Kulturë

Komunës s’i miratohet sheshi “Xhorxh Bush” me ndërtesa të reja

Sheshi "Xhorxh Bush"

“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet te rekomandimet në shkresën që Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ia ka adresuar Komunës së Prishtinës në lidhje me projektin për sheshin “Xhorxh Bush” (Foto: Diton Paçarada)

Pa u bërë 24 orë prej se punimet për sheshin “Xhorxh Bush” janë ndaluar për të dytën herë, projekti i Komunës që peshon 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore. Pika kryesore e mosmiratimit janë edhe ndërtesat e reja që parashihen me projekt. Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën. Të mërkurën janë rikthyer përplasjet politike midis qeverisë lokale dhe asaj qendrore

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve nuk e ka miratuar projektin e Komunës së Prishtinës për sheshin “Xhorxh Bush”. Janë dhënë rekomandime duke kërkuar sqarime shtesë siç janë analiza e kontekstit urbanistik e historik. Shkresa e IKMM-së e konfirmon edhe një synim të projektit: ndërtesat e reja që ngrihen midis monumenteve. Kjo zbërthehet te shkresa, ku Komunës i kërkohet, që të interpretohen ndërtesat e reja të parapara me projekt. 

Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën. Krejt kjo është bërë pasi Komuna ka nënshkruar kontratë me punëkryesin në vlerë prej 18.4 milionë eurosh, i janë ndalur punimet dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore dhe çështja është dërguar nga të dyja palët te institucionet e drejtësisë. 

Punimet kanë nisur pa përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore që kërkon pëlqim nga IKMM-ja kur ndërhyhet në zonat mbrojtëse të monumenteve apo brenda perimetrit të tyre. Përplasjet politike janë episod më vete.

Cenimi i integritetit të monumenteve

Të mërkurën pas orës 14:00, Komuna e Prishtinës ka pranuar shkresën e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. IKMM-ja ia ka bërë të ditur Komunës së Prishtinës se nëpërmjet këtij projekti trajtohen shtatë sheshe si ai i Katedrales, ai i shkollës “Faik Konica”, sheshi komercial i rrugës “Garibaldi” ai “Xhorxh Bush”, sheshi i koncerteve, i rekreacionit dhe ai i studentëve. Pesë prej këtyre shesheve, sipas komisionit të IKMM-së, gjenden brenda hapësirës së kufijve të zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës si dhe brenda perimetrit të zonave mbrojtëse të monumenteve si Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Rektorati i Universitetit të Prishtinës, Radio Kosova, Hoteli “Grand” dhe Banka Qendrore e Kosovës. Projekti, sipas shkresës është kthyer në plotësim me gjashtë rekomandime. 

“Në projekt nuk ka të prezantuar analizë dhe studim të kontekstit urban dhe historik të kësaj zone. Përfundimet e analizave të tilla do të argumentonin se si dhe sa ndikon ky shfrytëzim i ri urban në nukleusin e theksuar modern të zonës në fjalë, si atribut i ruajtjes së mjedisit historik të zonës mbrojtëse”, është rekomandimi i parë. 

Në rekomandimin e dytë bëhet me dije se projekti parasheh ndërhyrje në aspekt urban dhe arkitektonik, në perimetër dhe zonë mbrojtëse të monumenteve si Rektorati i UP-së dhe Radio Kosova “duke cenuar integritetin hapësinor të këtyre monumenteve, respektivisht duke penguar kuadrin e dukshëm të përjetimit të tyre nga sheshi aktual dhe si të tilla nuk janë në pajtueshmëri me politikat për konservim dhe zhvillim të perimetrit dhe zonës mbrojtëse të monumenteve”. 

“Ndërhyrjet në aspektin arkitektonik (ndërtesat e reja) të projektuara në sheshin e Katedrales, i cili përfshin rrugën ‘Justiniani’, dhe sheshin e shkollës fillore ‘Faik Konica’ të propozohen me interpretime të dizajnit kontekstual”, shkruhet në rekomandimin e tretë.

