Kulturë

Kontestohet lista e kandidatëve për anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit

Prizren -

Lista me kandidatët potencialë për t’u përzgjedhur anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit po kontestohet me pretendimet për shkelje procedurale dhe ligjore. Njëra prej kandidateve, që në mandatin e kaluar ka kryesuar këtë trup këshillëdhënës, ka parashtruar ankesë në këtë drejtim, ndërkohë që bartësit e procesit mohojnë ekzistimin e parregullsive në procedurën e deritanishme.

Ish-kryesuesja e KTK-së, Artnet Haskuka, që ka aplikuar sërish për të qenë pjesë e këtij Këshilli, ka bërë të ditur se ka dorëzuar ankesë pranë organeve komunale, meqë konsideron se ka shkelje procedurale e ligjore gjatë procesit të përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit.

Sipas saj, me datë 26 tetor 2022, Kuvendi i Komunës ka shpallur konkursin për anëtarë të KTK-së me kriteret që aplikuesit duhet të jenë ekspertë në fushën e trashëgimisë kulturore, me kualifikim ose me përvojë profesionale dhe të jenë anëtarë të shquar të shoqërisë civile që kanë përvojë në ruajtjen, zhvillimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.

“Procesi i shpalljes së konkursit deri te procesi i përzgjedhjes së kandidatëve ka qenë në kundërshtim me ligjin nr.04/L-066 për Qendrën Historike të Prizrenit dhe me Udhëzimin Administrativ nr. 12/2014 të MMPH-së”, ka thënë Haskuka.

Ajo thekson se neni 5 i UA përcakton kriteret për Komisionin ad-hoc, ku ceket se Komisioni duhet t’i ketë 2 anëtarë nga partitë politike dhe 3 nga shoqëria civile.

“Komisioni në rastin konkret ka qenë me 2 anëtarë të partive politike, 2 nga shoqëria civile dhe një shërbyes civil (nga MKRS), gjë që paraqet shkelje dhe është në kundërshtim me UA nr. 12/14”, ka deklaruar Haskuka. Ajo ka shtuar se ndonëse kërkohet që Komisioni vlerësues të jetë njohës i fushës, “një pjesë e madhe e anëtarëve të Komisionit nuk kanë qenë njohës apo profesionistë të fushës së trashëgimisë kulturore dhe gati asnjëri anëtar aktiv i shoqërisë civile që vepron brenda Qendrës Historike të Prizrenit apo hartues të ndonjë dokumenti apo pjesëmarrës në projekte për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore”.

Haskuka pretendon se përkundër përgjigjeve të sakta dhe përvojës shumëvjeçare, është nënvlerësuar respektivisht, ka marrë pikë minimale, ndërkohë që është përzgjedhur një kandidat që, sipas saj, është pjesë e shërbyesve civilë.

“Kanë përzgjedhur kandidatë me shumë më pak vjet eksperiencë në fushën e trashëgimisë kulturore, ku njëri prej tyre është shërbyes civil, e jo përfaqësues i shoqërisë civile, gjë që bie ndesh me ligjin dhe me kriteret e konkursit, derisa nuk ka as eksperiencë të mjaftueshme për të qenë anëtar brenda Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit”, ka thënë ajo, duke përmendur dispozitat përkatëse të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit.

Ajo ka shtuar se përzgjedhja e tre kandidatëve burra njëkohësisht përbën shkelje të Ligjit për Barazi Gjinore.

“Kësisoj më kanë diskriminuar edhe në aspekt gjinor, duke mohuar të drejtën time si një grua për të punuar dhe kontribuuar në mënyrë të barabartë me burrat në procese të zhvillimit të qytetit të Prizrenit me theks të veçantë mbrojtjes së vlerave të trashëgimisë kulturore”, është shprehur ajo.

Haskuka ka insistuar se me përvojën e saj 24-vjeçare si arkitekte e planere, që ka marrë pjesë në hartimin e shumë dokumenteve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, si dhe zbatimin e projekteve të ndryshme në këtë fushë, ka plotësuar kushtet e kriteret e kërkuara në konkurs, por që, sipas saj, nuk janë marrë për bazë nga Komisioni ad-hoc.

“Ky vlerësim nga një komision totalisht joprofesional dhe i kundërligjshëm më diskriminon si në aspekt gjinor, ashtu edhe në atë profesional dhe më diskualifikon nga lista në mënyrë jo të drejtë për me qenë anëtare e KTK QHPz. E ritheksoj se ky vlerësim, i cili jo vetëm që është subjektiv, por në tërësi është i kundërligjshëm dhe në konflikt me nenet që rrjedhin nga ligji 04/L-066, UA MMPH 12/14, Ligji për Barazi gjinore dhe ligjet e tjera në fuqi. Duhet shtuar se njoftimi i shpallur në datë 24 nëntor 2022 nga Komuna e Prizrenit nuk len hapësirë për mjetin juridik, të drejtën e ankesës së palës së pakënaqur dhe qasje në poentim brenda afatit ligjor, gjë që paraqet shkelje shtesë ligjore dhe është kundër drejtave elementare të njeriut”, ka thënë Haskuka.

Por kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka vlerësuar se Komisioni ad-hoc i ka zhvilluar procedurat, duke respektuar legjislacionin në fuqi.

“Ne e kemi themeluar Komisionin ad-hoc. Komisioni, sipas ligjit, i ka zhvilluar procedurat. Kryesuesi i Komisionit ka raportuar në KPF dhe ai ka deklaruar se çdo gjë ka shkuar në rregull. Zonja në fjalë nuk është e kënaqur me poentimin. Kryesuesi i Komisionit i ka dhënë arsyet e poentimit, duke theksuar se ka qenë vlerësimi i Komisionit se aq pikë i ka merituar”, ka thënë ajo.

Bytyqi pohon se ka një ankesë me kërkesën që procesi të kthehet në pikën zero.

“Mirëpo përderisa është themeluar Komisioni dhe i ka zhvilluar të gjitha procedurat dhe në kontakt me zyrtarët ligjorë, ne nuk kemi mundur të vendosim diçka të tillë dhe me e kthy në pikën zero. Unë po besoj në punën e Komisionit ad-hoc, të cilët janë caktuar nga KK-ja për ta kryer këtë punë. Ata i kanë paraqitur emrat, propozim-vendimin e kemi gati. Ne duhet ta marrim vendimin në KK pastaj e dërgojmë në MAPL dhe nëse ka parregullsi do të kthehet. Mirëpo ne besojmë se çdo gjë do të jetë në rregull”, ka deklaruar kryesuesja e KK-së.

Komisioni ad-hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit, përmes njoftimit, ka bërë të ditur renditjen e kandidatëve pas testit me shkrim dhe intervistave. Listës me pikët totale i prin Veron Tara, i pasuar nga Edin Gështenja, Haxhi Seferqaj, derisa Artnet Haskuka është renditur e katërta, para kandidatëve Agon Rrezja dhe Nexhmedin Bytyqi.

Vendimi lidhur me këtë çështje parashihet të shqyrtohet në mbledhjen e radhës të Kuvendit të Komunës.

Sipas dispozitave të Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit, roli i Këshillit është që të vëzhgojë dhe këshillojë rreth aktiviteteve në Qendrën Historike të Prizrenit për ruajtjen e trashëgimisë së saj kulturore.