Në të gjitha shkollat e Kosovës, sipër tabelave, qëndron fotografia portret e Skënderbeut. Ato janë vendosur gjatë viteve nëntëdhjetë, kur sistemi paralel i shqiptarëve po e sfidonte regjimin serb edhe nëpërmjet veprimeve simbolilke, por të fuqishme për mendësinë rezistuese të kohës.
Xhafer Murtezaj ishte kryetar i Këshillit të Arsimit për Skënderaj – institucion i barasvlefshëm me Drejtorinë e sotme lokale të Arsimit – kishte fshehur 32 portrete të Skëndërbeut në kamionin e mbushur me pemë e perime të një kushëriri sipërmarrës që të mos binin në duar të policisë serbe. “I kemi shpërndarë pastaj në 22 shkolla, fillore, tetë paralele dhe dy shkolla të mesme, në Gjimnaz e Teknikë në Skënderaj”, kujton Murtezaj.
Por, një herë manifestimet – tri ditë para 28 Nëntorit për t’iu shmangur aksioneve të bastisjes e arrestimeve – dikush i kishte dekonspiruar organet paralele në mbarë Kosovën. “Na zunën në një shkollë dhe na i morën fotografitë e Skënderbeut. Ishte e shtunë, por na lidhën dhe na çuan e na maltretuan në stacion policor”, thotë ai.
E sa ishte nxënës i Normales së Prishtinës në fund të viteve ‘60, kishte nisur të qarkullonin ato që Murtezaj i quan “si emblma që ngjiteshin” me imazhin e Skënderbeut. “Diku në vitin 1968, më duket se kam qenë në vit të tretë e të katërt Normales, na e kanë pru në klasë, nuk e di kush na i ka pru, a besone se ma shumë jemi gëzu atëherë me to se sot me na e pru një ‘Mercedes’”, tregon me qeshje ai.
Ndërkohë i nxitur edhe nga bashkëshortja, së cilës i dëgjohet zëri gjatë bisedës telefonike, ua thotë disa vargjeve të njërës prej këngëve më të famshme të kohës për të rinjtë: “Fryn murlani me stuhi qielli bubullonte/ Me flamurin kuqezi, Skënderbeu luftonte/ Ooo, trim, o Skënderbe, krenari shqiptare/ Ti në luftë je nisë i pari….”, e këput me qeshje këngën Murtezaj, derisa bashkëshortja e tij e vazhdon në sfond.
Lexoni edhe: