Të enjten është publikuar edhe një nismë e re. Vjen nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo edhe në periudhën sa ka shërbyer si e para e vendit, edhe më pas është personi që është marrë më së shumti me kategorinë e të dhunuarave dhe të dhunuarve në luftën e fundit. Ka bërë publike një nismë unike: Muzeun për gratë dhe burrat e dhunuar në Kosovë. “Së bashku me ambasadorin gjerman në Kosovë, z. Rohde, nënshkruam sot në zyrat e fondacionit ‘Jahjaga’ marrëveshjen e bashkëpunimit për hapjen e muzeut të parë për gratë dhe burrat e dhunuar në Kosovë”, ka njoftuar ajo
Në Kosovën e pasluftës së fundit iniciativat për të ndërtuar e themeluar muze që kanë lidhje me luftën kanë qenë të shumta. Janë konkretizuar krejt një numër i vogël i tyre. Të enjten është publikuar edhe një nismë e re. Vjen nga ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga. Ajo edhe në periudhën sa ka shërbyer si e para e vendit, edhe më pas është personi që është marrë më së shumti me kategorinë e të dhunuarave dhe të dhunuarve në luftën e fundit. Ka bërë publik një nismë unike: Muzeun për Gratë dhe Burrat e Dhunuar në Kosovë.
Për këtë ish-presidentja Atifete Jahjaga, e cila udhëheq fondacionin “Jahjaga”, është në bashkëpunim me Ambasadën e Gjermanisë në Kosovë.
“Së bashku me ambasadorin gjerman në Kosovë, z. Rohde, nënshkruam sot në zyrat e fondacionit ‘Jahjaga’ marrëveshjen e bashkëpunimit për hapjen e muzeut të parë për gratë dhe burrat e dhunuar në Kosovë”, ka njoftuar ajo.
Sipas asaj që ka bërë të ditur Jahjaga, çështja e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë është një ndër plagët më të rënda të tërë vendit, “andaj qëllimi ynë kryesor është të rritet vetëdija e përgjithshme e popullit dhe të luftohet stigma e cila i rrethon të mbijetuarit”.
“Ashtu siç iu kam premtuar që nuk do lë gurë pa lëvizur derisa drejtësia të gjejë vend, ju premtoj që çdoherë do të jem pranë tyre. Nuk ka paqe të qëndrueshme pa drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë”, ka thënë ajo, midis të tjerash, pas nënshkrimit të marrëveshjes me ambasadorin e Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde. Jahjaga nuk ka bërë të ditur detaje të tjera sa i përket këtij projekti.
Muzetë e luftës, paqes, gjenocidit janë temë e kahershme në Kosovën e pasluftës. Në planet buxhetore të Ministrisë së Kulturës figuron edhe “Muzeu i Luftës në Prishtinë”. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij viti, për këtë projekt janë llogaritur 500 mijë euro veç për sivjet. Por ka mbetur thjeshtë një synim, si shumë nisma të tjera të MKRS-së.
Në vitin 2019, një tjetër nismë ishte marrë nga kryetari i asokohshëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli. Kishte nisur njëfarë fushate për atë që e quante muze të gjenocidit.
Madje në maj të atij viti, Veseli bashkë me asokohe ministrin e Kulturës, Kujtim Gashi, e ish-udhëheqësit e Agjencisë Kosovare të Privatizimit kishin vizituar ish-Tjegulloren në Prishtinë si hapësirë ku do të zinte vend ky muze.
“Besoj e shpresoj që me përkrahjen e të gjithë deputetëve do të fillojmë edhe ndërtimin e muzeut të gjenocidit. Muzeu i gjenocidit serb mbi qytetarët e Kosovës do të propozohet të jetë në këtë vend, në ish-Tjegulloren”, kishte thënë ai.
Model për muzeun e gjenocidit, sipas tij, do të ishin muzeu i holokaustit “Yad Vashem” në Izrael e “The Simon Wiesenthal Center”, një organizatë që po ashtu merret me hulumtimin e dokumentimin e Holokaustit.
