Në pesëmbëdhjetëvjetorin e themelimit, Kori i Filarmonisë së Kosovës ka bërë histori duke realizuar turneun e parë në Angli, shkruan Koha Ditore.
Hastingsi, Shën Leonardi dhe Londra qenë pikëndalesat. Koncerteve të 6 dhe 7 majit në të cilat Kori do të prezantonte program "a capella", i parapriu interpretimi i "Requiemit" të kompozitorit italian Giuseppe Verdi. Hastingsi, një qytet në bregdetin jugor anglez, qe pritës dhe pikëndalesa e parë e Korit në kuadër të këtij turneu. Nikoqiri, Filarmonia e Hastingsit kishte zgjedhur 5 majin për të shënuar një përvjetor të veçantë, 90-vjetorin e themelimit të Korit të Filarmonisë së tyre.
Teatri "The White Rock", një shtëpi kulture po ashtu me histori mbi 90-vjeçare, ishte pritës i ngjarjes në të cilin dy koret dhe orkestra nën drejtimin e brazilianit Marcio da Silva, dirigjent permanent i Filarmonisë së Hastingsit, bashkuan forcat për të realizuar interpretimin e një vepre madhështore me kërkesa të mëdha interpretuese.
“Bisedat fillestare për këtë projekt të përbashkët janë bërë afërsisht para një viti në një prej kafeneve të Prishtinës”, tregon Marcio da Silva, tek bëhet gati për provën finale, vetëm disa orë përpara koncertit.
Da Silva disa herë kishte vizituar Prishtinën si mysafir i programit zyrtar të Filarmonisë së Kosovës. Ndonëse në presionin e kohës, dukej se po e gëzonte fakti që koha po numëronte së prapthi deri te momenti kur do të prezantohej rezultati i një pune të madhe.
"The White Rock" për një përjetim të veçantë muzikor
Teatri "The White Rock" dhe 1066 ulëset e tij − simbolikë e vitit të Betejës së Hastingsit e zhvilluar në mes anglo-saksonëve dhe frankonormanëve − tashmë ishin gati për të pritur publikun.
Me paraqitjet e tyre skenën e këtij teatri e kanë “shkelur” edhe emra të njohur të artit dhe kulturës britanike si: Russell Brand, Eartha Kitt dhe Jools Holland. Kryetarja e qytetit të Hastingsit, Judy Rogers, para se të niste koncerti u uroi mirëseardhje publikut dhe posaçërisht mysafirëve nga Kosova duke paralajmëruar “një përjetim të veçantë muzikor, si rezultat i bashkimit të dy koreve”. Në fjalimin e saj të shkurtër e preciz Rogers ka thënë se duke qenë në fund të mandatit “nuk kishte se si t'i vinte fundi më mirë përfundimit të mandatit, sesa realizimi i një koncerti madhështor si ky”.
Koncerti nisi qetë e ngrohtë me "Requiem" për prehjen e shpirtrave të atyre që s'janë më, duke kaluar në shpërthime me "Dies Irae" dhe forcën që kërkon interpretimi i veprës së Verdit për të deshifruar formulën muzikore që bart prapa një nga kryeveprat e literaturës së muzikës botërore. Edhe roli i solistëve është jashtëzakonisht i rëndësishëm tek "Requiemi" i Verdit dhe projekti ishte me fat që kishte në podium sopranon Susanna Gaspar, mexosopranon Catia Moreso, tenorin Emanoel Velozo dhe baritonin Edward Grint. Ky i fundit ndonëse u zëvendësua me paralajmërim shumë të shkurtër dha një paraqitje dinjitoze, e cila nuk të linte të mendosh se ishte gjetje e “minutave të fundit”. Koncerti rreth dyorësh u duartrokit nga publiku për minuta të tërë ndërsa kritika e vlerësoi si “performancë të barabartë” me interpretimin e lavdishëm të së njëjtës vepër në të njëjtin vend këtu gjysmë shekulli më parë, në drejtimin e dirigjentit anglez Sir Adrian Boult, në vitin 1967.
Tinguj shqip në kishën dyshekullore
Kisha e Krishtit e Shën Leonardit në det, e ndërtuar në stil të hershëm të arkitekturës angleze, qe pritëse e paraqitjes së dytë të Korit të Filarmonisë në Angli. Përgjegjësia qe dyfishuar meqë barra nuk ishte e ndarë në dysh si në rastin e një mbrëmjeje paraprake. Me një program kryesisht të panjohur për publikun britanik, i cili mbushi karriget e kishës, Kori kishte zgjedhur të prezantojë muzikën korale shqiptare që nga kompozitorët shqiptarë të mesjetës e renesancës Gjergj Danush Llapacaj dhe Jan Kukuzeli e deri tek muzika e kompozitorëve shqiptarë të brezit të mesëm të pasluftës së dytë botërore, Baki Jashari e Mendi Mengjiqi.
