Qysh kur nisën punimet restauruese në Kalanë e Novobërdës – që UNESCO-ja ia besoi një kompanie serbe - arkeologët në vend dyshonin se mund të kishte keqpërdorim të artefakteve. Tash, dyshimet e disa vjetëve me parë janë konfirmuar me një punim shkencor të financuar prej shtetit serb, që merr në shqyrtim artefaktet e gjetura në Kalanë e Novobërdës. Aty falënderohen ata që ua mundësuan t'i hulumtojnë, dhe del se ato janë në Beograd. Projekti restaurues qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar
Dyshimet se gjatë restaurimit të pjesës së epërme të Kalasë së Novobërdës nga kompania serbe “KOTO” mund të jenë marrë materiale arkeologjike dalin të jenë të bazuara. Pos që janë marrë materiale, shteti serb është duke financuar edhe studimin e gjetjeve arkeologjike. Një punim shkencor i botuar në dhjetor të vitit të kaluar në numrin e 40-të të revistës arkeologjike “Journal of Archaeological Science” nxjerr në dritë marrjen ilegale të artefakteve.
Më 2015 kompania beogradase “KOTO” e përzgjedhur nga UNESCO-ja kishte nisur punimet për restaurimin e Kalasë së Novobërdës. Projekti qe financuar me një milion euro nga BE-ja, kurse implementimi dhe mbikëqyrja janë bërë nga UNESCO-ja. Puna ka rezultuar me shumë defekte, të cilat ende nuk janë riparuar. Por studimi i materialit arkeologjik del se po ecën me sukses.
Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e Mesjetës së Vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror).
Pesëshja në studimin prej nëntë faqesh ka shtjelluar krejt përfundimet shkencore të nxjerra nga ky material i rrallë. Qysh në abstrakt autorët vënë në pah se materialet organike janë të rralla në kontekstin e vendbanimeve arkeologjike të zonës qendrore të Ballkanit.
“Një përmbledhje unike e përbërë nga lëkura e mumifikuar e kafshëve me qime të ruajtura, e mbushur me rrëshirë e katran, u zbulua gjatë gërmimeve arkeologjike të Kalasë së Novobërdës më 2015”, shkruhet në abstrakt. Aty jepet një përshkrim i qytetit të Novobërdës duke e konsideruar si një qendër të rëndësishme minerare të Ballkanit dhe të gjithë Evropës.
“Në kontekstin arkeologjik lëkura e mumifikuar e kafshëve ishte në punishten për prodhimin e predhave nga plumbi, e vendosur në këndin verilindor të Sallës së Madhe të Kështjellës, dhe mund të datohet me siguri në gjysmën e parë të vitit 1455”, shkruhet në studimin e ilustruar mirë me pamje të gjetjeve. Aty sqarohet se gjetjet fillimisht iu nënshtruan analizave makroskopike, të cilat përshinë vëzhgime mbi metodën e heqjes së lëkurës dhe detajet e përdorimit. Më pas analizat më të detajuara kanë nxjerrë në pah se bëhet fjalë për lëkurë të deleve dhe dhive. Për materialin rrëshinor shkruhet se bëhet fjalë për katran të pishës. Studiuesit kanë ardhur në përfundim se katrani i ruajtur në lëkurën e dhisë mund të ketë shërbyer për strukturat e drurit në Kala e po ashtu edhe si lubrifikant për armë.
“Journal of Archaeological Science” është një revistë prestigjioze për arkeologji. Redaktorë përgjegjës janë Ellery Frahm nga Universiteti i Yales në SHBA dhe Chris Hunt nga universiteti “John Moores” në Liverpul. Si redaktorë bashkëpunëtorë janë 47 veta nga 15 vende të ndryshme.
Studimi i pesëshes nga Serbia është përkrahur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik dhe nga Ministria e Kulturës dhe Informacionit në Serbi.
“Dëshirojmë të falënderojmë gjurmuesin e Novobërdës, dr. Marko Popoviq nga Instituti i Arkeologjisë, Beograd, për krijimin e qasjes dhe mbështetjen në analizimin dhe publikimin e materialit”, kanë shkruar autorët.
Arkeologu Marko Popoviq, i cili vdiq në vitin 2020, ishte studiues i arkeologjisë mesjetare. Ai ka qenë i ngarkuar si mbikëqyrës në punimet që janë zhvilluar në Kalanë e Novobërdës.
Instituti Arkeologjik i Kosovës ka mbikëqyrur procesin e restaurimit që është bërë. Drejtori i këtij institucioni, Enver Rexha, ka thënë se duke e shikuar përmbajtjen e artikullit del se studimi është bërë në bazë të materialit të marrë nga periudha e konservimit të Kështjellës në vitet 2015 dhe 2016. Sipas tij, nuk është korrekte të merret materiali nga punëkryesit.
“Kodi etik, profesional, nuk e ‘parasheh, lejon’ një ndërmarrje të tillë. Gjithçka ishte dashur të jetë në marrëveshje apo bashkëveprime me institucione relevante ndërkombëtare e vendore. E dini që ky projekt për realizim iu ka dhënë nga UNESCO kompanisë serbe nga Beogradi me miratimin e institucioneve vendore të MKRS-së dhe institucioneve të tjera shtetërore”, ka thënë Rexha.
Sipas tij, Instituti Arkeologjik i Kosovës nuk ka pasur dijeni për marrje të materialeve, mostrave e depozitimeve.
