Me shumë risi është karakterizuar e gjithë mbrëmja ku kori “Siparantum” e ka ndarë skenën në Pejë bashkë me korin nga Bazeli i Zvicrës, “Gospelchor um Münster”. Programi atraktiv ka qenë vetëm njëra pikë e fortë e koncertit, i cili ka kulmuar me këngën e vjetër “Ukuthula”, që përsërit thirrjen për paqe. Asaj i është bashkuar edhe publiku
Se nuk është një program i zakonshëm i një koncerti koral, publiku është bindur qysh në hyrje të kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Publiku pejan, që ka ndjekur më parë koncertet e korit “Siparantum”, është i mësuar me koncerte atraktive, ku skena nuk shërben veç për këndim.
Por me shumë risi është karakterizuar e gjithë mbrëmja e së hënës, ku kori “Siparantum” e ka ndarë skenën bashkë me korin nga Bazeli i Zvicrës, “Gospelchor um Münster”. Në përshkrim të programit, publiku përgatitet që nga ulëset të shohë fytyra rrezatuese, këngë ekspresive, koreografi energjike, si dhe kompozim të qetë në dritën e qiririt.
Përshkrimet e shkruara në programin që e prezanton korin kanë dalë në pah gjatë gjithë koncertit të korit zviceran. Me performancën e tyre e kanë futur publikun në një univers shumëngjyrësh, jo veç nëpërmjet muzikës, por edhe nëpërmjet skenografisë. Qielli i kaltër i projektuar në ekran e ka bërë natyrën pjesë të performancës, ku performuesit nuk e ndalin lojën e tyre interaktive, ku vetë dirigjenti Oliver Rudin ia del t’i zotërojë dy role në skenë: atë të instrumentistit dhe të dirigjentit. Dinamika me të cilën veprohet, lë pak vend për ta hetuar shkrirjen e tij në dy role. Gjatë gjithë mbrëmjes anëtarët e korit dëshmojnë se kanë lënë prapa të kufizuarit në vetëm një aspekt, siç është të kënduarit.
Loja e tyre është përtej kësaj. Dhe kjo ka qenë edhe e përbashkëta e korit pejan dhe atij zviceran, të cilët në skenë kanë nxjerrë në pah edhe më tej atë që i bashkon. Kori nga Zvicra me një program më të veçantë dhe me dinamikë në skenografi e koreografi ka dëshmuar që ato kur plotësohen me këndimin, ia shtojnë atraktivitetin muzikës korale.
Kori zviceran në Pejë ka përcjellë atë për të cilën njihet: përfshirjen e zhanreve të ndryshme muzikore – nga popi në muzikën folk. Në performancën e tyre janë përfshirë edhe këngë të njohur si “Viva la vida”, që erdhi me aranzhim të vetë dirigjentit të korit Oliver Rudin bashkë me Jens Johansen e Mark Brymer, “Ain’t no grave” e aranzhuar nga Paul Caldwell dhe Sean Ivori, “I will rise” e anaranzhuar nga Craig Courtney dhe Lynda Hassale, “You will be found” e aranzhuar nga Mac Huff, “Somebody to love” e Freddy Mercuryt erdhi nën aranzhimin e Adam Anders, Tim Davis dhe Roger Emerson. Të gjitha të shtrira në një version modern ku publiku duhet ta ndjekë lojën e gjallë teatrore të anëtareve të korit “Cospelchor am Münster”.
“Unë dhe miku im Daniel Raaflaub po mundohemi të bëjmë diçka si teatër muzikor me këngë të ndryshme, kemi këngë spirituale, kishtare, por ka më shumë këngë pop dhe jazz, që po mundohemi të vendosim ura nëpërmjet këngëve dhe koreve që t’i bëjmë ata që të këndojnë me ne”, ka treguar dirigjenti Oliver Rudin për KOHËN.
Pjesëmarrja e korit “Siparantum” në Gent dhe Antwerp të Belgjikës ishte një mundësi për t’u njoftuar me mbi 300 kore nga e gjithë bota, mes tyre edhe me korin “Gospelchor de Münster”. Atje kori nga Zvicra dhe kori nga Kosova u shpërblyen me medalje. “Siparantum” ka marrë medaljen si Kori më i mirë në kategorinë dedikuar muzikës bashkëkohore në Lojërat Botërore të Koreve, kurse kori nga Zvicra është shpërblyer me medalje të artë në kategorinë e ansambleve jazz dhe pop. Stilet në të cilat njihen më së miri i kanë gërshetuar edhe me performancën në Pejë.

