Me një vepër që rikthen imazhet e fuqishme të luftës – të tilla që u shpërndanë gjithandej nëpër media botërore dhe u bënë sinonim i dhimbjes dhe i sakrificës së refugjatëve – Kosova i është përgjigjur sfidës së kuratorëve që Bienalen e Venecias për vitin 2019 e kanë realizuar rreth temës “May you live in interesting time” (Të rroni në kohë interesante).
Tri fotografi të shkrepura në kohë lufte, katër personazhe dhe një përjetim personal i artistit Alban Muja i kanë dhënë zë një hapësire të zymtë, në skaj të hapësirës ekspozuese në Arsenale të Venecias, shkruan sot Koha Ditore.
Në vendin e rezervuar për Pavijonin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohorë, në formën e videoinstalacioneve zbërthehen prapaskenat e tri imazheve më të fuqishme që u bënë sinonim i dhimbjes së refugjatëve në luftën e viteve 1998-1999.
Muja, i cili është zgjedhur ta përfaqësojë shtetin e Kosovës në ngjarjen e madhe të artit pamor, pikënisje të projektit artistik ka pasur një fotografi të veten si refugjat, në të cilën shihet në afërsi të ish-kryeministrit spanjoll, Jose Maria Aznar.
Videoinstalacioni “Family Album” (Albumi familjar) i shpalosur në ekspozitën ndërkombëtare të artit “La Biennale di Venezia” bazohet në tri fotografi rrëqethëse, të realizuara para dy dekadash, por që në memorien kolektive vazhdojnë të jetojnë.
Ajo e nënës nga Kosova me foshnjën në duar, u pa gjithandej nëpër mediat më me nam nëpër botë, dhe nëna Sherife Luta me vajzën e saj u shndërruan në simbol të luftës e sakrificës. Jo më pak e njohur është fotografia e babait të përlotur që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave të hekurt, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.
Delegacionit të madh të Kosovës në parahapjen për vizitorë iu bashkua edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili e ka falënderuar Mujën që nëpërmjet veprës së tij e ka sjellë në vëmendje një pjesë të realitetit kosovar.
Më 2013 Kosova u përfaqësua me artistin Petrit Halilaj, i cili kishte paraqitur instalacionin “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Halilaj kishte ndërtuar një fole me thupra të eksportuara nga Kosova. Kësisoj, ai vizitorëve ua krijonte ndjenjën e izolimit. E më 2015-n, përfaqësuese e Kosovës ishte artistja Flaka Haliti me veprën “Speculating in the blue” (Spekulim në të kaltër).
Sivjet janë 90 shtete që përfaqësohen me pavijonet e tyre, përderisa ekspozita kolektive shpalos veprat e 79 artistëve...(Më gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")