“Thjesht madhështor”, ka qenë komenti që ka dhënë dirigjenti i njohur polak, Piotr Sutt pas koncertit të “Siparantumit” në Universitetin “Adam Mickiewicz” në Poznań të Polonisë. Dhe ka pasur të drejtë e mjaftueshëm dëshmi. Në sallën mbresëlënëse ku përplasen epokat e artit, Kori nga Kosova ka rrëfyer edhe dramën e trishtë të këtij vendi, por njëkohshëm i ka dhënë zë edhe shpresës. E ka bërë këtë edhe me vepra shqiptare si “Before” të kompozitorit Mendi Mengjiqi e “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” të Baki Jasharit. Por Kori Kamertal i Universitetit ka interpretuar “Xhike Loke” të Rafet Rudit që ka qenë kapitull më vete
Orkestra Universitare është ajo që u uron mirëseardhje publikut dhe koreve mysafire në mbrëmjen e rezervuar për formacionin koral vendor e tri ansamblet që interpretojnë për herë të parë në Poznań. Universiteti “Adam Mickiewicz” ka histori që daton qysh prej shekullit XVI dhe mban emrin e eseistit, dramaturgut e poetit të njohur polak, Adam Mickiewicz. Me ndikim edhe në letërsinë ukrainase e bjelloruse, vetë fakti që Universiteti bart emrin e tij është tregues se institucioni e ka prioritet artin e kulturën. Rektorati gjenden në ndërtesën është salla koncertale që shkurt njihet si “AMU”.
Shtatorja e stilit realist përballë Rektoratit e cila paraqet intelektualin polak, Mickiewicz ia shton edhe më domethënien sheshit që gjendet në atë që mund të konsiderohet zona e parë e qytetit perëndimor polak. Afër kufirit me Gjermaninë kjo zonë ka përjetuar shumë histori.
Ndërtesat në stilin gotik e të renesancës janë dëshmitare të luftërave, konflikteve të tjera, të momenteve dramatike e romantike.
Prej kësaj jave janë edhe dëshmitare të kulturës muzikore të Kosovës. Kori Kamertal i Universitetit në shenjë respekti për formacionet mysafire ka interpretuar vepra të vendeve të tyre. Me rekomandim të dirigjentit të korit “Siparantum”, Memli Kelmendi, nikoqirët kanë interpretuar veprën “Xhike Loke” të kompozitorit e dirigjentit Rafet Rudi. Performanca ka qenë një lloj spektakli më vete. Theksi polak i koristëve duke e ruajtur bazën e veprës e ka shtuar simbolikën e mirëseardhjes. Në anën tjetër, publiku vendor që e ka mbushur goxha sallën, ka prekur pak nga krijimtaria e një prej kompozitorëve më të njohur që ka Kosova. Por rrëfimi i Kosovës në qytetin që daton qysh në shekullin XIII nuk ka përfunduar me kaq.

“Epoka” në festivalin “Universitas Cantas”
Të enjten mbrëma në koncertin mbi tri orësh, janë paraqitur tri kore. “Siparantum” nga shteti më i ri i Evropës, ka treguar potencialin interpretues, pak nga historia e muzikës korale prej vendit nga vjen e brenda saj edhe tragjedinë që e ka përcjellë popullin që e përfaqëson. I treti me radhë pas korit vendor e atij finlandez të Universitetit “Tampere”, “Siparantum” është ngjitur në skenë në sallën që ka dy nivele për publik dhe njihet si një prej hapësirave më të mira sa i përket akustikës në gjithë Poloninë.
“Media Vita” e Michael McGlyn e ka hapur “epokën” e Korit kosovar në festivalin “Universitas Cantas”. Ka vazhduar me “Earth song” të kompozitorit, Frank Ticheli e “Fire” të Katerina Gimon. Publiku, shumë prej të cilëve profesionistë, ngadalë kanë nisur të shohin identitetin e Korit që koreografinë e ka veçori. Në Festivalin Ndërkombëtar të qytetit polak për 15 edicionet paraprake kanë interpretuar kore të ndryshme. Është bienale që mbledh kultura nga anë të ndryshme të botës. “En ’s avonds” me orkestrim të Memli Kelmendit ka qenë e radhës, për t’i hapur rrugë një vepre nga Kosova. “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”, e Baki Jasharit e ka efektin e padiskutueshëm. Koreografia ia shton dramacitetin, duke e bërë publikun tejet kureshtar jo veç për paraqitjen vokale e vizuale, por edhe për përmbajtje. Me soliste Aurora Hysenin, “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr” është interpretuar si dramë. Me vargjet e poezisë së Din Mehmetit, vepra e ka futur publikun në një tjetër dimension: në atë siç e ka edhe titullin. Momenti kur të gjithë anëtarët e Korit janë shtrirë për t’u ngritur solistja, është dukur sikur ajo ecën mbi kufoma. E ambienti i qytetit nikoqir ka histori të gjatë kufomash. Pak më larg se 400 kilometra e ka Auschwitzin, ku u bënë krimet më të mëdha të Luftës së Dytë Botërore. Jo pak viktima janë bartur nëpërmjet Poznańit. Edhe vendi prej nga vijnë koristët e “Siparantumit” kufomat kolektive i ka pamje të freskëta. Ende nuk janë bërë as çerek shekulli prej kur Kosova përjetoi luftë të përmasave gjenocidale. Por ngritja e koristëve në këmbë vjen si shenjë triumfi e manifestim i lirisë.

