë ndër ato që shkruhen në këtë tekst.

Në diskutimin e zhvilluar të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare në kryeqytet, Sezgin Boynik ka thënë se forma komplekse e filmave të kësaj periudhe ka qenë zanafilla e analizës.

“Të 80-at janë zgjidhja e utopisë. Ne përfshimë këto momente historike për potencialin se çfarë ndodhi këtu. Përfshimë disa krijime që nuk janë të rëndësishme vetëm për njerëzit që jetojnë në Kosovë apo Ballkan, por për të gjithë. Kjo është qasja jonë me këtë projekt që quhet ‘Filmi si shkollë politike“, ka thënë ai, derisa filmat e përmendur në librin e tij dhe të Tevfik Radës i ka konsideruar si kryesorë të asaj kohe. Në botimin e tij flet edhe për filmin tjetër “Shtëpia pranë hekurudhave” të Karanoviqit.

“Ne u morëm me filmat kryesorë dhe audiencat e viteve ’80, por çfarë deshëm të sfidojmë është qe duke shikuar këta filma ne gjithashtu përballemi me disa nga çështjet interesante të këtij arti bashkëkohor: Mënyra se si i sfidon politikat. Filmi mund të jetë pajisja, vegla dhe metodologjia që mund të na mësojë gjëra të rëndësishme për historinë”, ka thënë Boynik.

Ka paralajmëruar se një tjetër vëllim që do t’i bashkohet projektit “Filmi si shkollë politike” dhe do t’i kushtohet filmit të regjisorit francez Chris Marker mbi Kosovën, film që nuk ishte realizuar kurrë a ishte shkatërruar, siç ka thënë Boynik.

“Vëllimi i tretë do të quhet ‘See you in the next war’ që i referohet filmit të fundit të Chris Markerit. Duhet të përmendet se kush ishte Chris Marker. Ai është filmbërësi më i rëndësishëm i shekullit të 20-të. Në fillim të viteve 2000 ai ka bërë një film për Kosovën dhe një për Bosnjën gjithashtu. Bëri edhe një tjetër të bazuar në romanin ‘Prilli i thyer’ të Ismail Kadaresë, por ai nuk e shfaqi kurrë këtë film. Në fakt e shkatërroi atë. Kur ai ishte pyetur rreth filmit në vitin 2002 apo 2003, ai kishte thënë se ‘Kosova nuk është e rëndësishme më’“, ka thënë Boynik.

Në panel ai ka shfaqur edhe një sekuencë nga filmi ku flitet për dashurinë e një shqiptareje dhe një serbi. “Mund të shohësh se diçka ka ndodhur në film. Kjo ndoshta është arsyeja pse e shohim filmin, si diçka që shkon përtej mënyrës se si e reduktojmë filmin në shpjegime ideologjike. Në film ka gjithmonë diçka që shkon përtej lokalitetit, sociologjisë”, ka thënë Boynik derisa ka komentuar një pjesë të filmit.

Si Boynik ashtu edhe Rada në librat e tyre zbulojnë sfondin sociologjik për vizionet artistike të regjisorëve. Tevfik Rada ndalet në kinematografinë shqiptare të viteve ’80. Vëllimi bashkon tekstet polemike të filozofit e kritikut Shkëlzen Maliqi mbi filmat “Njeriu prej dheu” të Agim Sopit i vitit 1984 dhe “Proka” të Isa Qosjes të vitit 1985. Të dy filmat janë të prodhuar nga “KosovaFilmi”.

Ato janë tekstet e Maliqit gjatë polemikave me Gani Mehmetajn dhe Mehmet Krajën. Tekstet flisnin për cilësinë artistike të filmave. Njëri tekst që përfshihet në librin “Belbëzimet e Universalitetit” përfshihet një përmbledhje e shkurtër me titull “Dramaturgjia e gabuar” (“The mistaken dramaturgy”) që ishin botuar në revistën “Fjala” në dhjetor të vitit 1984. Filmi “Njeriu prej dheu” trajtonte tragjedinë e një familjeje në Kosovë që ishte detyruar të emigronte në Turqi.

Në tekstin e tij Maliqi kishte kritikuar se filmi kishte dramaturgji të gabuar. Besonte se filmi ishte bërë me nxitim dhe ishte amatoresk e si përmbledhje ishte i dobët. Një vit më vonë Maliqi do të bënte edhe një tjetër kritikë ndaj filmit “Proka”, që e kishte titulluar “Universaliteti belbëzues i filmit Proka”, prej nga Rada e emërtoi vëllimin e tij. Si ky film, por edhe “Njeriu prej dheu” i Sopit ishin shfaqur në kuadër të Festivalit të Filmit në Pula të Kroacisë. Ky i pari madje ishte në konkurrencë.

“Është një vëllim që kemi arritur ta bëjmë prej shkrimeve të viteve 1984 dhe 1985 të Shkëlzenit për kritikat që ka bërë për disa prej filmave të ‘KosovaFilmit’, filmave ‘Proka’ të Isa Qosjes dhe ‘Njeriu prej dheu’ të Agim Sopit. Kanë qenë dy filma që janë vlerësuar si shumë të mirë dhe kanë marrë çmime në ‘Pula Film Festival’ në Kroaci dhe lokalisht kanë bërë ‘boom’. Kjo është arritja si një kulm i filmit kosovar. Shkëlzeni në tekst ka thënë se nuk është ashtu porse ky është një vetëmashtrim, e kritikon shumë gjatë”, ka thënë Tevfik Rada, autor i vëllimit “Belbëzimet e Universalitetit”.

