Kulturë

Konceptimi i “Burgut të idealit” me 144 mijë euro për kompani private

Burgu i idealit

Rihapja e cilësuar si hapja zyrtare e “Burgut të idealit” nga Ministria e Kulturës, më 12 korrik të vitit 2022 (Foto: Driton Paçarada)

Ani pse në portofol nuk ka kryer deri më tash punë si konceptim ekspozitash, Ministria e Kulturës ia ka besuar një kompanie private që t’ia kryejë këtë në “Burgun e idealit” në Prishtinë. Vetëm për projektim të ekspozitës do të paguajë mbi 144 mijë euro. Implementimi është kostoja e radhës. Me të njëjtin sistem MKRS-ja po vepron edhe në disa institucione të tjera muzeore përderisa nga ekspertë të fushës një qasje si kjo cilësohet e gabuar pasi punonjësit e këtyre institucioneve i bën thjesht spektatorë

Në qershorin e vitit 2020 do të hapej përkohësisht për vizitorë. Asokohe Ministria e Kulturës udhëhiqej nga Vlora Dumoshi, tash deputete. Pas dy vjetësh, në korrikun e 2022-tës, ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, organizoi edhe një hapje tjetër, pa përmendur të parën. Me ekspozitën e përkohshme të titulluar “Burgu i idealit”. Pa ndonjë plan të qartë për ta bërë tamam muze këtë ndërtesë, MKRS-ja prej pjesës së parë të vitit 2023 tenton që të bëjë zgjidhje për konceptimin e ekspozitës e edhe funksionalizmin e institucionit. Krejt këtë synon ta bëjë duke paguar organizata e kompani. Pas një dështimi ia ka dalë që të lidhë një kontratë për konceptim të ekspozitës, përderisa për menaxhim ka dështuar deri më tash.

Ministria e Kulturës do të paguajë 144 mijë e 550 euro një kompani private për projektin e ekspozitës. Kontrata e titulluar “Shërbime për zhvillimin e proceseve dhe produkteve teknike për rivitalizimin dhe adaptimin, menaxhimin, ‘kurimin’ e ekspozitave dhe funksionalizmin e muzeve ekzistues të vendosur në asete të trashëgimisë kulturore arkitekturore të ‘Muzeut të Burgut të Prishtinës – Burgu i idealit’ në Prishtinë”, është lidhur midis MKRS-së dhe kompanisë projektuese “GM Architecture” në fund të muajit të kaluar. MKRS-ja ka përsëritur procesin e tenderimit pas një dështimi në këtë drejtim. Tash ia ka dalë që të gjejë kompani që realizojnë projekte të tilla. Për ata që merren me këtë fushë, qasja është krejtësisht e gabuar.

Kompania “GM Architecture” e regjistruar në shtator të vitit 2017 nuk ka konceptuar kurrë ndonjë ekspozitë. Është kompani projektuese që ofron shërbime arkitekturore. I është besuar konceptimi i Muzeut që synon të shpërfaqë tmerret e jetës nëpër burgjet politike e trysninë e ish-Jugosllavisë në Kosovë. Sipas kontratës në afat prej tetë muajsh, kompania do të bëjë dokumentimin e koleksioneve muzeore, konceptim ekspozitash, udhërrëfyes me audio e video, katalog ekspozite, do të përgatisë dokumentacionin teknik për rivitalizim, vlerësime për krejt anët inxhinierike të projektit, projektin ideor e atë të hollësishëm të asaj se si do të duket muzeu. Implementimi është muhabet më vete. Për të duhet tender i veçantë. E njëjta kompani ka punuar edhe projektin për ndërhyrjet në Galerinë e Ministrisë së Kulturës dhe është duke e punuar projektin për restaurimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Kompania ka për pronar arkitektin Arben Meha përderisa drejtohet nga Lulzim Gashi. Drejtori i kompanisë i ka thënë KOHËS së deri më tash nuk kanë realizuar projekte muzeore.

“Duhen shumë intervista, analiza, punë me përkushtim në mënyrë që të realizojmë projektin. Qëllimin e kemi që të jetë një muze shembull. Për këtë kemi mbledhur edhe profesionistë që do të realizojnë projektin”, ka thënë Gashi. Sipas tij, kapacitet profesionale i kanë paraqitur para MKRS-së në mënyrë që të përzgjidhen për të hartuar projektin. Sipas tij, do të jetë një koncept i gjerë dhe i thellë.