Muzika e Kukuzelit dhe Llapacajt është jo mjaftueshëm e njohur edhe për publikun shqiptar. Në drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, Kori i Filarmonisë prej vitesh ia ka vënë vetes detyrë kthimin në jetë të një literature të padëgjuar dhe të harruar në kohë. Ky repertor tashmë është sinonim për ansamblin, i cili pa diskutim është më përfaqësuesi dhe i besueshmi për të marrë përsipër një barrë të tillë. Në rolin e solistëve në "Coral" nga Kukuzeli u paraqitën tenori Liridon Sadriu dhe sopranoja Kaltrina Miftari, e cila e shoqëruar nga baritoni Safet Berisha ishin solistë në këngën tradicionale “Janinës ç'i panë sytë” e aranzhuar nga dirigjenti Rudi, e interpretuar në pjesën e fundit të koncertit.
Kori i këndoi edhe dashurisë përmes këngëve me melos popullor “Trëndelinë”, "Çorapet e burrit” dhe “Një lule” (me soliste Adelina Paloja - soprano) të kompozuara nga Tho mas Simaku, Lorenc Antoni dhe Rexho Mulliqi. Përveç muzikës shqiptare, “O Magnum Mysterium” nga Tomas Luis de Victoria, në interpretim të oktetit të përzier të Korit të Filarmonisë, “Come again” nga John Downland në interpretim të katërshes Kaltrina Miftari, Safet Berisha, Diellza Sylejmani dhe Shaban Behramaj, ishin veprat e kompozitorëve joshqiptarë që ishin përfshirë në program. Nga mesi i koncertit Kori rrethoi publikun për të interpretuar veprën “Music in the circle” nga kompozitori Mendi Mengjiqi, duke lëvizur partiturat me pentagramin rrethor e duke “përplasur” meloditë pa tekst në muret e kishës gati dyshekullore. "Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr" nga Baki Jashari e shkruar në vitin 1987, për narrator dhe kor të përzier, zuri vend drejt fundit të programit që zgjati gati 60 minuta. Në rolin e narratorit Korit iu bashkua aktori i cili jeton në Londër, Sokol Cahani. Vepra erdhi po aq fuqishëm sa edhe vargjet e Din Mehmetit, të cilat shpërfaqin shtypjen e shqiptarëve në kohën e regjimit serbo-jugosllav dhe luftën "për të ikur nga vdekja". Frymës dramatike i la vend "Xhike Loke" nga Rafet Rudi, e cila erdhi si epilog i prezantimit të muzikës shqiptare këtë mbrëmje. Në fund fare vepra "Nyon, nyon" e kompozitorit amerikan Jake Runestad solli një llojllojshmëri tingujsh dhe efektesh zanore duke krijuar një peizazh sonor, i cili përmbylli plot ngjyrë koncertin.
Stacioni i fundit - Londra
Përpara kthimit në Prishtinë, turneu i Korit të Filarmonisë së Kosovës do të përmbyllej në kryeqytetin britanik. "St. Mary at Hill", një nga kishat londineze me histori afërisht njëmijëvjeçare do të priste publikun e koncertit të fundit. Programi ishte përgjithësisht i njëjtë me atë të koncertit paraprak, ndonëse vepra e Mendi Mengjiqit i kishte lënë vend pjesës korale "A Ceremony of Carols" të kompozitorit britanik Benjamin Britten. Në rolin e solistëve u paraqitën sopranoja Adelina Paloja dhe kontratenori Safet Berisha të shoqëruar nga pianistja kosovare Yllka Istrefi, e cila prej vitesh jeton e vepron në Londër. Ndryshe nga dy koncertet e para, ky i Londrës solli në numër të madh edhe një pjesë të komunitetit shqiptar – londinez, të cilët i dhuruan Korit duartrokitje të gjata.
Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greiçevci, në fund turneun e cilësoi arritje kulmore të Kosovës në fushën e kulturës. “Ishim të mahnitur me zërat e bukur të Korit, të cilët dhuruan një spektakël të vërtetë artistik”, duke shtuar se "ky prezantim përpara publikut britanik përhap një imazh pozitiv në 10-vjetorin e Pavarësisë". Kritiku britanik Brian Hick paraqitjen e korit e kishte cilësuar “një udhëtim mistik dhe mbresëlënës”, duke cituar brenda shkrimit të tij drejtorin e Filarmonisë së Hastingsit, John Read, i cili pas paraqitjes së Korit të Filarmonisë së Kosovës kishte thënë: “Le të shpresojmë se do të kthehet së shpejti”.