Kulturë

Konkursi i sheshit monumental për Adem Jasharin ndryshon brenda ditës

Njësoj si paralajmërimi i kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, para një jave, edhe konkursi i hapur të enjten për “sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari” ka jo pak paqartësi. Në krye të listës: lokacioni. Është kjo pikë e cila ka ndryshuar në më pak se tetë orë. “Të identifikohet dhe propozohet një vend-shesh i spikatur brenda qytetit te Prishtinës, ku do të vendoset monumenti”, shkruhej në versionin e ditës. “Specifikat e lokacionit për sheshin monumental do t’u jepen konkurruesve bashkë me dokumentacionin përkatës”, shkruhej në mbrëmje. Deri në mesnatë ka mbetur versioni i dytë

Një javë pasi kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, deklaroi se atë ditë ose të nesërmen do të hapej konkurs për shtatore të heroit Adem Jashari në Prishtinë, Komuna ka vepruar kësisoj. Por të enjten është lëshuar vetëm një njoftim pa specifika të detajuara. Lokacioni mungon. Fillimisht njoftimi ka kërkuar që bashkë me projektin të propozohet edhe vendi. Në mbrëmje vonë kanë ndërruar hesapet. Nuk bëhet fjalë vetëm për shtatore. Situata është ndryshe. “Hapet konkurs për sheshin monumental që nderon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari”, titullohet konkursi i hapur në platformën “Shërbimi i arkitektit të qytetit”. Aty bëhet e ditur se është hapur konkurs për sheshin monumental që simbolizon sakrificën e Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si dhe peshën e saj në rrugëtimin drejt çlirimit.

Në këtë konkurs bëhen të ditura informata bazike. Sqarohet se sheshi do ta ketë pjesë thelbësore monumentin e qëndresës, guximit dhe lavdisë së Adem Jasharit dhe familjes Jashari, si një prej themeleve të rëndësishme të lirisë së vendit.

“Konkursi është i hapur për të gjithë artistët, piktorët, arkitektët, disenjatorët grafikë, fotografët, artizanët, studentët dhe profesionistët”, shkruhet në konkurs.

Te qëllimi bëhet e ditur se monumenti synohet të shërbejë si një kujtesë e fuqishme për rolin e tyre kryesor në lëvizjen çlirimtare dhe përkushtimin e tyre ndaj kauzës.

“Monumenti së bashku me sheshin duhet të jetë një tërësi e arkitekturës peizazhore. Dizajni i monumentit duhet të ngjallë emocione dhe dinjitet duke përcjellë frymën e sakrificës me elemente të tilla, si: uniteti, rezistenca e liria”, shkruhet në konkurs.

Tek uniteti kërkohet që dizajni të pasqyrojë sakrificën kolektive të familjes Jashari dhe të gjithë popullit. Te rezistenca kërkohet që të kapen qëndrueshmëria dhe vendosmëria e shfaqur gjatë kohërave sfiduese. Kurse te liria bëhet e ditur se kërkohet që dizajni të simbolizojë qëllimin përfundimtar të çlirimit.

Por te lokacioni Komuna gjatë ditës ka luajtur me dy versione. Fillimisht gjatë ditës në konkurs është shkruar: “Të identifikohet dhe propozohet një vend-shesh i spikatur brenda qytetit të Prishtinës, ku do të vendoset monumenti”. Në mbrëmje vonë kanë ndërruar hesapet.

“Specifikat e lokacionit për sheshin monumental do t’u jepen konkurruesve bashkë me dokumentacionin përkatës”, shkruhet tashmë në konkurs. Aty rekomandohet që të merret parasysh afërsia me monumentet historike, hapësirat publike ose zonat e rëndësishme për lëvizjen çlirimtare.

Sa u përket materialeve kërkohet që projekti duhet të realizohet me aso të qëndrueshme, që u rezistojnë kushteve të motit dhe kalimit të kohës. “Të përfshihet simbolika përmes materialeve (p.sh. guri, metali) që përfaqësojnë forcën dhe qëndrueshmërinë”, shkruhet në konkurs. Bëhet e qartë se simbolikat duhet të përfshijnë elemente vizuale që përcjellin sakrificën, vënë në pah figurën e Adem Jasharit, anëtarët e familjes së tij dhe luftëtarë të tjerë të lirisë dhe mbishkrimet duhet të rrëfejnë historinë e tyre, duke theksuar sakrificën dhe përkushtimin.

“Përdorimi i teknologjive të reja si Inteligjenca Artificiale për rrëfimin e historisë duke i lidhur të kaluarën, të tanishmen dhe të ardhmen”, shkruhet në konkurs.

Kërkohet që të ketë edhe komponentin arsimor, ku jepen sqarime për komponentin historik dhe po ashtu të hartohet një plan mirëmbajtjeje për të siguruar jetëgjatësinë e monumentit. Sipas konkursit, në asnjë mënyrë nuk do të pranohen krijime të shfaqura më parë, të rishikuara, ripunuara apo që ngjajnë, në çfarëdo mënyre, me krijime të tjera.