Sipas tij, energjia e viteve ’80 është mposhtur dhe ka arritur një tjetër episod i historisë. Ai në panel ka thënë se edhe sot është shumë e rëndësishme të kuptohet kjo periudhë pasi përfshin sekuenca të rëndësishme historike.

“Problematika është e 80-ave, jo si një dekadë por si koncept politik që ka ndryshuar disa gjëra edhe politikisht, ekonomikisht, por edhe estetikisht, edhe në film. Në Kosovë, ndoshta ka më shumë. Prej një proteste të 1981-shit, shumë e rëndësishme në atë kohë, e deri më 1989 ndoshta me grevat e minatorëve dhe më pas anulimi i autonomisë së Kosovës. Brenda këtyre tetë vjetëve ka qenë një atmosferë shumë e tensionuar, por që edhe krizat e shumta politike nisin të bëhen të dukshme”, ka thënë ai, derisa shton se hulumtimin e kanë bërë për të kuptuar më mirë zhvillimet e asaj kohe.

“Ne duke bërë një hulumtim rreth të 80-ave kemi menduar që të kuptojmë specifikat e 80-ave. Mund të bëjmë një studim se çfarë Shkëlzen Maliqi si analist politik e filozof që ka ardhur nga Beogradi, që nuk ka qasje folklorike, me një formim tjetër intelektual. Kemi vendosur të bëjmë një bibliografi të Shkëlzen Maliqit mbi narrativat e ’80-ave që të tregojmë për këtë atmosferë tensionuese, por edhe ndryshimet politike”, ka thënë ai.

Sipas autorit Rada, vëllimi është edhe formë e ndryshimit të formimit intelektual të Maliqit si dhe gjendjes politike në Kosovë. E vetë autori i teksteve këtu e gati katër dekada më parë ka thënë se pasi është kthyer në Kosovë nga Beogradi, ku kishte shkuar për studime, e kishte përjetuar ‘fashizmin serb tek dilte në sipërfaqe’”.

Ai ka thënë se tekstet e tij kanë qenë kryesisht publicistike dhe eseistike.

“Me këtë qasjen që e kemi si sociologë, unë kam hyrë më shumë në publicistikë dhe eseistikë dhe filozofinë e kam lënë krejt anash, por e kam kompensuar edhe gjatë kohës kur jam marrë me politikë. E kam kompensuar duke u marrë me artet figurative kryesisht, sepse aty kam mundur deri diku të aplikoj dijen ose interesimin për t’u marrë me këto gjëra”, ka thënë Maliqi, derisa ka kujtuar kohën kur ishin marrë vesh për publikimet që sot janë objekt studimi të autorit Rada.

“Ka qenë një revistë në Kosovë, ‘Fjala’. Redaktori i saj Vehbi Kikaj më ka ftuar në redaksi, në vitet ‘84 apo ‘85 kam filluar të bashkëpunoj me ta dhe jam bërë anëtar i jashtëm. Kam nisur të shkruaja disa tekste, edhe kritika të filmave, por së pari kam pasur një kritikë për ‘Njeriu prej dheut’, sepse e kemi shikuar bashkë atë film dhe pas premierës kemi folur për filmin dhe kam vënë vërejtjet. Teza kryesore në tekst ka qenë se filmi trajton një temë shumë të rëndësishme – shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi – porse e ka bërë disi. Megjithëse ka qenë e kuptueshme, kanë qenë të shtrënguar. Por ka pasur edhe disa kritika për dramaturgjinë”, ka thënë kritiku e filozofi Maliqi.

Pasi nuk formulonte mirë fjalët shqip, titulli i njërit prej teksteve, të cilit ia kishte dërguar redaksisë në serbisht, i ishte ndryshuar kur i ishte përkthyer.

“Unë e kam menduar titullin në serbisht disi ‘dramaturgjia e gabuar’, por kur ai e ka përkthyer, e ka shkruar ‘dramaturgjia e pandehur’. Fjala ‘e pandehur’ ka qenë fjalë shumë e rëndë, sepse çdo proces që i ndiqte shqiptarët ishte i pandehur. Thoshin se filmi ishte i dyshimtë dhe ishin mbledhur komisionet”, ka kujtuar Maliqi.

Pos panelit, një ekspozitë në krejt hapësirën e katit të sipërm të objektit të Galerisë Kombëtare i ilustron të dy vëllimet. Kur regjisori Chris Marker kishte lajmëruar se nuk do të publikohej filmi mbi Kosovën, kishte deklaruar se “askujt nuk i bëhet vonë për Kosovën – deri në luftën e ardhshme”. Parulla “See you in the next war” është mbi imazhin e protestës së minatorëve të “Trepçës” në vitin 1989.

Aty shfaqen edhe sekuenca nga filmat “Gjurmë të bardha” të Ekrem Kryeziut, grafitet që shfaqen në filmin “Rojet e Mjegullës” të vitit 1988 të Isa Qosjes e pamje të protestave kundër xhirimeve të festës së 550-të të përvjetorit të Betejës së Kosovës më 1939.