Kulturë

Koreografi që bashkon Kosovën në valle

Koreografi Xhemali Berisha ka shkuar nëpër të gjitha zonat e Kosovës për të mësuar për muzikën, vallet e traditën. Ato i ka gërshetuar më pas me punën e tij me ansamblin “Shota” me misionin që këto valle nëpërmjet ansamblit profesionist t’i bartë kudo në Kosovë e përtej. Një pjesë e kontributit të tij lidhet edhe me diasporën, atje ku u zhvendos në kohën kur aktiviteti i tij me “Shotën” u vështirësua. Opoja për të, jo veç si vendlindje, është edhe një vend i pasur inspirimi. Aty vallet edhe këndohen

Kur flet për jetën e tij si koreograf kujtimet kapërcejnë në pesë dekada. Por filli i tij me vallëzimin ishte qysh herët. Gjithçka nisi në Opojë, në fshatin Buçaj, aty ku u lind. Ritmi i valleve ishte përherë i pranishëm. Me plot gazmend është fëmijëria e koreografit Xhemali Berisha, i cili sivjet ka festuar 50-vjetorin e krijimtarisë së tij artistike si koreograf. Vallet e tij janë përshkim i hartës së Kosovës. Por për t’i krijuar ato është dashur punë. Berisha ka shkuar nëpër të gjitha zonat e Kosovës për të mësuar për muzikën, vallet e traditën. Ato i ka gërshetuar më pas me punën e tij me ansamblin “Shota” me misionin që këto valle nëpërmjet ansamblit profesionist t’i bartë kudo në Kosovë e përtej. Një pjesë e kontributit të tij lidhet edhe me diasporën, atje ku u zhvendos në kohën kur aktiviteti i tij me “Shotën” u vështirësua. Opoja për të, jo veç si vendlindje, është edhe një vend i pasur inspirimi. Aty vallet edhe këndohen.

“Sa u përket traditave në Opojë, mund të them se vallet tradicionale të Opojës ku janë një cikël i valleve, ku janë 11 valle të burrave dhe 4-5 valle të grave që janë valle të kënduara, sepse ato edhe vallëzojnë, edhe këndojnë. Cikli i valleve të burrave merret ndër vallet më karakteristike ku dominojnë fusha epike dhe fusha epiko-lirike. Unë nga ky cikël i valleve të burrave kam shkëputur vallen e gjashtë, që e kam emërtuar ‘Vallen e Takisë’, ishte axha im që e vallëzonte këtë valle shumë mirë”, ka treguar Berisha në emisionin “Pro X” të KTV-së. Rrëfimi i tij është i tëri i lidhur me muzikën e vallëzimin. Thotë se s’kishte si të ishte ndryshe pasi që babai ishte valltar i dalluar e nëna i këndonte për mrekulli.

“Babai im ka qenë valltar i shkëlqyeshëm i valleve tradicionale dhe nëna ime në atë kohën e rinisë thonë se ka qenë këngëtare e shkëlqyer e këngëve të Opojës”, ka treguar ai. Sipas Berishës, është e vështirë të gjesh ndonjë opojan që nuk di të vallëzojë. Vallëzimi tradicional thotë se është diçka që e bëjnë me shpirt. Duke qenë se këtë art të lëvizjes e kishte të gdhendur në zemër, çdo punë më tepër e ngiste talentin e tij në një tjetër nivel. Por Berisha, ani pse fort i lidhur edhe sot me vendlindjen, nuk donte të përfundonte atje.

“Pothuajse çdo opojar di të vallëzojë, është një talent kolektiv për vallet tradicionale. Pasi që vij nga familja e cila e kishte vallen në shpirt dhe vallëzonin bukur, atëherë dhe unë pse jo”, ka shtuar tutje ai.

Shkollën fillore e ka kryer në vendlindje, për të vazhduar në Shkollën e Mesme të Muzikës në Prizren. Aty në vitet ’60 nisi që ta hulumtojë dhe ta gdhendë talentin e tij në shoqërinë artistike të Zhurit “Emin Duraku”. Për këtë ka një emër të cilin e falënderon dhe i cili thotë se ka luajtur shumë rol në jetën e tij. Është Hamdi Shabani ai që ia atribuon suksesin, pasi që ruante autenticitetin e valleve. Atëkohë Berisha në këtë ansambël ishte edhe këngëtar dhe instrumentist i violinës dhe çiftelisë. Aty e tregoi për herë të parë talentin e tij.