Te i katërti nënvizohet se volumet për zgjerimin dhe zhvillimin e përdheseve në ndërtesat përgjatë rrugës “Garibaldi”, ndërtesa të identifikuara si ndërtesa kontribuuese të zonës, cenojnë tipologjinë e ndërtesave ekzistuese, peizazhin urban të zonës dhe hapësirën publike, trotuaret.

Dyshemeja pa harmoni me karakterin historik

Më pas Komisioni ka vlerësuar se sa i përket materializimit të dyshemesë urbane dhe ndriçimit publik, zgjidhjet aktuale nuk janë në harmoni me karakterin historik dhe frymën urbane të zonës. 

“Në këtë drejtim, rekomandojmë që të propozohen interpretime të reja të materializimeve, të cilat do të përfaqësojnë një qasje më adekuate dhe të natyrshme, në përputhje me identitetin historik dhe kontekstin arkitektonik të zonës”, shkruhet në rekomandimin e pestë. Kurse në rekomandimin e fundit shkruhet se gjatë procesit të plotësimit të projektit, kërkohet bashkëpunim me të gjitha institucionet e trashëgimisë kulturore dhe planifikimit hapësinor.

Përplasja midis ministrit dhe kryetarit: “Mashtrues, gënjeshtar i paskrupullt...”

Proceduralisht, pasi Komuna të përfillë rekomandimet e Komisionit, do ta dorëzojë prapë projektin në IKMM dhe më pas sërish futet në shqyrtim. 

Drejtori i Drejtorisë së transformimit në Komunë, Gëzim Kastrati, të mërkurën i ka thënë KOHËS se projekti nuk u është refuzuar. 

“Kanë kërkuar plotësim të dokumentacionit. Kjo është e tëra. Ne vazhdojmë me punime në zonat që nuk interferojnë në zonën e mbrojtur të aseteve të trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai. 

Por para se Komuna të pranojë shkresën e IKMM-së ka pasur përplasje deklarative midis ministrit në detyrë të Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama. Pas mbledhjes së Qeverisë në konferencë për media, Çeku i pyetur nga gazetarët për këtë çështje, ka thënë se Komuna e Prishtinës qëllimisht po lidh kontrata të kundërligjshme pa u pajisur me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore siç përcaktohet me ligj. Ka përmendur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, rrugën “Rexhep Luci”, projektin për “Ishullin Urban Arbëri – Pallat i Rinisë” dhe projektin në rrugën “Agim Ramadani”.

“Të gjitha këto kontrata janë të lidhura kundërligjshëm, duke mos i respektuar procedurat e nevojshme për pajisje me leje dhe pëlqime të nevojshme. Të gjitha këto investime realizohen brenda zonave të mbrojtura të trashëgimisë kulturore dhe ligji kërkon që para se të shpallen procedurat e të lidhen kontratat, duhet të pajisen me pëlqime përkatëse nga autoritetet përkatëse”, ka thënë ai në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Komuna të martën e kësaj jave, pak më shumë se një muaj pasi i ishin ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” ka provuar t’i rinisë ato. Por pasdite Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka inspektuar punimet afër katedrales “Nënë Tereza” dhe ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve

Sipas tij, shkelje më vete përbën “përsëritja e metodave të veprimeve nga Komuna”.

“Deri tash janë shkaktuar disa milionë euro dëm nga buxheti i Komunës si rezultat i këtyre kontratave të kundërligjshme dhe ne pretendojmë se komuna e bën këtë veprim qëllimshëm, me paramendim dhe për këtë arsye i jemi drejtuar prokurorisë dhe policisë”, ka thënë ai.