“Kemi angazhuar staf vendor profesional dhe besojmë se do të bëhet punë shumë e mirë dhe që njëkohësisht më pas implementimi i projektit të jetë i mirë nga ata që e marrin përsipër këtë”, ka thënë Gashi të mërkurën. Ka treguar se me konceptim të muzeve nuk kanë pasur të bëjnë më herët.

“Jemi studio projektuese, me projekte të tilla nuk jemi marrë, por në këtë rast kemi ekspertë të angazhuar që janë marrë me atë pjesë dhe besojmë se do të bëjmë më të mirën”, ka thënë ai.

Po nëpërmjet këtij tenderi të hapur po kësaj kompanie ia ka besuar projektimin e ekspozitës së përhershme të Kompleksit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për 47 mijë e 200 euro. Me tenderin e njëjtë e me lot të tretë me 49 mijë e 500 euro MKRS-ja është marrë vesh me grupin e operatorëve ekonomikë “ALB – Architect; ACTI” që të konceptohet ekspozita e Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Kurse për Kompleksin e Kullave të Isa Boletinit nuk është gjetur operator ekonomik që ta konceptojë ekspozitën e përhershme.

 Hapja e parë, ajo e 12 qershorit të vitit 2020, në kuadër të 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës, e cila dy vjet më vonë s’u përmend fare, duke e stimuluar idenë se ndërtesa po hapet për herë të parë (Foto: Alban Bujari)

Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, “CHwB Kosova” ka thënë se gjithmonë ka nevojë për ekspertizë të jashtme për kurimin e menaxhimin e ekspozitave dhe muzeve. Por, sipas tij, kjo ekspertizë duhej të merrej nga institucione ose operatorë profesionalë me përvojë ndërkombëtare me qëllim të rritjes së kapaciteteve në muzetë vendorë.

“E para është forcimi i kapaciteteve të brendshme humane që janë në muze. Ekspertiza e jashtme ishte dashur t’i trajnonte e t’i shtonte kapacitetet e atyre që janë brenda”, ka thënë Shoshi. Sipas tij, kjo ekspertizë do të duhej të merrej nga muzetë jashtë vendit e të angazhohej për muzetë vendorë. Këtë e kishte thënë qysh në krye të herës kur është marrë vesh se MKRS-ja do të angazhojë kompani për këto punë.

“Nuk është e shëndetshme, mendoj unë, nëse vjen një operator i jashtëm, i kryen punët dhe stafi i brendshëm ekzistues mbetet spektator. Kjo ishte dashur të jetë esenca që të mos kemi nevojë që çdo vit të angazhojmë kompani për t’i bërë ekspozitat”, ka thënë ai. Sipas Shoshit, muzetë kanë nevojë për menaxhim të mirë dhe avancim të njerëzve që punojnë aty, qoftë në hulumtim, por edhe në kurim të ekspozitave.

“Sidomos muzetë publikë punojnë në këtë mënyrë. Unë mendoj që kjo do të duhej të ishte qasja. Do të duhej të bëhej një analizë se nga çka lëngojnë muzetë tanë dhe pas diagnostikimit të ndërhyhet. Muzetë duhet të kenë departament hulumtimi që funksionon vazhdimisht”, ka thënë Shoshi.

MKRS-ja vazhdimisht në thirrje si kjo jep edhe sqarime për monumentet. Në dosjen e thirrjes qenë dhënë sqarime se ish-Burgu i Qarkut në Prishtinë është i vendosur në qendër të kryeqytetit dhe aty janë mbajtur veprimtarë politikë, aktivistë e disidentë të ndryshëm gjatë 70 vjetëve sa e ka pasur atë funksion. Tregohet se duket që daton qysh prej fillimit të viteve ‘50, ndërtimi i këtij burgu korrespondon me kohën famëkeqe të Rankoviqit, kur shqiptarët janë persekutuar politikisht. Aty jepen sqarime goxha në detaje për planimetrinë e ndërtesës.

“Të dhënat për burgosjet që kanë ndodhur në këtë burg janë ende duke u hulumtuar, por operimi i tij qysh nga koha e hershme pas Luftës së Dytë Botërore është indikacion se kemi të bëjmë me ndërtesë të rëndësishme historike. Janë disa periudha të represionit serb që reflektohen qartazi edhe te ndërtesa e Burgut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Përmendet periudha kur nacionalisti famëkeq Aleksander Rankoviq ishte numri dy i ish-Jugosllavisë dhe vitet ’70, ‘80 deri te Millosheviqi.