Historitë shqiptare e tejkalojnë konceptin urban dhe në Venecia shkojnë të veshura artistikisht me idenë e fqinjësisë. Fëmijëria gjatë viteve ’90 evokohet nga kuratorët si shembull për të njohur domethënien e të jetuarit bashkë, pa mure fqinjësh. Projekti “Apart – Në shtëpinë tonë”, që përfaqëson Shqipërinë, i mëshon një koncepti autentik shqiptar, ku nuk kishte mure mes fqinjëve. Edhe në agimin e një dekade të re, pyetjes se si do të jetohet së bashku, artistët shqiptarë i përgjigjen me “Njihni fqinjin tuaj!”
Njihe fqinjin tënd! Dekada më parë, skena të tilla ishin të kudondodhura, kurse sot ndodhin rrallë e përmall. Të qenit bashkë fillon në shtëpitë tona dhe mjediset rrotull – aty është vendlindja e sensit tonë të përkatësisë, vendit dhe komunitetit.
“Njëzet vjet më parë fqinjët ishin më afër se të afërmit”, është përshkrimi kuratorial për projektin e pavijonit, me të cilin Shqipëria paraqitet sivjet në Bienalen e Venecias.
Në zemër të konceptit shqiptar, siç përmblidhet shkurt në një video përmbledhëse në kanalin zyrtar të Bienales në “Youtube”, janë skena nga filmi “Në shtëpinë tonë” të regjisorit Dhimitër Anagonsti më 1979.
“Tri apartamente fqinje që ndajnë shumë më shumë sesa veç muret. Pavijoni shqiptar do t’ju ngashënjejë të kridheni në kuptimin e të jetuarit bashkë në shtëpitë tona, në ndërtesat e lagjet tona”, thuhet në përshkrimin kuratorial për Shqipërinë në faqen “labiennale.org”.
Me ministren e Kulturës, Elva Margariti, si komisionere, projekti “Në shtëpinë tonë” ka për kuratorë Fiona Malin, Irola Andonin, Lavina Ferran, Rudina Breçanin dhe Thomas Logorecin.
Pak para se të mësyhet drejt bienales së njohur, të mërkurën nëpërmjet një ceremonie në mjediset e “ArTurbina” është shpalosur projekti fitues për Pavijonin e Shqipërisë.
Duke shpërfaqur pjesëmarrjen e Shqipërisë në këtë ngjarje, ministrja e Kulturës ka vlerësuar se kjo është një mesazh shprese, sidomos pas pandemisë. Edhe tema “Si do të jetojmë së bashku”, sipas saj, tregon luftën për t’u gjetur përgjigje sfidave të reja.
“Kjo ishte një temë për të cilën ne nuk patëm sforco dhe bazohet në konceptin e fqinjësisë si një traditë tipike shqiptare. Ne nuk kemi pasur një shtëpi, sepse shtëpia jonë ishte bashkëjetesa dhe fqinjësia. Ky pavijon vendos në filozofinë dhe themelin e tij rikthimin e fqinjësisë sidomos gjatë pandemisë, që na bëri të rijetojmë fqinjësinë edhe një herë tjetër”, ka deklaruar Margariti.
Sipas ministres së Kulturës, teksa kjo traditë është zbehur kohëve të fundit, ajo prapëseprapë shërben për të reflektuar mbi lidhjen e fqinjësisë dhe idenë për rënien e mureve.
Materialet filmike sjellin realitetin e përjetuar në fqinjësi, “duke treguar se fqinji ynë është gjithmonë diku aty pranë dhe i pranishëm në jetën e shqiptarëve”.
“Këtë realitet ne duhet ta çojmë edhe në Venecia si traditë dhe filozofi”, ka shtuar Margariti.
Kurse nënkryetarja e Tiranës, Armela Ristani, ka deklaruar se Shqipëria gjithnjë ka bërë paraqitje dinjitoze në Venecia, e po kështu do të bëjë edhe sivjet.
“Rikthimi në traditën e bashkëjetesës në komunitet është në fokus të projekteve të ardhshme të Bashkisë. Një gjë që ne e kemi bërë dikur, sot po praktikohet në të gjithë botën, sepse për njëfarë kohe ishte anashkaluar”, ka thënë mes të tjerash Ristani.
Kurse Fiona Mali, e cila është një ndër kuratoret e pavijonit, ka falënderuar Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Tiranës, që krijuan mundësinë për pjesëmarrje në një ngjarje kaq të rëndësishme.
Ajo, me këtë rast, ka treguar se si me kolegët e saj kuratore kishin ardhur tek ideja e fqinjësisë dhe mënyrat për shpalosjen e saj.
“Sot jemi duke jetuar në formë individuale dhe njerëzit gjithmonë e më shumë jetojnë në vetmi, çka është kthyer edhe në një shqetësim global për mbarë shoqërinë. Ne jo gjithmonë jetojmë pranë të afërmve tanë dhe kjo na bën që të kthejmë vëmendjen nga fqinjët tanë, çka na ndan vetëm një mur, i cili duhet shembur. Këtë mënyrë artistike ne menduam dhe vendosëm ta çonim dhe ta ndanim edhe në Bienalen e Venecias”, ka thënë Mali.
Sipas kuratores, me 20 filma të kinemasë shqiptare në Venecia do të jetë jo vetëm fqinjësia, por edhe kinematografia shqiptare.