Gara më e madhe në botën e muzikës korale ka mbajtur edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës. Për një javë këto dy qytete kanë mirëpritur 308 kore nga e gjithë bota. Në mesin e tyre ishte edhe kori “Siparantum”, që për herë të parë e vendosi emrin e Kosovës në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. Në shtëpi Kori u kthye edhe me çmim. Rrugëtimi deri atje nuk ishte aspak i lehtë, u përballen me vështirësi financiare e pastaj edhe me pandeminë
Peja ia ka dalë që ta përfaqësojë suksesshëm Kosovën edhe një Olimpiadë. Pas sukseseve të xhudistëve në Lojërat Olimpike kori “Siparantum” i qytetit perëndimor ka triumfuar në atë që konsiderohet si Olimpiada e muzikës korale. Ka marrë medalje si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore në Lojërat Botërore të Korit. Dirigjenti dhe themeluesi i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, bashkë me anëtarët e tjerë kanë marrë rrugën për në Kosovë. Nga aeroporti i Belgjikës për KOHËN ka thënë se ky lajm është një shtytje që të fokusohen në suksese të tjera. Sipas tij, kjo medalje është veç fillimi i rrugës së suksesshme të muzikës korale që po trasohet në vend. Kjo është hera e parë që “Siparantumi” u bë pjesë e kësaj Olimpiade duke bërë kështu që edhe Kosova të përfaqësohet për herë të parë në historinë mbi dydekadëshe të kësaj ngjarjeje.
Gara më e madhe në botën e muzikës korale ka mbajtur edicionin e saj të 11-të në Gent dhe Antwerp të Belgjikës. Për një javë këto dy qytete kanë mirëpritur 308 kore nga e gjithë bota. Ngjarja ishte madhore, ani pse për shkak te pandemisë ajo u mbajt në formatin hibrid. “Siprantumi” ishte në mesin e 108 koreve që patën mundësinë që të performonin live dhe me prani fizike të publikut dhe jo virtualisht si pjesë tjetër. Në total 51 vende ishin të përfshira në edicionin e sivjetmë, përfshirë këtu koret pjesëmarrëse, juritë dhe bashkëpunëtorët e ndryshëm. Ky edicion - nën moton: “Të këndojmë së bashku për të ndarë lumturi” - ishte planifikuar të mbahej vitin e kaluar, por u shty për shkak të koronavirusit.
Lojërat Botërore të Korit kanë 34 kategori të ndryshme duke nisur nga garat për kore për gra, burra, të përzier, për të rinj, muzikë pop, rock, muzikë kishtare, klasike e të tjera. Edicioni i sivjetmë që bëri bashkë 11 mijë pjesëmarrës nisi më 30 tetor dhe përfundoi të dielën. Ceremonia përmbyllëse u mbajt në Antwerp, ku iu bë e ditur shpërblimi edhe korit nga Kosova që në programin e vet për këtë garë pati katër vepra: “Pax” e kompozitorit Memli Kelmendi, “Siparantum” e kompozitorit Kreshnik Aliçkaj, “Amor Io Fallo” e Jan Van Der Roost dhe “Nyon Nyon” e Jake Runestad.
Koenraad de Meulder, drejtor i Lojërave Botërore të Korit, ka thënë se kjo ngjarje nuk është vetëm për të garuar. Sipas tij, pjesëmarrja është diçka shumë e rëndësishme për koret.
“Këtu koret kanë mundësinë që të mësojnë kulturën korale nga të gjitha vendet e mundshme e ku secili ka identitetin e tyre dhe mënyrën e vet të të performuarit. Kjo me të vërtetë është një pasurim”, ka thënë ai.

Për të marrë pjesë në këto gara në janar të vitit të kaluar “Siparantum” ishte detyruar ta lansonte thirrjen për ndihmë nga biznese e artdashës. U nevojiteshin 23 mijë euro që të mbulonin krejt shpenzimet. Për të mos pasur telashe në sigurimin e mjeteve, Kori kishte përdorur disa alternativa. Njëra prej tyre ishte edhe një video njëminutëshe.
“O vendi ynë, për kulturën tonë kontribuo. Historia shkruhet vetëm një herë”, janë fjalët që anëtarët e korit “Siparantum” shqiptojnë në formë kënge një video që ishte publikuar atëherë e ku shihej edhe numri i xhirollogarisë ku njerëzit mund të kontribuonin.
Kelmendi, i cili është anëtar i Këshillit Botëror të Koreve apo “World Choir Council” që nga viti 2019, ka thënë se pjesëmarrja është një sukses i jashtëzakonshëm, kurse shpërblimi i shumëfishon nderin, krenarinë dhe gëzimin e tyre.
“Një sukses i padiskutueshëm i punës sonë vullnetare që kemi bërë tash e katër vjet e me të cilën kemi arritur që ta vendosim Kosovën brenda rrjetit koral më të madh në botë. Edhe sikur të mos kishin fituar ne kemi qenë të lumtur me pozitivitet dhe qasjen që kemi ofruar”, ka thënë ai, gjersa ka shtuar se shpërblimi është një tregues i mirë i misionit që ka “Siparantumi”, të promovojë, vlera, kulturën, muzikën dhe kompozitorët shqiptarë. “Kjo tregoi se ne sot jemi të barabartë me gjithë botën”, ka thënë ai. Ka shtuar se janë vlerësuar për interpretimin, por edhe për programin e përzgjedhur.
“Duke u nisur nga fakti se kanë qenë mbi 300 kore ndër to edhe të tilla që kanë marrë çmime në ngjarje prestigjioze të muzikës korale, për ne ka qenë nder që me prezantimin e parë kemi marrë edhe çmim. Një sukses jashtëzakonisht i madh për ne tregon rrugën e drejtë që jemi duke e zhvilluar si shoqëri. Ne nuk do të ndalemi dhe ky është vetëm një sukses në mesin e shumë sukseseve të tjera që do të vijnë në të ardhmen”, ka thënë ai, gjersa këtë eksperiencë e ka cilësuar të jashtëzakonshëm për secilin anëtar të Korit. Gjatë këtyre ditëve kori ka performuar në hapësira të ndryshme, ku është zhvilluar festivali si në sallën “Handelsbeurs” në Antwerp, si dhe në sallën me të njohur të këtij qyteti në “Queen Elisabeth Hall”.
Kori “Siparantum” është themeluar në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Ky kor ka një tjetër qëllim të rëndësishëm – të promovojë Kosovën në rajonin e Ballkanit dhe në mbarë botën përmes muzikës artistike dhe ndërkombëtare të përbërë nga kompozitorë të mirënjohur nga shekujt e kaluar e deri në ditët e sotme.
Lojërat Botërore të Korit mbahen çdo dy vjet dhe organizohen në shtete të ndryshme. Herën e kaluar në vitin 2018 ishin mbajtur në Afrikën Jugore, kurse vitin e ardhshëm është planifikuar që të mbahen në Korenë Jugore.