“Kemi qenë ansambli i parë që kemi dhënë koncerte për 20 ditë në Shqipërinë e atëhershme të viteve ’70”, ka kujtuar Berisha. Edhe pse koreografitë e tij kanë shëtitur përtej Kosovës, në vende të ndryshme, Berisha duket se ka goxha nostalgji për kohën kur ishte pjesë e këtij ansambli. Për dy vjet kishte dhënë mësim në Gjimnazin e Dragashit në vitet ‘70. Berisha, edhe pse e shijoi si përvojë, donte të kufizonte karrierën e tij në rolin e një mësuesi, andaj me bindje të plotë u zhvendos në Prishtinë, ku u bë pjesë e Shkollës së Lartë të Muzikës. Kushtet ekonomike i kishte të vështira dhe s’mund t’ia dilte mbanë studimeve pa u mbështetur diku tjetër. Andaj ia mësyu ansamblit të këngëve dhe valleve “Shota”. Ansambli që drejtohej nga Skënder Gjinali e priti me dyer të hapura. Notat e këngëve të Opojës nuk iu shqitën as kur u bë pjesë e këtij ansambli.

“Në mungesë të kuadrit shqiptar, më pranuan si këngëtar dhe violinist në orkestrën e atëhershëm. Unë fillova t’i shkruaj notat e këngëve të Opojës dhe ia jepja koreografit të atëhershëm dhe ai disi nuk i pranojke ato, por Skënder Gjinali më kishte vërejtur që isha aktiv”, ka treguar ai. Gjinali e kishte ftuar në zyrë që Berisha t’i rrekej interesimit për të studiuar koreografi. Beogradi nuk ishte i favorshëm për Berishën që s’kishte bazë për shkollim të baletit klasik. Në Ambasadën e Bullgarisë u njoftua se ishte hapur Instituti i Lartë i Koreografisë. Berisha në vitin 1972 u bë pjesë e gjeneratës së dytë të këtij instituti, prej nga u diplomua në vitin 1975. Aty e vërejti se në Bullgarinë komuniste i ruanin më përkujdesje të madhe vallen tradicionale dhe porosia e profesorëve i mbeti fort në mendje e do të gjente zbatim në vallet koreografike të Berishës.

“Një porosi e tyre ishte se për të hulumtuar apo ndërtuar ndonjë koreografi të bukur duhej të dalësh në terren, aty ku e ke ndërmend të bësh një valle. Me këto porosi të profesorëve unë u ktheve i diplomuar në ansamblin ‘Shota’, ku vendi ishte i sigurt të filloja si koreograf i Ansamblit”, ka rrëfyer tutje ai. Kur u kthye në Kosovë ishte i bindur se për vallet e tij duhej t’i binte Kosovës anepërtej. Hasi ishte caku i parë i tij.

“Tereni im i parë ka qenë tereni i Hasit, pasi që Opojën e dija”, ka rrëfyer Berisha, i cili më pas mori pjesë në një dasmë të Hasit. Valle e rite nga atje sot janë të dukshme në koreografitë e tij. Veshja me kolorit e Hasit duket se ia ka vjedhur fort simpatinë koreografit të njohur. Ajo dominon në koreografitë ku Berisha e bashkon Kosovën në valle. Pëlqimin për këtë valle e kishte nisur në kohën e hulumtimit kur kishte marrë pjesë në një dasmë të kësaj zone.

“Aty pashë edhe kostumin edhe vallen dhe më kujtohet si sot se kostumi i Hasit është kostumi më i mirë në nivel kombëtar me dërrasa dhe ornamente të shkëlqyeshme me qëndisje të imagjinuara aq bukur”, ka treguar tutje ai. Për të kuptuar më shumë për historinë e këtij kostumi, ai kishte shkuar ta takonte një prej zonjave më të vjetra të asaj ane. I kishte bërë përshtypje se përse kaq shumë zbukurime ishin të qëndisura në veshje.