Komuna tashmë për këto projekte veç ka nënshkruar marrëdhënie kontraktuale në vlerë mbi 25 milionë euro. Pos këtyre, Komuna është edhe në një procedurë tenderimi për një projekt që ia kanë refuzuar institucionet e trashëgimisë kulturore, atë në rrugën “Agim Ramadani”. Vlera e parashikuar është 6 milionë euro. Krejt bashkë kanë peshë financiare mbi 30 milionë euro.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i është kundërpërgjigjur ministrit në detyrë, Hajrulla Çeku, nëpërmjet rrjeteve sociale. 

“Sot, ministri i Kulturës ka zgjedhur sërish rrugën e mashtrimit dhe propagandës, duke vazhduar me të pavërtetat e radhës për të justifikuar bllokimin e kundërligjshëm dhe sistematik të çdo projekti transformues në Kryeqytet! E ftoj publikisht ministrin e Kulturës, bashkë me ekspertët e tij, në një debat të hapur publik!”, ka shkruar ai. Në mbrëmje, po nëpërmjet rrjeteve sociale, ka marrë kundërpërgjigje nga ministri në detyrë, Hajrulla Çeku. 

“Po, do të isha shumë i vullnetshëm për debat, por në gjykatë. Çdo përballje publike tjetër me një gënjeshtar të paskrupullt është e pakuptimtë. Provat i kemi dorëzuar në Prokurori e Polici. Kemi dyshim të bazuar për keqpërdorim të buxhetit të shtetit në vlerë disa milionëshe”, ka shkruar Çeku. Ka shtuar se kanë argumentuar që këto veprime janë bërë me paramendim dhe qëllimshëm. Sipas tij, kryetari Rama sulmin publik për kinse bllokim nga qeveria e ka “kamuflim të veprimeve kriminale në prapavijë”.

“Prandaj, debat po, por në gjykatë. Aty ku flitet me fakte e prova. Shpresoj që institucionet e drejtësisë do të reagojnë shpejt. Çdo ditë që ky mashtrues e kalon në krye të Komunës është rrezik i madh për buxhetin e shtetit dhe për vetë kryeqytetin”, ka shkruar ai.

Saga që nisi me punime pa leje

Paraprakisht Komuna të martën e kësaj jave, pak më shumë se një muaj pasi i ishin ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush” ka provuar t’i rinisë ato. Por pasdite Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka inspektuar punimet afër katedrales “Nënë Tereza” dhe ka shqiptuar masën e ndalimit të punimeve. Për herë të parë punimet Komunës i janë ndalur po nga Inspektorati më 12 mars kur projekti kishte nisur duke mos përfillur Ligjin për trashëgimi kulturore i cili përcakton se projektet që zhvillohen në zona mbrojtëse ose brenda perimetrit të monumenteve duhet të pajisen me pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. 

Midis periudhës së dy ndaljeve të punimeve, Komuna ka dorëzuar kallëzim penal ndaj Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore. Në anën tjetër Ministria e Kulturës ka bërë kërkesë në Policinë e Kosovës për hetime ndaj komunës së Prishtinës. 

Në kërkesën ndaj Policisë së Kosovës për të zhvilluar hetime ndaj Komunës, Ministria e Kulturës ka përmendur të gjitha rastet. Kishte sqaruar se Ligji për trashëgimi kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim. 

“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për trashëgimi kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.

“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një lejeje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.

Në kërkesën për hetime sqarohet se, sipas Ligjit për ndërtim në zonat e mbrojtura, nuk japin leje ndërtimore komunat por Ministria e Ambientit. Sipas MKRS-së, Komuna e Prishtinës nuk ka përfillur as këtë ligj, duke bërë shkelje të njëpasnjëshme. Përfaqësuesit e MKRS-së mosndaljen e punimeve në rrugën “Rexhep Luci” e kanë arsyetuar me vendimin e Gjykatës Komerciale nëpërmjet së cilës qe shtyrë ekzekutimi i vendimit të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për mbylljen e kësaj rruge.