Nën përcjelljen në piano të Denita Dedushajt janë interpretuar edhe veprat “Dies irae” me kompozim të Ryan Main dhe “Sometimes I feel like a motherless child” me soliste Erletë Rexhepin. Bashkë me vepra të tjera, “Siparantum” për më shumë se gjysmë ore ka mbajtur publikun nën tension. Kjo ka qenë e dukshme.
“...i dëgjon ata sikur të ishin një person”
Dirigjenti i njohur polak, Piotr Sutt, i cili ka mbajtur punëtori e prova me koret mysafire për koncertin përmbyllës ka vlerësuar goxha zellin e koristëve kosovarë. Për koncertin ka thënë se ishte një befasi e bukur.
“Koncerti ishte fantastik dhe në opinionin tim janë dy pika: Nuk është e shpeshtë të shohësh një kor që brenda një sekonde i dëgjon ata sikur të ishin një person, absolutisht e njëjta ngjyrë dhe nga ai moment ka lëvizje nga e djathta, e majta, poshtë e lartë dhe sheh shkëlqim ngjyrash e intonacionesh bashkë me shkallë zërash. Kjo është e mrekullueshme dhe nuk është e shpeshtë”, ka thënë ai. Sipas Sutt, nganjëherë dirigjentët nuk brengosen për audiencën.

“Këtu ishte e kundërta, e gjithë energjia dhe emocionet e audiencës përcilleshin. Rritej energjia e audiencës, binte poshtë e ngrihej prapë në krejt strukturën e programit. Ishte një koncert i tërë jo veç një pjesë e koncertit. Thjesht madhështor”, ka thënë Suut.
Koristja Fëllanza Taraku pas koncertit ka thënë se e kanë vërejtur se audiencat e reja shokohen kur i shohin, shkaku i paragjykimeve që kanë për Kosovën.
“Mendoj se kjo ndodhi edhe sonte. Mandej pyetjet që morëm nga audienca pas koncertit e tregojnë këtë. U përmend domethënia që ka ‘Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr’ dhe për pjesë të tjera të performancës. Vazhdimisht ajo çfarë na thotë audienca pas koncerteve është e mirë”, ka thënë ajo. Sipas Tarakut, komentet që marrin nga audiencat e reja u japin shumë vullnet dhe ua kthjellin pikëpamjet që të shohin se ku janë dhe nga po shkojnë.

“Veprat tona vetëm fuqizohen kur luhen jashtë”
Udhëheqësi artistik e dirigjenti i korit “Siparantum”, Memli Kelmendi ka thënë se duke e ditur që Polonia qëndron ndër vendet më të zhvilluara të muzikës, sidomos asaj kontemporane, kanë punuar shumë.
“Vendi ynë ka veç 25 vjet liri dhe mendoj që jemi në rrugë të mirë. Sfidat që kemi pasur dhe kemi ne, këta i kanë kaluar tash e sa kohë. Ky është një promovim i mirë jo vetëm për ne, por edhe për vendin tonë. Shkolla polake ka një ndikim të jashtëzakonshëm në muzikë”, ka thënë ajo. Për këtë arsye, ka thënë ta kenë luajtur edhe veprën “Before” të kompozitorit Mendi Mengjiqi, i cili është edukuar për muzikë në Poloni dhe sipas Kelmendit, ka sjellë një frymë të re në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur që si Kor nuk u jemi nënshtruar kritikave të brendshme në Kosovë, pasi kemi pasur kritika që koreografia nuk duhet të jetë pjesë e interpretimeve sidomos në udhëtimet jashtë vendit. Mendoj që kjo është një qasje gabim. Vërtet kam pasur dyshim për këtë, pasi Koret që u paraqitën sonte nuk e bënë një gjë të tillë. Por në koreografinë e kemi identitet të Korit dhe kjo sonte ka ndikuar shumë në emocionalitetin e audiencës”, ka thënë ai. Në këtë rast, ka shtuar se mënyra më e mirë e shpërfaqjes së viktimave të luftës së fundit në Kosovë është me veprën e kompozitorit Baki Jashari “Pakëz në ëndërr, pakëz në zhgjëndërr”. Ka thënë se mundohen t’ia ruajnë origjinalitetin e veprës, por e kanë kthyer në një tjetër dimension. Kurse për rekomandimin që kori polak të luajë veprën e dirigjentit Rafet Rudi, ka thënë se rrethanat kosovare duhet të tejkalohen kur bëhet fjalë për promovimin e vlerave.

“Veprat tona vetëm fuqizohen kur luhen jashtë. Kjo (Xhike loke v.j.) ka ngjallur entuziazëm jo veç te ne sonte, por edhe tek audienca”, ka thënë Kelmendi.
Hapësira ku mbahet Festivali bashkë me organizimin janë përtej rrethanave edhe të vendeve më të zhvilluara se ato ballkanike. Sipas zëvendës-rektorit Rafał Witkowski, ata qe e njohin Universitetin e dinë që në këtë vend mësohet e lexohet shumë. Por pos kësaj, ka shumë që e duan këndimin.
“Çdo dy vjet ne këtu organizojnë një ngjarje speciale ku profesorë, studentë e mjeshtër te këngës marrin pjesë. Ne kemi kënaqësinë ta bëjmë këtë dhe besoj që këtë kënaqësi do ta keni edhe ju. Kjo është e bukura e të qenit njeri me bazë kulture dhe i edukuar”, ka thënë ai. Hapësira universitare e audienca polake të enjten mbrëma kanë prekur pak nga kultura e Kosovës. Nga kultura e vendit që luftën e ka të freskët e ngjarjet dramatike shpesh aktuale. Por në Poloni, siç bën nëpër shumë vende evropiane, “Siparantum” nuk ka rrëfyer veç për drama, por edhe ka “folur” për shpresë e ka dhënë mesazhe paqeje. Ka treguar se kulturalisht vendi prej nga vjen synon edukatën e që në bazë e ka kulturën.