“Duhet po ashtu që krijuesit të dorëzojnë një certifikatë të noterizuar që dëshmon se veprat e tyre janë origjinale”, shkruhet në konkurs.

Afatet kohore nuk kanë qenë të përfshira kur është hapur konkursi. Janë përfshirë në mbrëmje dhe është bërë e ditur se data e mbylljes së aplikimeve është 15 prilli, dorëzimi i projekteve deri më 29 maj, përzgjedhja e projekteve do të bëhet më 14 qershor, prezantimi i tyre prej 17 deri më 28 qershor, kurse shpallja e fituesve më 29 qershor 2024. Ende nuk dihet se për çfarë shumash financiare bëhet fjalë për projektin fitues e vendin e dytë dhe të tretë. Dhe as për kapacitetin buxhetor të Komunës për të realizuar projektin.

Vitin e kaluar Komuna kishte paraparë 200 mijë euro për këtë projekt. Sivjet në buxhet nuk ka asnjë cent të paraparë në veçanti për këtë projekt.

Arkitekti Gëzim Paçarizi, i cili jeton në Gjenevë, ka thënë se do të interesohet më shumë për këtë konkurs. Në parim ka thënë se prej vitit 1999 në Kosovë nuk është bërë asnjë projekt publik kualitativ.

“Sa i përket përkujtimorëve, ky dështim është ende më i theksuar. Në princip nuk do të duhej të ketë kurrfarë kufizimi. I vetmi kriter, i cili mund të sjellë rezultat është krijimi i një jurie të njohur me emra e mbiemra, transparenca totale në procedurë, anonimiteti në këto raste është i panevojshëm”, ka thënë Paçarizi, i cili më 2014 kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar).

Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Sipas tij, te konkursi për sheshin monumental për Adem Jasharin do të ishte shumë më mirë të njihen autorët.

“Bile do t’i obligoja me i mbrojtë publikisht projektet. Le të fitojë më i miri. Juria është çelësi, garancioni për kualitet. Zgjidhe jurinë, e ke zgjedhë projektin. Juria e keqe, projekti i keq”, ka thënë ai.

Disa artistë, përfshirë arkitektë, gjatë ditës së enjte janë rezervuar të komentojnë konkursin me arsyetimin se kanë mungesë të informatave dhe nuk mjaftojnë ato që janë publikuar.

Para një jave kur kryetari i Prishtinës kishte paralajmëruar konkursin për projekt, skulptori e profesori universitar Adem Rusinovci kishte thënë se deklarata e Përparim Ramës, ku thoshte se do të kërkojnë projekt modern, ishte superiore në aspektin politik.

“Shumë deklaratë inteligjente pasi nuk do shtatore si nëpër qytete të tjera të Kosovës. Nëse qasja e tij është postmoderniste, ashtu siç po thotë, infrastruktura duhet të jetë shumë postmoderne. Shpresoj ta bëj një pjesë të Prishtinës ashtu. Në një vend të tillë mund të vendoset një shtatore që tregon rrëfimin e Adem Jasharit dhe familjes së tij”, kishte thënë ai.

Sipas tij, për krejt këtë duhet goxha debat e punë.

“Për këtë figurë duhet ndërtuar infrastruktura e pastaj të vendoset. Mendoj se është më mirë të vonohet e të mos bëhet sikur në vendet e tjera. Duhet ta thërrasë komunitetin e artistëve e të arkitektëve që ta diskutojnë këtë punë. Të bëhet njëfarë afati dhe të konceptohet gjithçka”, kishte thënë Rusinovci.

Sa i përket lokacionit, historia është aq e gjatë sa edhe e paralajmërimeve për shtatoren e Adem Jasharit në Prishtinë. Në nëntor të vitit 2019, kur Komuna udhëhiqej nga kryetari Shpend Ahmeti, Kuvendi Komunal kishte marrë vendim që ai të jetë midis ndërtesës së Qeverisë dhe asaj të Kuvendit të Kosovës.

“Miratohet vendimi për vendosjen e shtatores së komandantit legjendar, Adem Jashari, në cepin e hapësirës së ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, në Prishtinë”, shkruhej në vendimin e marrë më 7 nëntor të vitit 2019.

Sipas numrit të ngastrës kadastrale, bëhet fjalë për cepin midis dy institucioneve që kufizohet me bulevardin “Nënë Tereza”, afër shtatores së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Vitin e kaluar asamblistët e PDK-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës bashkë me ish-nënkryetaren e kryeqytetit, Donjeta Sahatçiu, kishin proklamuar se shtatorja do të jetë gati për 28 nëntorin e atij viti, ditë që pos festës kombëtare njihet edhe si ditëlindja e heroit Adem Jashari.

Në këtë “lojë” qe inkuadruar edhe kryetari i PDK-së, ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili postoi edhe video në rrjete sociale duke paralajmëruar shtatoren. Krejt kjo përfundoi si shumë iniciativa të tjera duke dështuar.