Kulturë

Konkursi i pestë në 3 vjet, 6 garues për udhëheqës artistik të Teatrit

Regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti, Besim Ugzmajli e Zana Hoxha janë midis konkurrentëve bashkë me aktoren Arta Muçaj, është gjashtëshja garuese për udhëheqës artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, një proces që ka prapa 3 vjet e disa konkurse të dështuara e të anuluara. Ky është konkursi i pestë gjatë këtyre vjetëve

Pas më shumë se tre vjetësh pa udhëheqës artistik janë gjashtë konkurrentë që ia kanë mësyrë për ta zënë këtë pozitë në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Në konkursin e pestë me radhë duket se interesi është i madh, pasi kanë konkurruar edhe artistë që mbajnë pozita menaxhuese në institucione publike e në organizata kulturore.

Regjisorët Sokol Plakolli, Donjeta Hyseni, Kushtrim Mehmeti, Besim Ugzmajli e Zana Hoxha janë midis konkurrentëve bashkë me aktoren Arta Muçaj. Ugzmajli është udhëheqës artistik i teatrit “Adriana” në Ferizaj, përderisa Hoxha udhëheq organizatën kulturore “Artpolis”. E Plakolli është kandidat i përhershëm për këtë pozitë tash e tre vjet.

Si zëvendësues të udhëheqësit artistik në TKK kanë shërbyer disa veta për më shumë se tre vjet. Aktualisht zëvendësues është zyrtari i MKRS-së, Milot Mustafa.

Kushtrim Sheremeti, i cili është zgjedhur drejtor i përgjithshëm i Teatrit Kombëtar të Kosovës në shkurt të këtij viti, muajin e kaluar kur ishte hapur konkursi për udhëheqës artistik kishte thënë se është shumë e rëndësishme që TKK-ja ta ketë edhe udhëheqësin artistik.

“Për mua është shumë e rëndësishme që të kem një koleg në TKK si udhëheqës artistik në mënyrë që të ndërtojmë një planifikim afatgjatë të punës artistike në Teatër”, kishte thënë ai.

Faza e radhës është testimi e intervistimi i kandidatëve nga Këshilli Drejtues i TKK-së, i cili ka në përbërje Visare Aliun, kryetare, dhe anëtarët Shkurtë Aliun, Majlinda Bregasin, Ben Apollonin, Gresa Pallaskën, Vlora Merocin e Donika Gashin.

Historia e mbetjes së institucionit pa udhëheqës artistik nis qysh në qershor të vitit 2019, kur regjisorit Agon Myftari i përfundoi mandati katërvjeçar në këtë pozitë. Asokohe nëpërmjet një konkursi në këtë pozitë qe zgjedhur regjisori Fatos Berisha. Nuk e kishte pranuar detyrën fare për disa muaj e më pas kishte njoftuar se nuk do ta pranonte fare.

Në konkursin e hapur në nëntor të vitit të kaluar, i treti me radhë, kishin konkurruar katër kandidatë. Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Albana Muja-Deliu e Agush Mulliqi ia kishin mësyrë kësaj pozite. Aktorja Muçaj doli se nuk e kishte diplomën e nostrifikuar. Ajo ka studiuar në Shqipëri. E Mulliqi nuk e plotësonte kushtin e përvojës së punës. Kërkohen pesë vjet përvojë pune pas diplomimit. Konkursi qe anuluar.

Më pas, në konkursin e shkurtit të këtij viti, Sokol Plakolli, Arta Muçaj, Erson Zymberi, Saranda Elshani, Elhame Kutllovci e Dea Venhari-Dragaj ishin në konkurrencë për udhëheqës artistik të TKK-së. Sipas verifikimit që ka bërë MKRS-ja, Venhari-Dragaj nuk i plotësonte kushtet për ta vazhduar procesin pasi nuk ka dëshmuar se u përgjigjet krejt kritereve të konkursit.

Në fund të procesit vetëm regjisori Erson Zymberi ishte kualifikuar për të shkuar në intervistë.

Paraprakisht për një mandat kishte shërbyer si drejtor i përgjithshëm i Teatrit të Gjilanit. Por në ditën e intervistës, më 23 prill, Zymberi nuk kishte shkuar. Me arsyetimin se është tërhequr “për arsye personale”, ai kishte hequr dorë nga gara për pozitën e udhëheqësit artistik të TKK-së. Është rizgjedhur drejtor i Teatrit të Gjilanit.

Atë proces e kishte nxjerrë me telashe edhe MKRS-ja. Sokol Plakolli kishte bërë ankesë se nuk i janë vlerësuar drejt përgjigjet që kishte dhënë në testin me shkrim. Komisioni i ankesave në MKKS kishte vlerësuar se Plakolli në disa raste kishte të drejtë. Prej atëherë Plakolli në baza ditore qëndron para Qeverisë në një lloj proteste kundër ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, e Këshillit Drejtues të TKK-së. Zëshëm kërkon nga kryeministri Albin Kurti që ta marrë situatën në dorë.

Udhëheqësi artistik propozon politikat artistike të TKK-së, bën propozimin e repertorit, udhëheq punën kreative të ansamblit rezident, bën recension për veprat skenike, është përgjegjës për realizimin e repertorit e përcakton regjisorët.

TKK-ja kishte qëndruar dy vjet pa drejtor të përgjithshëm e ishte përcjellë me një sagë konkursesh deri në shkurt të këtij viti, kur aktori Kushtrim Sheremeti u zgjodh në këtë pozitë. Por TKK-ja nuk është i vetmi institucion qendror i kulturës që i mungojnë udhëheqësit.

Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.

Në dhjetor të vitit 2021, Arben Zharku qe shkarkuar nga pozita e drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës pas një procesi të gjatë me pezullime e kthime.

Kurse prej 17 korrikut ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” është pa drejtor. Shefqet Gjocajt i kishte përfunduar mandati i dytë. Megjithëse ishte hapur konkursi, ai ishte anuluar gjatë procesit pasi ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte shkarkuar përbërjen e Këshillit Drejtues të “Shotës”.