Kori “Siparantum” me koncertin e së dielës mbrëma në një prej sallave më prestigjioze e ka vulosur një kapitull të ri suksesi. Kori nga Peja që la prapa një vit të suksesshëm, duke e përmbyllur me një seri prej tri koncertesh në Gjermani është kthyer pikërisht në kryeqytetin gjerman. Edhe këtë herë për t’u prezantuar me vepra shqiptare. Në mbrëmjen e së dielës, “Siparantum” ka dëshmuar potencialin në sallën e Filharmonisë së Berlinit.
Në sallën me formë pesëkëndëshe që pret orkestra e kore me nam, “Siparantum” ka vendosur në fokus vepra të kompozitorëve vendorë. “Siparantum” duke qenë i pari kor shqiptar që ka arritur të interpretojë në këtë skenë nuk ka dashur të humbasë shansin që të shpalosë vepra muzikore të kompozitorëve kosovarë. Ky edhe ka qenë qëllimi i koncertit i cili është vlerësuar si vështrim brenda muzikës së Gjermanisë, Hungarisë dhe Kosovës. Programi ku kanë qenë të përfshira tri vepra kosovare është vlerësuar si program me plot ngjyra e kontraste. Udhëheqësi i korit, Memli Kelmendi, ka theksuar se përkundër angazhimeve të shumta vitin e kaluar, që nga muaji nëntor ishin duke u përgatitur për këtë koncert. Ka shtuar se në mesin e sukseseve të fundit, koncerti në sallën e Filharmonisë së Berlinit ka një peshë të veçantë.
“Kur koret arrijnë të komunikojnë përmes tingujve, kulturave të ndryshme është gjëja më e rëndësishme, prandaj ne jemi shumë të lumtur që kësaj radhe edhe ne kemi qenë pjesë e këtij projekti”, ka shpjeguar Kelmendi për KOHË-n.
“Sing-Along Concert within the Choral Celebrations” është titulluar koncerti që është mbajtur pasditen e së dielës në Berlin. Ai është hapur me zërat e korit nga Hungaria “Ars Nova Vocal Ensemble choir” nën udhëheqjen e Katalin Kiss. Më pas skena i është dorëzuar korit nga Berlini “Kammerchor Canzonea” nën udhëheqjen e Nils Jensen për t’ia lëshuar radhën korit “Siparantum” nga Kosova.
Në zbërthim të veprës “Alter Umbra”, publiku është njoftuar me zërat e këtij kori. Vepra e kompozuar në vitin 2016 nga Memli Kelmendi është dëgjuar goxha në interpretimin e koreve të huaja. Në Berlin, nën dirigjimin e vetë Kelmendit vepra ka nisur me mesazhin e thjeshtë që e karakterizon atë: daljen nga errësira. Interpretimi i saj nga kori me solist, Shaban Behramajn në Berlin i është bashkuar mesazhit për paqe në botë. “Me nji lule” ka bërë që publiku të hyj në botën muzikore shqiptare. Vepra është kompozuar vitin e kaluar nga Kelmendi për “Festivalin Evropian për të rinj” dhe është e bazuar në ritme shqiptare. Teksti është një element përcjellës i bazuar në thënien “Me një lule nuk çel pranvera”. Mbrëmja ka vazhduar në një dedikim për figurën e Nënë Terezës me veprën “Mother Teresa” të kompozitorit Kreshnik Aliçkaj. Vepra ishte interpretuar në vitin 2016 në Romë në koncertin për shenjtërimin e Nënë Terezës. “Siparantum” me soprano Elonë Sadikun, në këtë vepër ka integruar edhe fizharmonikën nën lojën e instrumentistit gjerman Felix Krolla, i cili ka bashkëpunuar me orkestrën e Filharmonisë së Berlinit.
“Ne ishim me fat që takuam një instrumentist të nivelit të lartë artistik siç është Felix Kroll. Këtë vepër (Mother Teresa v.j.) ndonëse vetëm për dy ditë punë intensive, ne arritëm të realizojmë në mënyrën më të mirë të mundshme. Jam tejet i kënaqur që e realizuam këtë version të veprës në këtë nivel”, ka treguar Kelmendi.
Në veprën e “Dies Irae” të kompozitorit amerikan, Ryan Main, korit i është bashkuar edhe pianisti kosovar, Agron Shujaku. Dirigjenti Kelmendi ka thënë se me këtë koncert së bashku me korin kanë jetësuar një ëndërr të kahershme. Për Kelmendin prezantimi atje është një histori suksesi në vete për Kosovën. E ka vlerësuar si sukses edhe personal dirigjimin në skenën ku kanë dirigjuar jo pak emra botërorë si Richard Strauss, Herbert von Karajan, Claudio Abbado, Simon Rattle.
“Kjo ende po më duket një ëndërr. Padyshim që kur ekziston vullneti maksimal dhe puna shpërblehet, kjo është një dëshmi e punës dhe vizioneve që ne kemi”, ka shtuar tutje Kelmendi.
Se projekte të tilla i thyejnë kufijtë nëpërmjet koreve muzikore, e ka dëshmuar edhe interpretimi i fundit e koreve nga Hungaria, Gjermania dhe Kosova. Tre koret janë bërë bashkë në skenë të dielën mbrëma për të kënduar veprën vokalo-instrumentale të kompozitorit George Frideric Handel, “Himni i kurorëzimit”. Zërat e mbi 120 anëtarë të koreve të ndryshme interpretuan veprën nën dirigjimin e mjeshtrit Simon Carrington. Dirigjenti anglez e ka vlerësuar energjinë që e ka përcjellë në skenë kori nga Peja.
“Kori “Siparantum” na e solli një program shumë të bukur, me shumë kontraste, me shumë ngjyra dhe energji”, ka thënë ai.
Koncertit të së dielës së korit “Siparantum” i kanë paraprirë edhe dy koncerte të tjera në kryeqytetin gjerman. Më 4 mars, kori nga Peja ka interpretuar në “St. Mathäus Kirche” në Berlin. Ky koncert ka qenë i fokusuar në veprat korale të muzikës shqiptare dhe është realizuar në bashkëpunim me ChoralColaborations dhe Ambasadën e Kosovës në Berlin. Ky koncert u organizua si përmbyllje e aktiviteteve për nder të 17 shkurtit, Pavarësisë së Kosovës. Kurse më 5 mars, po ashtu në “St. Mathäus Kirche” në Berlin është mbajtur koncerti i radhës “Nacht Der Chore”. Përveç korit nga Kosova, aty janë prezantuar edhe kori nga Suedia “Gothenburg Chor” nën udhëheqjen e Anne Johansson dhe ansambli nga Hungaria “Ars Nova Vocal Ensemble” nën udhëheqjen e Katalin Kiss.
Së fundmi kori “Siparantum” ka hyrë zyrtarisht në rangimin për koret më të mira në botë, që bën bashkë një mijë kore. Është radhitur në pozitën 460-të dhe ka 896 pikë. Në mars të 2021-s kori mori pjesë në Festivalin Evropian për të Rinj, me traditë prej shtatë dekadash, që edhe sivjet virtualisht bashkoi 100 kore. Në tetor, kori nga Peja, që për herë të parë bëri që një kor nga Kosova të marrë pjesë në garën “Zlatna lipa” në Kroaci, mori “Pllakatin e Artë”. Kurse në nëntor, në garën më të madhe në botën e muzikës korale që mbajti edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës, për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. U kthye në shtëpi edhe me çmim. Mori medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore.