Kulturë

Konkursi pritet ta bëjë Teatrin e Operës në Tiranë me drejtor të ri

Teatri Kombetar i Operes e Baletit

Shpallja e këtij konkursi nga MEKI erdhi pas lirimit nga detyra të Abigeila Voshtinës, vendim që u miratua nga Këshilli i Ministrave më 13 dhjetor 2024. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit në TKOBAP është kompozitori i njohur, Aulon Naçi

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka shpallur konkursin për pozicionin e drejtorit të përgjithshëm në Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Ky konkurs vjen pak kohë pas shkarkimit të violinistes Abigeila Voshtina nga pozita e drejtores së përgjithshme, pozitë që e mbajti për 28 muaj. E njëjta prej vitit 2014 deri më 2021 ishte drejtoreshë artistike. 

Konkursi i ri është promovuar edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja. 

“Një mundësi e artë për të udhëhequr një nga institucionet më të rëndësishme të artit dhe kulturës në vend, si dhe një mundësi për të lënë gjurmë në historinë kulturore të Shqipërisë”, ka shkruar ai në rrjete sociale. 

Shpallja e këtij konkursi nga MEKI erdhi pas lirimit nga detyra të Abigeila Voshtinës, vendim që u miratua nga Këshilli i Ministrave më 13 dhjetor 2024. Aktualisht ushtrues detyre i drejtorit në TKOBAP është kompozitori i njohur, Aulon Naçi.

Në faqen zyrtare të MEKI-t shkruhet se kandidatët duhet të plotësojnë kërkesat e posaçme: Të zotërojë diplomë të nivelit “Master Shkencor” në shkenca ekonomike /juridike, Akademinë e Arteve; Të ketë të paktën 5 vite përvojë pune në profesion, si edhe përvojë të konsiderueshme në drejtim dhe menaxhim në fushën e artit, si dhe në drejtimin e projekteve kulturore; Të ketë përvojë në konceptimin dhe ekzekutimin e projekteve afatgjata në fushat e artit dhe të kulturës; Të ketë përvojë në krijimin/vënien në jetë të strategjive financiare, me qëllim realizimin e projekteve/aktiviteteve artistike.

Afati i fundit për aplikim është data 24 janar 2025. 

Ish-drejtoresha, Abigeila Voshtina, kur ishte liruar nga detyra kishte renditur disa prej atyre që i ka parë si arritje. 

Fillimisht kishte bërë një “falënderim të sinqertë për besimin që Kryeministri Edi Rama” i dha jo vetëm në këto 28 muaj si drejtuese e përgjithshme e TKOBAP-së, por edhe si drejtore artistike që nga viti 2014. 

“Rrugëtimi i këtyre 28 muajve u kurorëzua me sukses falë këtij ekipi, përmes mbi 600 veprave dhe shfaqjeve, për të cilat foli vetë publiku me praninë e tij të jashtëzakonshme. Viti 2024 u mbyll me: plus 25 për qind më shumë publik të ri në krahasim me vitin 2023, 38 për qind rritje e të ardhurave në buxhetin e TKOBAP-së, rreth 700 orë edukim përmes artit, me 141 orë trajnime dhe 36 shfaqje të realizuara me dhe nga artistët e rinj vetëm në vitin 2024, duke u dyfishuar krahasuar me vitin paraardhës”, kishte shkruar ajo. Kishte përmendur 74 aktivitete kulturore ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri, në bashkëpunim me partnerë të huaj vetëm më 2024 e 20 bashkëpunime të tjera që e treguan Shqipërinë në skenën ndërkombëtare. Vitin 2024 e kishte përmbyllur me 43 premiera, “të cilat ishin pluhurosur në sirtarët e arkivës, të pasuara nga 118 rivënie të tjera”.