Kulturë

Kopshtet përrallore në miniaturë

Foto: Koha

Është stina e pranverës, stina e luleve. Koha kur ballkonet e shtëpive e banesave mbushen me lule të llojeve të ndryshme. Por, janë disa lule që nuk njohin sezon e as stinë. Janë gjithmonë të blerta. Veçmas aso kur “paketohen” në një mënyrë të veçantë, siç bën Blerta Arifi.

Ideja e saj për të bërë terrariume dhe për t’i dekoruar ato i lindi krejt papritur, si një vajzë e pasionuar pas dekoreve në detaje, shkruan KOHA.

Dashuria për lulet, e kombinuar me ide kreative, japin një rezultat të mahnitshëm dekoresh, të cilat në shtëpi do të donte t’i kishte gjithsecili.

Ideja origjinale dhe bota magjike në detaje

Teksa tregon për zanafillën e idesë për dekorimin e terrariumeve, Blerta Arifi thotë se ishte ide krejt origjinale.

“Ideja më ka lindur vetvetiu”, thotë ajo. “Më pëlqen të merrem me dekore dhe zbukurime të ndryshme”, thotë më tej, sa për të forcuar pohimin pararendës.

E meqë i pëlqenin dekoret, një pyetje bërë vetes se “pse të mos sjell diçka të veçantë në aranzhimin e luleve?”, do të ishte pikënisja e asaj që tashmë është kthyer në një brend. Quhet “Dreamy garden”.

Gjithçka do të niste rreth tre vjet më parë, pra rreth 2017-s.

“Kam filluar me terrariume, kryesisht si dekor për shtëpinë time”, tregon ajo. E kur e pa që puna e saj po vlerësohet e po çmohet përtej anëtarëve të familjes së saj, Arifi nisi që t’i shesë veprat e saj.

E pashmangshme, vështirësi e fillimit të një pune si kjo do të ishte gjetja e materialeve që asaj do t’i duheshin për të zbatuar në praktikë idetë e saj në dekorimin e luleve.

“Siç e dimë, te ne është pak më e vështirë për furnizime”, thotë Arifi.

Tre vjet pas, duket se këtë problem e ka tejkaluar tashmë.

“Tash kam kontakte të shumta dhe është dukshëm më e lehtë”, thotë ajo.

E materialet varen nga lloji i lules dhe nga dekoret që ajo mendon t’i bëjë.

Arifi tregon se përdor kryesisht vazo qelqi, por nganjëherë edhe vazo druri. Këto në vazo druri, që u përkasin dimensioneve të ndryshme, duken vërtet si kopshte përrallore, por në miniaturë. Në të dyja versionet, Arifi u kushton rëndësi të madhe detajeve. Punimi i një vazoje bëhet shtresa-shtresa dhe secila e ka rolin e vet. Pos luleve, që kanë rolin kryesor e që rëndom janë aloe vera apo kaktuse të llojeve të ndryshme, kopshti në miniaturë përthekohet edhe nga figura të ndryshme.

Figura njerëzish, veçmas fëmijësh, nuk mungojnë aty. Edhe figura insektesh po ashtu. Gurët e vegjël me ngjyra të ndryshme, por që dominojnë ata me ngjyrë të bardhë, të kaltër, të kuqe e të gjelbër, janë aty për ta bërë sa më natyrale gjithë atë që shfaqet para teje. Përdorimi i myshqeve vetëm sa e forcon akoma më shumë dhe këtë radhë jo vetëm pamjen por edhe aromën që e lëshon. Disa e kanë edhe “lumin” brenda.

Kur fokusohesh shumë në cilëndo prej tyre, të përmbledh dhe të fut brenda një bote magjike të detajeve të punuara me precizitet të lartë. Miniatura të shndërrohet në një kopsht impresiv, brenda të cilit shëtit imagjinata.

Dashuria për lulet si pikënisje

Kujdesi për lulet ka rrënjë edhe në traditën familjare të Blerta Arifit, pothuajse si në çdo familje.

“Të gjithë kemi lule dhe vazo nëpër shtëpitë tona. Aty më ka lindur fillimisht interesimi dhe kujdesi për to”, thotë Arifi. “E dimë që lulet sjellin lumturi dhe i gëzojnë njerëzit”, thotë ajo më tej, për të dëshmuar parimin nga i cili priret ajo vetë në punën që bën.

Arifi është e vetme në këtë biznes. Thotë se pothuajse çdo ditë krijon nga një kopsht të ri. Ndonëse ka ditë që bën edhe më shumë se një, e ka ditë kur ajo thjesht nuk merret me këtë gjë. Megjithatë, një kopsht i formatit të vogël asaj nuk i merr më shumë se një orë kohë për ta ndërtuar.

Sa i përket përdorimit të luleve, Arifi tregon se përdor kryesisht aloe vera dhe kaktuse, meqë kërkojnë më pak kujdes e mirëmbajtje nga ata që i blejnë. E kur bëhet fjalë për blerësit, ajo thotë se janë kryesisht vajzat, por nuk mungojnë as djemtë.

“Blerësit më të shpeshtë janë gjinia e bukur, por ka edhe djem të cilët vijnë dhe impresionohen me terrariume dhe dekorin e tyre”, thotë ajo.

Kësisoj, Arifi shprehet e kënaqur edhe me pjesën e shitjes. Ka kohë që ajo ka hapur edhe dyqan në Prishtinë, ku ka të ekspozuar gjithë botën e saj të luleve të dekoruara. Njëkohësisht përdor edhe platformat online, Intagram-in e Facebook-un, të cilat thotë se i ndihmojnë shumë për të shpërfaqur punët e saj.

Në punën e saj ajo udhëhiqet edhe nga një parim, e që në fakt është thelbi i punës së saj.

“Karakteristikë e punës sime është pikë së pari dashuria për lulet, idetë dhe kreativiteti, të cilat edhe e veçojnë punën time”, thotë Arifi.

E, duke u nisur nga kjo, ajo thotë se e sheh një të ardhme të ndritur në biznesin e saj, me shumë ide dhe dekore të veçanta, e shumë klientë të kënaqur. E, në këtë kontekst, e ka një thirrje.

“Dhuroni terrariume dhe gëzojeni personin që ka vlerë të veçantë për ju, zbukurojani ditën”.