“E dimë se në bazë të marrëveshjes – kontratës për punë – kompania ‘KOTO’ nga Beogradi nuk ka pasur të drejtë të realizojë gërmime arkeologjike. Nuk ka realizua gërmime arkeologjike. Ka pasur për detyrë pastrimin e depozitimit të materialit të rënë shekullor brenda Kështjellës, për të realizuar konservime-restaurime në ‘Qytetin e Epërm’ të Kështjellës”, ka thënë ai. Sipas Rexhës, po ashtu, është dashur që gjithë materialin e gjetur arkeologjik kompania restauruese ta dorëzonte në institucione vendore, në këtë rast, në Institutin Arkeologjik të Kosovës
“Këtë e ka realizuar. Pra ka dorëzuar gjetjet arkeologjike edhe të konservuara në IAK (dorëzimi i gjetjeve me raport pune dhe dokumentacion). Pra ‘materialet’ e ‘mostrave’ që paraqiten në punim nuk na janë bërë të ditura dhe nuk na janë dorëzuar”, ka thënë Rexha në një përgjigje me shkrim. Sipas tij, institucionet e MKRS-së do të duhej të reagonin dhe t’i drejtohen UNESCO-s si palë vendimmarrëse dhe ndërmjetësuese për projektin e Kështjellës së Novobërdës, “që të ndërmjetësojë për kthimin e materialit – mostrave të gjetura në këtë lokalitet, ato që paraqiten në punim”, ka thënë Rexha.
Arkeologu e profesor universitar, Arben Hajdari, ka thënë se siç mund të konstatohet nga artikulli që është publikuar, duket se ato gjetje janë marrë nga arkeologu Marko Popoviq, i cili ka qenë i angazhuar nga kompania në projekt në cilësinë e arkeologut mbikëqyrës. Ka thënë se nga artikulli nuk mund të kuptohet se ku ruhen ato, gjë që përbën një shqetësim shtesë për mundësinë e tjetërsimit të tyre. “Fakti që dr. Popoviq ua ka mundësuar qasjen për t’i studiuar këto artefakte autorëve të këtij studimi, lë të kuptohet se ai ka njohuri rreth vendndodhjes së tyre”, ka thënë ai.
Sipas Hajdarit, pyetja që duhet shtruar është se a janë ndjekur procedurat ligjore me këtë rast.
“Nëse ato janë marrë ilegalisht, kjo paraqet një skandal me përmasa ndërkombëtare, që do ta përfshinte edhe UNESCO-n. Dhe kjo do të ishte një bazë e mjaftueshëm për të nisur hetimet nga institucionet përgjegjëse”, ka thënë ai. Sipas Hajdarit, nëse del të jetë e vërtet se ato janë marrë pa përfillur procedurat ligjore, atëherë IAK-u dhe MKRS-ja duhet të ndërmarrin urgjentisht veprime ligjore pranë institucioneve kompetente ndërkombëtare, qoftë për të kërkuar kthimin e tyre, por edhe për të ushtruar padi ndaj atyre që janë përgjegjës për një veprim të tillë. Ka thënë se ajo që është shqetësuese është fakti se e njëjta kompani ka realizuar një konservim-restaurim tërësisht joprofesional, ku si pasojë ka shkatërrimin dhe degradimin e Kalasë.
“Në anën tjetër, nëse këto artefakte që janë publikuar janë marrë pa dijeninë e institucioneve përgjegjëse, shtrohet pyetja, edhe sa të tjera mund të jenë marrë për të cilat nuk dihet fare, kjo është vërtet është shqetësuese”, ka thënë ai.
Në shtator të vitit të vitit 2021 janë bërë dy vjet që kur u ndërprenë punimet në Kalanë e Novobërdës e tre vjet prej se u paraqitën problemet pas restaurimit të këtij monumenti, ku u investuan një milion euro. Zvarritja ka vazhduar. Shembjet e fasadës së gurtë janë të përditshme, e nga ajo që shihet me sy muret e fryra paralajmërojnë probleme të tjera.
Maji i vitit 2021 ishte parë si kohë e mundshme që punonjësit e kompanisë beogradase “KOTO” të ngjiteshin në një prej pikave më të larta të Novobërdës për të sanuar dëmet. Por planifikimet kanë ngelur në kuadër të shkresave elektronike.
Kompania beogradase që kishte kryer restaurimin e konservimin e strukturave të qytetit të epërm e ka për obligim sanimin e dëmeve. Këtë kishte tentuar ta bënte në shtatorin e vitit 2019. Por ndërhyrja e kompanisë punëkryerëse “KOTO” me buldozer kishte alarmuar institucionet, duke ia ndërprerë punën e ishte ngritur edhe një kallëzim penal. Mjetet e investuara ishin ndarë nga Komisioni Evropian, përderisa me procedurat e prokurimit dhe me mbikëqyrjen ishte marrë Zyra Rajonale e UNESCO-s në Sarajevë.
Grupi i autorëve i përbërë nga Nemanja Markoviq, punonjës i Institutit Arkeologjik në Beograd, bashkë me kolegen Vesna Bikiq, punonjëse e Muzeut Kombëtar në Beograd, Zheljka Temerinskin, e dy ligjërueset në Universitetin e Novi-Sadit, Snezhana Vuçetiq e Jonjaua Ranogajec, kanë publikuar studimin “Mummified animal skin with tar content from the castle of the late medieval toën of Novo Brdo (Central Balkans)” (Lëkura e mumifikuar e kafshëve me përmbajtje katrani nga Kalaja e Mesjetës së vonë e Novobërdës (Ballkani Qendror)