Dirigjenti Memli Kelmendi duket t’ia ketë vënë vetes qëllim që me Korin e Filharmonisë së Kosovës të vijnë në një format tjetër koncertesh, duke e thyer konvencionalitetin. Në program pati vepra të periudhave të ndryshme dhe kompozitorë të njohur. Nuk munguan as veprat e kompozitorëve shqiptarë, si “Dimër” e Hajrullah Sylës – që erdhi premierë – “Sa bukur ka dalë nusja” e vetë Kelmendit dhe “Siparantum” e Kreshnik Aliçkajt
Se një dirigjent jo rrallë e ka në dorë ta bëjë një orkestër a kor të tingëllojë krejt ndryshe, është vërtetuar të martën mbrëma në koncertin e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Memli Kelmendi, nëpërmjet qasjeve, stilit, muzikalitetit e provave, ka sjellë një tjetër anë të koristëve.
Koncerti i së martës qe një dëshmi për këtë, e kësisoj e ka parë edhe vetë dirigjenti Kelmendi.
Sipas tij, në kohë pandemie, kur ndjekësit e muzikës e kanë të kufizuar pjesëmarrjen dhe institucionet po përballen shpeshherë me mbyllje totale, koncertet e tilla atraktive e ngjallin kulturën.
Në program pati vepra të periudhave të ndryshme dhe kompozitorë të njohur. Nuk munguan as veprat e kompozitorëve shqiptarë, si “Dimër” e Hajrullah Sylës – që erdhi premierë – “Sa bukur ka dalë nusja” e vetë Kelmendit dhe “Siparantum” e Kreshnik Aliçkajt.
Inkuadrimi i instrumenteve të ndryshme – piano, kontrabas, tamburinë, kastanetë dhe fizarmonikë – ka thyer linjën e koncertit, teksa ia ka shtuar atij gjallërinë. Në anën tjetër, interpretimi i solistëve nga ballkoni i Ateliesë së Pallatit të Rinisë, ku u mbajt koncerti, ose edhe duke dalë nga rendet e publikut, ia dhanë pa dyshim një përjetim më të veçantë koncertit.
Megjithatë, derisa koncerti mori formën e një hapi ndryshe, u nis me vepra të cilat kanë shpërfaqur lidhshmërinë me paraqitjet e mëparshme.
Vepra e parë që u interpretua ishte “Abendlied. Op. 69.No.3” e kompozitorit gjerman Josef Rheinberger, që njihet për gërshetimin e shpirtit modern romantik, për të vazhduar me “Weep, o mine eyes” të kompozitorit anglez John Bennet, e pastaj “Dimër” të kompozitorit shqiptar Hajrullah Syla, që solli për publikun krijimtarinë e hershme të kompozitorit 29-vjeçar, të cilën e pati kompozuar gjatë studimeve.
Për këtë kompozim, sopranoja Shkurta Hysaj u paraqit për pjesën e saj solistike nga ballkoni i Ateliesë së Pallatit të Rinisë dhe Sportit.
Kompozitori Syla ka thënë se vepra sjell një anë tjetër të kompozimeve të tij, njëlloj siç bëri koncerti me Korin e Filharmonisë.
“Programi i Filharmonisë ishte më ndryshe sesa koncertet e tjera. Një program që është atraktiv në stilin e vet, që sjell një shije të mirë te publiku, e që besoj se është realizuar shumë mirë”, ka thënë ai.

Megjithëse kompozimi i Sylës ishte veçse një shkëndijë e asaj që do të vinte më pas, vepra e njohur afrikano-amerikane “Joshua Fit the Battle of Jericho”, nën aranzhimin e Carsten Gerlitz, përveç anëtarëve të korit, solli edhe multi-instrumentistin Visar Kuçi në kontrabas. Dirigjenti, anëtarët e Korit e Kuçi, gjersa sollën një stil jazz, melodi e ritëm të gjallë, nxitën energji dhe inspirim me vënien në pah të anës atraktive të këngës që besohet se është shkruar nga skllevërit në gjysmën e parë të shekullit të 19-të.
Goxha atraktive erdhi edhe vepra “Counting Music” e kompozitorit Chris Lawry, e “Sa e bukur na ka dalë nusja” e kompozitorit Memli Kelmendi, me Diellza Sylejmanin në tamburinë. Gjallëria u mbajt me veprën “Danza” të kompozitores moderne për muzikë korale, Linda Spevacek Avery. Gjersa Kori interpretoi pjesët e veta, sopranoja Arta Jashari ishte ulur midis publikut. Nga aty ia nisi interpretimit të pjesës së saj solistike, të cilën e përfundoi në skenë duke kërcyer e ndjekur melodinë e ritmin, e shoqëruar në piano nga Agron Shujaku, Diellza Sylejmani në tamburinë, e në kastanetë nga Donjetë Krasniqi.