Qeveria e Kosovës në mars të atij viti kishte ndarë 100 mijë euro për ta përkrahur fazën fillestare të realizimit të projektit të qendrës përkujtimore për gjenocidin mbi shqiptarët, “Bllaca 1999”. Vendimi i fillimmarsit për ndarjen e mjeteve e ka plotësuar atë të 12 shkurtit, nëpërmjet të cilit është aprovuar propozimi për themelimin e qendrës. Mjetet qenë ndarë nga kategoria e shpenzimeve rezervë. Propozimi ishte bërë nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup dhe nga Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga trojet e veta, me seli në Prishtinë. Shoqata drejtohej nga Jahja Lluka, njëherësh asokohe këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Bllaca 1999” është qendër përkujtimore, së cilës në prill të atij viti i ishte vënë guri themeltar. Sipas propozuesve, objekti do të ngrihej në pjesën e Kosovës, krejt afër Bllacës, përderisa 100 mijë eurot e Qeverisë ishin ndarë vetëm për fazën fillestare, ku atje ishin dërguar disa vagonë të trenit në kujtim të dëbimit të shqiptarëve për në Maqedoni më 1999. Vagonët ndërkohë janë dëmtuar disa herë, saqë tashmë është pamundësuar hyrja në ta. Projekti ka ngelur ashtu siç ishte në fazën fillestare.
Përderisa më 2019, sipas Veselit, hapësira prej 9.75 hektarësh e ish-Tjegullores ishte vend adekuat për muze të gjenocidit, tash atje Komuna ka vendosur që të ketë njëfarë qendre multifunksionale.
Në mars të këtij viti në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit është hapur Muzeu i Masakrës.
Eksponatet e civilëve të vrarë bashkë me rrëfimet prapa tyre në Muze janë të shumta. Ka edhe aso të familjeve që janë shuar krejtësisht. Muzeu i përuruar është një ndërtesë e stilit brutalist, që i shkon për shtat krejt konceptit. Është kuruar nga profesorë të Universitetit të Prishtinës në bashkëpunim me banorët. Investimi i Komunës së Rahovecit pa dyshim është prej më të vlefshmëve që ka bërë ky institucion në raport me kujtesën për ata që u vranë nga forcat serbe veç pse ishin shqiptarë. Rrëfimi brenda blloqeve të betonit nis me Krushën e Madhe si një fshat i njerëzve punëtorë. Shpaloset një historik i shkurtër i ditëve kur vendbanimi i madh vlonte nga të rinjtë që punonin e studionin, edhe pse nën masa aparteidi nga Serbia. Më pas vizitorët futen në ditët e tmerrshme të 25, 26 dhe 27 marsit. Fshati numëron 220 civilë të vrarë. Prej tyre mbi 100 të djegur në dy krematoriume. Midis tyre janë 7 fëmijë dhe pesë gra. Një shtatzënë. Kur këtij numri i shtohen edhe 21 dëshmorë, Krusha e Madhe llogarit 241 veta të vrarë në luftën e fundit. Dëmet materiale prekin milionat. Është prej muzeve më përmbajtjesorë në Kosovë.
Si një prej ambienteve më kuptimplota në vend për ekspozimin e masakrës që kishte pësuar fshati buzë Drinit të Bardhë në fundmarsin e vitit 1999, Muzeu është shndërruar në hapësirë që pret jo pak vizitorë. Përderisa në prill edhe me vendim të Kuvendit Komunal të Rahovecit ka marrë statusin e Muzeut, qëllim mbetet punësimi i stafit të rregullt.
Aktualisht në këtë muze është i angazhuar një person me kontratë të përkohshme. Në ndihmë i del edhe përgjegjësi i fshatit, Selami Hoti, në baza vullnetare. Numri i tij i telefonit qëndron në faqen e Muzeut në rrjete sociale.
Brenda Muzeut zënë vend edhe rrëfimet e mbi 200 të mbijetuarve të fshatit buzë Drinit të Bardhë. Janë përshkrimet e familjarëve për ditët kur humbën të dashurit e tyre. Secili është më i papërballueshëm se tjetri. Janë mbledhur gjatë viteve 2021 dhe 2022 nga studentë nën mentorimin e profesorëve të Departamentit të Antropologjisë në kuadër të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Pos si videointervista, rrëfimet janë botuar në dhjetë vëllime nën titullin “Kujtesa e Kosovës: Rrëfimet e të mbijetuarve të Masakrës së Krushës së Madhe”, projekt i nisur nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë pas një vizite që ish-ambasadori Philip Kosnett së bashku me bashkëshorten kishin bërë në Krushë të Madhe. Me mbështetjen edhe të Ministrisë së Kulturës, projekti është realizuar nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe nga Departamenti i Antropologjisë. Vëllimet ishin përuruar në BKK, një ditë para inaugurimit të Muzeut.