Ministria e Kulturës ia ka mësyrë që nëpërmjet një konkursi të ri ta bëjë bibliotekën kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” me drejtor. Herën e kaluar kishte dështuar. Të gjithë kandidatët e kualifikuar kishin rënë në test. Përfshirë ish-drejtorin e BKK-së dhe një ish-drejtor tjetër i një institucioni qendror të kulturës. Në konkursin që prej të hënës për një muaj qëndron i hapur, MKRS-ja synon ta gjejë drejtuesin e BKK-së.
Në konkursin paraprak trembëdhjetë veta ia kishin mësyrë kësaj pozite, dhjetë ishin kualifikuar për fazën e radhës, shtatë kishin hyrë në testin me shkrim, asnjëri nuk kishte kaluar. Për anulimin e konkursit kishte njoftuar Ministria e Kulturës nëpërmjet njoftimit të protokolluar në ditën e dytë të prillit pa dhënë arsyet, pos atyre administrative.
Blerina Rogova-Gaxha, Bukurije Haliti, Defrim Gashi, Fazli Gajraku, Gjon Berisha, Murteza Osdautaj, Qazim Azizi, Samir Sallahu, Shefqet Gjocaj, Shukrije Rama kanë qenë dhjetë kandidatët të cilët, sipas “njoftimit për verifikim paraprak” të datës 21 mars, i kishin “plotësuar kriteret e konkursit për të vazhduar më tej”. Akif Shkreta, Flamur Maloku e Ismail Gagica ishin refuzuar. Konkursi ishte hapur prej 9 shkurtit deri më 9 mars. Defrim Gashi, Murteza Osdautaj dhe Samir Sallahu nuk kishin shkuar në test.
“Konkursi është anuluar, sepse asnjë nga kandidatët nuk ka arritur pikët”, kishte thënë Bardh Rugova, kryetar i Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Testi kishte pasur 70 pikë. Kandidatët duhet të kenë së paku 50 që ta kalojnë atë.
“Pyetje nga letërsia dhe juridiku. Po ashtu edhe drejtshkrim”, kishte thënë njëri prej kandidatëve. “Ka pasur detyra për ndreqje gabimesh drejtshkrimore e përdorim fjalësh në fjali. Njëra prej pyetjeve ka qenë se cili është libri i parë i regjistruar në Bibliotekë me tri opsione: ‘Meshari’ i Buzukut, ‘Çeta e profetëve’ e Bogdanit, ‘Historia e Skënderbeut’ e Barletit”, kishte ilustruar kandidati i cili nuk kishte pranuar ta komentojë procesin.
Këshilli Drejtues, sipas Ligjit për Bibliotekat, zgjedh dhe shkarkon drejtorin. Drejtori i Bibliotekës Kombëtare, drejtori i Bibliotekës Universitare dhe drejtori i Bibliotekës Komunale duhet të ketë se paku diplomë universitare. Mandati i drejtorit është katërvjeçar (4) me mundësi të rizgjedhjes”, shkruhet në nenin 11 të Ligjit. Në këtë ligj, sikurse edhe në Ligjin për Zyrtarët Publikë dhe atë të Punës, në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik dhe në Statutin e BKK-së ishte hapur edhe konkursi.
“Diplomë universitare, në: Fakulteti i Arteve, Fakulteti Filologjik, Fakulteti Filozofik, se paku gjashtë (6) vjet përvojë pune profesionale, përfshire së paku tre (3) vjet në pozita drejtuese”, është kriteri i parë te “Shkollimi i kërkuar, përvoja, aftësitë dhe karakteristikat personale”. Mandati është katërvjeçar me mundësi rizgjedhjeje.
“Udhëheq, organizon dhe mbikëqyr veprimtarinë dhe funksionimin e Bibliotekës, i propozon Këshillit Drejtues planin vjetor dhe planin financiar; Për punën e tij i raporton dhe i përgjigjet Këshillit Drejtues. Merr pjesë në mbledhjet e Këshillit Drejtues pa të drejtë vote; Përfaqëson Bibliotekën brenda dhe jashtë vendit; Ushtron detyra dhe autorizime tjera në përputhje me legjislacionin në fuqi”, janë gjashtë prej dymbëdhjetë “detyrave dhe përgjegjësive” të përcaktuara edhe me konkurs.
Fazli Gajraku për tetë vjet ka qenë drejtor i BKK-së. Ia kishte mësyrë edhe një mandati pasi i kishte skaduar i dyti më 25 mars të këtij viti. S’e kishte kaluar testin.
“Ky vend ma ka dhënë mundësinë që ta drejtoj BKK-në për dy mandate. Kam kandiduar për mandatin e tretë dhe jam informuar se procedura nuk do të vazhdojë. Kam dashur që të zgjidhem edhe një mandat për të vazhduar reformat komplekse që kemi nisur”, ka thënë ai. I kontaktuar nga KOHA nuk ka preferuar të flasë nëse do të konkurrojë prapë.
Ngjashëm sa u përket pozitave në institucione kulturore ka qenë edhe Shefqet Gjocaj, i cili për dy mandate ka qenë drejtor i ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Institucionet e kulturës kanë pasur përherë telashe me konkurse drejtorësh, anulime e rihapje. Galeria Kombëtare e Kosovës është pa drejtor prej gushtit të vitit 2020, kur i kishte skaduar mandati katërvjeçar Arta Aganit, udhëhiqet me zëvendësues të drejtorit. Filharmonia e Kosovës nga muaji i kaluar po ashtu është pa drejtor. Sa u përket institucioneve të trashëgimisë kulturore pa drejtor janë: Instituti Arkeologjik i Kosovës, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës.
Para një dekade Biblioteka Kombëtare e Kosovës kishte pasur një odise me rastin e drejtorit. Tri shkelje ligjore të Ministrisë së Kulturës, asokohe të udhëhequr prej Memli Krasniqit, kishin bërë që e gjithë procedura e rekrutimit të drejtorit të anulohej. Por MKRS-ja nuk ishte e vetme. Shkelje kishte bërë edhe Këshilli Drejtues që udhëhiqej nga Sali Bashota, drejtor i BKK-së për një dekadë. Deri në emërimin e Fazli Gajrakut udhëhiqej me ushtrues detyre.