Gjersa Kori interpretoi pjesët e veta, sopranoja Arta Jashari ishte ulur midis publikut. Nga aty ia nisi interpretimit të pjesës së saj solistike, të cilën e përfundoi në skenë (Foto: Arben Llapashtica)
Për pianistin Agron Shujaku ky ishte bashkëpunimi i parë me Filharmoninë e Kosovës.
“Ishte një eksperiencë e veçantë, duke marrë parasysh se Kori i Filharmonisë është kor profesional dhe kryesor i Kosovës. Ishte eksperiencë interesante, megjithëse unë jam mësuar me program të tillë atraktiv brenda të cilit Kelmendi mundohet të ngërthejë zhanre të ndryshme pasi jemi mësuar që në muzikën korale të dominojnë vepra të karakterit religjioz”, ka thënë ai.
Veprat e tjera – “The Rose” e kompozitorit norvegjez Ola Gjeilo, “Amor io Fallo” e kompozitorit belg Van Der Roost, vepra spirituale “Deep River”, “Siparantum” e Kreshnik Aliçkaj, “Dies Irae” e Ryan Main, “Rondes” e kompozitorit suedez Folke Rabe dhe “Rosasa Pandan”, aranzhuar nga George G. Hernandez – vazhduan ta mbanin gjallë interaktivitetin në mes të publikut dhe Korit.
Veprat e tjera – “The Rose” e kompozitorit norvegjez Ola Gjeilo, “Amor io Fallo” e kompozitorit belg Van Der Roost, vepra spirituale “Deep River”, “Siparantum” e Kreshnik Aliçkaj, “Dies Irae” e Ryan Main, “Rondes” e kompozitorit suedez Folke Rabe dhe “Rosasa Pandan”, aranzhuar nga George G. Hernandez – vazhduan ta mbanin gjallë interaktivitetin në mes të publikut dhe Korit (Foto: Arben Llapashtica)
Fakti se dirigjenti, publiku e interpretuesit ishin në një lartësi me njëri-tjetrin – krahas gjetjeve atraktive nga ana e solistëve – e bëri edhe më të lehtë komunikimin midis tyre.
E përgatitja për gjithë këtë nuk ishte e lehtë, pasi Korit i është dashur të ushtrojë në grupe të vogla për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, që ishin në fuqi gjatë kohës së provave.
“Këto pesë vjetët e fundit e kam analizuar pak programin e Filharmonisë së Kosovës dhe repertorët të cilat janë luajtur. Kam parë diçka ndryshe dhe kam menduar se duhet ardhur me një program krejtësisht ndryshe”, ka thënë Kelmendi. Kjo është bërë duke inkorporuar vepra të kompozitorëve shqiptarë, e ato nga repertori koral botëror, që së bashku mbërthejnë brenda vetes periudha të ndryshme që nga renesanca e deri te muzika bashkëkohore.
“Mendoj që ky program e dërgon Filharmoninë në një hap tjetër, nuk them më mirë por është më ndryshe”, ka thënë Kelmendi. Sipas tij, programi është përzgjedhur që të jetë atraktiv, duke marrë parasysh edhe pandeminë dhe ndikimin që ajo ka pasur te publiku, por edhe te vetë anëtarët e Korit.
Fakti se dirigjenti, publiku e interpretuesit ishin në një lartësi me njëri-tjetrin – krahas gjetjeve atraktive nga ana e solistëve – e bëri edhe më të lehtë komunikimin midis tyre (Foto: Arben Llapashtica)
Sipas pianistes Pranvera Hoxha, bashkëpunimi kreativ i Kelmendit me Korin, por edhe me instrumentistët që u bënë pjesë e këtij koncerti, i ka lënë mbresa edhe audiencës së pranishme.
“Ishte një mbrëmje shumë e këndshme, sidomos në këtë situatë pandemike. Ishte shumë freskuese dhe aq më tepër dua të përgëzoj kolegët, veçanërisht edhe Memlin, që si dirigjent i ri ka sjellë shumë të reja në këtë mbrëmje, vepra që ndoshta nuk i kemi dëgjuar më herët si dhe interaktivitet në mes të kolegëve e publikut, gjë që e bëri mbrëmjen akoma me të veçantë”, ka thënë ajo.
Në kuadër të këtij sezoni, orkestra harkore e Filharmonisë së Kosovës ka mbajtur koncert të mërkurën, prej orës 18:00, në “Kino Lumbardhi”, në Prizren.