“Kori u paraqit me një program të larmishëm. Ajo që e bën të veçantë këtë kor është koreografia që e kanë përbrenda veprave muzikore, stili që interpretojnë dhe përpunimi i muzikës aktuale”, ka thënë Memli Kelmendi, dirigjent dhe themelues i korit “Siparantum”. Me frymë moderne, të dy koret në skenë e kanë sjellë edhe këngën e vjetër “Ukuthula”, që është një këngë tradicionale e Afrikës së Jugut. Kënga që përsërit thirrjen për paqe e përcjellë nga koret u këndua nga Klea Dina dhe kjo performancë e ngriti në këmbë publikun.
“Audienca ishte shumë mirënjohëse, ata shprehen emocione duke duartrokitur. Ata e dëshmuan që janë të prekur dhe kjo ishte shumë e mirë për ne që ta ndiejmë nga skena”, ka thënë dirigjenti Oliver Rudin, që ka dirigjuar bashkë me Memli Kelmendin, duke e bërë performancën të rrjedhë natyrshëm dhe pa rregulla që hetohen.
Dy koret që nga takimi i tyre në nëntor të vitit të kaluar në Belgjikë vetëm i kanë thelluar raportet edhe më tej. Në mbrëmjen në kinemanë “Jusuf Gërvalla” kanë synuar ta sjellin magjinë me të cilën e kanë dëshmuar veten në Lojërat Botërore të Korit. Këtë e kanë bërë bashkë në skenë me këndimin e himnit zyrtar “Listen” të Lojërave të Korit Botëror për vitin 2021. “Siparantum” me këtë performancë të përbashkët dëshmoi vendosmërinë jo vetëm për të dërguar muzikën korale të Kosovës në botë, por edhe të sjellë kore nga vende të ndryshme në Kosovë.
“Për neve ky bashkëpunim është tepër i rëndësishëm sepse është rrjedhojë e suksesit dhe në fakt që nga themelimi i korit ‘Siparantum’, ideja ka qenë që të bashkëpunojmë me dirigjentë dhe kore të tjera që t’i lidhim kulturat tona. Besoj skena dhe programi i kësaj mbrëmjeje vetëm e ka dëshmuar këtë”, ka thënë Kelmendi për KOHËN.
Mbrëmja me një program të pasur e atraktiv e ka mbajtur publikun të vëmendshëm nga kapërcimi nëpër veprat e programit, ku ndër të tjera janë interpretuar edhe veprat “PAX” dhe “Ater Umbra” të Memli Kelmendit. Kjo mbrëmje është vlerësuar si freski për publikun pejan.
Kitaristi Luan Sapunxhiu ka thënë se “Siprantum” tashmë nuk e befason sepse është mësuar me qasjen e re që ka sjellë ky kor në Kosovë, por që me sjelljen në Kosovë të korit, si ai i Zvicrës, po e dëshmon misionin e artit për t’u integruar përtej kufijve.
“Kjo tregon se arti dhe muzika janë shumë para politikës. Kori ‘Siparantum’ ka kohë që është në Evropë. Kësaj here e solli pjesën më të zhvilluar të Evropës në Pejë. Ka sjellë shumë freski kjo mënyrë e paraqitjes së korit nga Zvicra. Ishte një mënyrë e lehtë për t’u kuptuar edhe nga publiku sepse ndonjëherë koret dinë të jenë shumë serioze”, ka thënë Sapunxhiu për KOHËN.
“Siparantum”, që debutoi në skenë në prillin e vitit 2017, është themeluar në bazë të një trashëgimie artistike të këndimit koral në Pejë. Kori, i cili përbëhet nga 45 anëtarë, u krijua nga vullneti i lirë i qytetarëve nga zona dhe kategori të ndryshme për të dhënë dashuri, besim dhe shpresë, duke u kënduar të gjithë atyre që besojnë në një të ardhme më të mirë të botës. Sipas Kelmendit, kori i cili u themelua mbi bazën e muzikës korale në Pejë tashmë nuk është vetëm i Pejës, por i gjithë Kosovës. Vizionit të tij i janë shtuar edhe vullnetarë nga qytete të ndryshme të Kosovës.