Kulturë

Komuna rinis punimet në "Xhorxh Bush", pavarësisht ndalimit nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore

Xhorxh Bush

Foto: Driton Paçarada

Komuna e Prishtinës të hënën ka rinisur punimet në sheshin “Xhorxh Bush”, pavarësisht ndalimit që i është bërë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore. 

Prezent në nisjen e punimeve ka qenë kryetari i Prishtinës Përparim Rama, zyrtarë të Inspektoratit Komunal, e zyrtarë të Policisë së Kosovës. 

Punimet në “Xhorxh Bush”, janë ndaluar dy herë radhazi.

Projekti i Komunës që peshon 18.4 milionë euro, nuk është miratuar nga organet e trashëgimisë kulturore. 

Punimet janë ndaluar dy herë nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore, përderisa Komunës i është kërkuar që lënda për pajisje me leje nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve (IKMM) të plotësohet. 

Pika kryesore e mosmiratimit janë edhe ndërtesat e reja që parashihen me projekt.

Konstatimi se projekti cenon integritetin e monumenteve është po ashtu brenda shkresës që IKMM-ja ia ka përcjellë Komunës së Prishtinës të mërkurën. Të mërkurën janë rikthyer përplasjet politike midis qeverisë lokale dhe asaj qendrore.


Rama: E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se punimet në sheshin “Xhorxh Bush” janë duke vazhduar pasi, sipas tij, ato janë brenda kornizave ligjore në çdo aspekt. 

Ai ka theksuar se nëse Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore tenton ndalimin e tyre, atëherë do të intervenojë Policia. 

“E kemi Policinë dhe e çon Inspektoratin te shtëpia. Ne punimet do t’i vazhdojmë”, ka thënë ai. 

VIDEO: Deklarata e Përparim Ramës:


 


 


Policia: Prezenca në sheshin “Xhorxh Bush” ishte vetëm për asistim të Inspektoratit

Policia ka njoftuar se prezenca e zyrtarëve policorë në sheshin “Xhorxh Bush” të hënën ka qenë vetëm për asistim të Inspektoratit të Komunës së Prishtinës.

Në reagimin e Policisë thuhet se ky aktivitet nuk ndërlidhet me asistimin e kryerjes së punimeve në këtë zonë. 

“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin”, thuhet në reagim.