Kulturë

“Koncert i miqësisë...” shpalos në Tajlandë potencialin muzikor të Kosovës

Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut bashkë me publikun e pranishëm janë njohur me një pjesë të kulturës së interpretuesve të Kosovës. Përtej marrëdhënieve diplomatike, Kosova i ka çuar Tajlandës disa prej veprave që dëshmojnë krijimtarinë muzikore të shtetit më të ri në Evropë.

“Simfonia nr. 2” e Kreshnik Aliçkajt qe e para në program e “Baresha” ikonike e Rexho Mulliqit e ka mbyllur mbrëmjen.

Me dy vepra të kompozitorëve shqiptarë përkufizohet një pjesë e krijimtarisë së hershme dhe të mirëfilltë klasike deri në atë të sotmen. Është një gjuhë e përbashkët e muzikës klasike, e cila bëhet çelës i komunikimit nëpërmjet tingujve dhe ngjarja ka marrë emrin si “Koncerti i miqësisë midis Tajlandës dhe Kosovës”. Koncerti ishte bashkëpunim midis Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestrës Simfonike Mbretërore të Bangkokut.

Sopranoja Besa Llugiqi e violinistja Sihana Badivuku janë ngjitur në skenë bashkë me koncert-mjeshtrin e Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi. Koncerti është dirigjuar nga Toshio Tanagisawa, bashkëpunëtor i kahershëm i institucionit më të lartë të muzikës serioze në vend. Vepra e Kreshnik Aliçkajt ka promovuar paqen mes kombeve edhe në Tajlandë. Kurse ”Baresha” është luajtur si vulë e krijimtarisë së muzikës klasike të Kosovës.

Menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, ka thënë se janë të lumtur që kanë arritur të realizojnë një bashkëpunim me Orkestrën Simfonike Mbretërore të Bangkokut. Ka thënë se bëhet fjalë për një vend të largët, ku për Kosovën dihet pak. Ka treguar se e kanë nisur këtë diskutim me autoritetet e Orkestrës dhe të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Kosovës në Tajlandë, Ulpiana Lama, gati para një viti.

“Na vjen mirë që bashkërisht në finale, programi që kemi zgjedhur ka arritur të prezantojë edhe frymën e muzikës së Kosovës përmes 'Simfonisë nr. 2' të Kreshnik Aliçkajt dhe 'Bareshës' së Rexho Mulliqit, por edhe pjesën tjetër të programit me vepra të kompozitorëve botërorë ose literaturës standarde të muzikës klasike kemi arritur të prezantojmë kapacitetet e kuadrove të Kosovës”, ka thënë ai. Sipas Selimajt, përfaqësimi nga violinistja Sihana Badivuku dhe sopranoja Besa Llugiqi ka qenë dinjitoz dhe kjo përpara një publiku, i cili ka rastin të dëgjojë emra eminentë të skenës botërore, si violinisti Maxim Vengerov dhe soprano Angela Gheorghiu.

“Barra ka qenë e madhe edhe për koncert-mjeshtrin e Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçi, që ka drejtuar në gjysmën e programit Orkestrën e atjeshme dhe duhet të them që orkestra e ka mirëpritur punën e tij e po ashtu edhe të dirigjentit Toshio Yanagisawa, i cili ka drejtuar orkestrën për gati 10 vjet”, ka thënë Selimaj.

Midis veprave të tjera janë luajtur edhe “Slavonic Dances No.2 & 7” e çekut Antonin Dvořák dhe “Three-Cornered Hat Suite No.2” e spanjollit Manuel de Falla.

E ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Tajlandë, Ulpiana Lama, ka thënë se data e koncertit është caktuar para një viti, por puna për sigurimin e kësaj date është shumë më e hershme, qysh prej vjeshtës së vitit 2020. Ka treguar se Orkestra e atjeshme është nën patronazhin e familjes mbretërore tajlandeze dhe një orkestër lidere në rajonin e Azi-Paqësorit. “Zhvillimi i këtij bashkëpunimi pionier ka dhënë një dimension të ri, të përforcuar, bashkëpunimit kulturor dhe njohjes së dy kulturave. ‘Koncerti më i mirë i miqësisë ndonjëherë’ dhe ‘koncerti më i mirë i vitit’ ishin disa nga vlerësimet e dhëna nga ekspertë dhe gazetarë të kulturës”, ka thënë ajo. Sipas diplomates, dy vendet janë tetë mijë kilometra larg, mirëpo edhe më afër se kurrë.

“Ne festuam një dekadë të shkëlqyer të marrëdhënieve dypalëshe. Kultura çon te mirëkuptimi, e bashkëpunimi te besimi. Duhet besim e mirëbesim për zhvillimin e çdo raporti biznesor apo diplomatik. Artistët tanë kanë qenë të jashtëzakonshëm në çdo aspekt”, ka thënë ajo derisa ka përmendur secilin.

Interpretimin në atë që është titulluar “Koncert i miqësisë midis Tajlandës dhe Kosovës”, sopranoja Besa Llugiqi e ka përshkruar si një ndjenjë të jashtëzakonshme, kur bëhet fjalë për një skenë gjigante e një orkestër të atij niveli. Sipas saj, sigurisht që është përgjegjësi të prezantojnë kulturën e Kosovës.

“Secili në mënyrën e vet ka dhënë maksimumin dhe është prezantuar me mjaft dinjitet. Orkestra njihet tashmë si prej orkestrave të rëndësishme. Maestro Toshio bashkë me artistët tanë kanë qenë shumë në nivel. Ka qenë një kënaqësi e madhe për të gjithë ne. Eksperiencë e bukur e prezantim dinjitoz”, ka thënë Llugiqi.

Orkestra Simfonike e Bangkokut u themelua në vitin 1982, nën patronazhin mbretëror të Princit të Kurorës, Maha Vajiralongkorn. Më vonë, në vitin 1985, ishte regjistruar si Fondacioni i Orkestrës Simfonike të Bangkokut dhe në 2016 iu dha leje mbretërore për t'u riemërtuar si Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut. Që nga viti 2018, Orkestra i është besuar princeshës Sirivannavari Nariratana Rajakanya. Orkestra Simfonike Mbretërore e Bangkokut ka qenë nikoqire e shumë muzikantëve dhe dirigjentëve me nam ndër vite. Ky stacion i prezantimit të Filharmonisë së Kosovës sivjet erdhi pas Lisbonës e Bragas në Lisbonë e po ashtu pas interpretimit të Korit në Selanik.