“Ajo më tregoi diçka shumë interesante. Tha se vajzat tona kanë qenë përherë të mbyllura, nuk kanë pasur mundësi të dalin jashtë e të mbyllura në katër muret e dhomës e kanë pasur një dritare të vogël prej kah kanë shikuar natyrën dhe e kanë ndërtuar një imagjinatë të shkëlqyeshme për të qëndisur këto ornamente”, shprehet tutje Berisha në emisionin “Pro X” të KTV-së. Pas kthimit nga Bullgaria u bë pjesë e ansamblit akademik “Ramiz Sadiku” me drejtor Agron Shalën, ku punoi edhe me Ansamblin Akademik të Studentëve. Aty u njoftua edhe me Fitim Domin, Fahri Beqirin, Ismet Bogujevcin e Riza Bytycin. Ftesë e punë të përbashkët kishte edhe me ansamblin “Emin Duraku” në Shkup. Në “Akordet e Kosovës” në vitin 1979 zuri vendin e parë e në vitin 1970 u shpall si debutanti më i mirë. Në librin 1986 u botua monografia e tij e parë për valle tradicionale të Opojës, ku përshkruhet gjithë procesi i atëhershëm i punës së tij. Ndër kujtimet e tij më të veçanta me “Shotën” është edhe pjesëmarrja në festivalin prestigjioz në Dijon të Francës. Me inskenim të valles së Opojës me rite e doke të rajonit, me një konkurrencë me 100 shtete pjesëmarrëse, ansambli “Shota” doli triumfues me “Gjerdanin e argjendtë”.

Fundi i viteve ‘80 ishte dramatik në shumë pikëpamje. Kështu ishte edhe për Berishën, i cili u detyrua të largohej për një kohë të shkurtër në Gjenevë të Zvicrës. Shkoi për pak e mbeti për gjithë jetën. Jeta atje, për mjeshtrin që e çonte motin në valle, fillimisht ishte e vështirë. Kjo ishte një periudhë transitore deri në kohën kur Berisha filloi punën me fëmijë shqiptarë ku punonin këngë, valle e recitale të ndryshme. Në Zvicër kishte punuar me rreth 100 fëmijë në ansamblin “Gëzuar”. Po ashtu, kishte punuar edhe me ansamblin “Arbëresha”, me të cilin në një kanton tjetër të Zvicër punuan koreodramën për Gjergj Kastriot – Skënderbeun.

“Aty kisha një ide që ta bëjnë një takim Gjergj Kastrioti-Skënderbeu me Nënë Terezën. Ishin dy periudha shumë të largëta, por për skenë ato ishin jashtëzakonisht të mira”, ka rrëfyer ai.

Viti 2014 për të ishte kthimi te ansambli “Shota”, me të cilin jo rrallëherë e ka bashkuar Kosovën në valle. Fillimisht u kthye për një tablo koreografike që e kishte titulluar “Homazh të parëve tanë”. Bashkë me ta ka punuar edhe koreodramën “Lulet e marsit”, të cilën e kanë realizuar për 20-vjetorin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e konsiderohet vulë e krijimtarisë së tij artistike. Më 10 nëntor të këtij viti “Shota” në më shumë se një orë program ka sjellë një koncert dedikuar Berishës. Koncerti me titullin “Peizazh koreografik” ka prezantuar pesë dekada pune të koreografit të njohur Xhemali Berisha. Aty është bërë bashkë gjithë puna hulumtuese e tij në terren. Ai që nga fillimi ishte orientuar në të gjitha zonat e Kosovës dhe arriti të përpunojë materiale nga Hasi, Opoja, Rugova, Anadrinia, Drenica dhe Anamorava për të krijuar një duzinë koreografish autoriale të bazuara në tabanin popullor.

“50-vjetori ishte një festë dhe dua t’i falënderoj të gjithë anëtarët që me një qasje shumë serioze dhe artistike e përgatiten 50-vjetorin e krijimtarisë sime”, ka thënë ai në fund të intervistës. 50-vjet në skenë si përmbledhje në një koncert mbetet si një ndër kujtimet që Berishën e bën krenar me punën anekënd Kosovës edhe për bashkëpunimin me “Shotën”. Berisha është optimist sa i përket shënimit edhe të jubileve të tjerë me valle e këngë.