Prishtinë, 10 tetor – Me “instrumente” jo të zakonshme do të përmbyllet edicioni i dytë i festivalit të muzikës vokale “Prishtina International Vocal Festival”. Koncerti, që mbahet sot (e enjte) në mbrëmje duke filluar nga ora 20:00 në kishën katolike “Shën Ndou” në Ulpianë, do të jetë i pari për këtë sezon për Korin e Filarmonisë së Kosovës.
Ky është bashkëpunimi i dytë i Filarmonisë së Kosovës me këtë Festival. Herën e parë bashkëpunuan vitin e kaluar. Vepra “Yjet” e kompozitorit nga Letonia, Eriks Esenvalds, do të sjellë këto “instrumente” të pazakonshme në duar e anëtarëve të korit. Përveç Esenvalds, do të interpretohen edhe veprave të kompozitorëve si José Fajardo, Ko Matsushita, Eric Whitacre, Julio Dominguez, Steve Dobrogosz, e të tjerë. Pos asaj se çfarë “instrumentesh” do të përdoren, detajet e tjera të koncertit janë bërë të ditura, të mërkurën në konferencën për media në Filarmoninë e Kosovës. Muzika bashkëkohore është esenciale në repertor.
Baki Jashari, drejtor i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se për këtë koncert së bashku me dirigjentin spanjoll Fernardo Briones, dhe organizatorët e Festivalit kanë përpiluar një program atraktiv me vepra të këtij shekulli.
Përveç Korit dhe solistëve, në këtë koncert disa vepra do të përcillen edhe nga kuarteti harkor i Filarmonisë së Kosovës, ku bëjnë pjesë Gëzim Latifi (violinë), Erlinda Gashi (violinë), Arianit Shehu (violë) dhe Antonio Gashi (violonçel). Në piano do të jetë Artemida Qarri-Haxhija.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")