Për Komunën e Prishtinës nisja e implementimit të projekteve që prekin asetet e trashëgimisë kulturore pa pasur pëlqim nga autoritetet përkatëse është bërë rutinë. Por është dashur t’i ndalen punimet për sheshin “Xhorxh Bush” që ta bëjnë të ndjekë hapat ligjorë. Përderisa para një jave, një gjë të tillë e shndërroi në akuzë politike, tash projektin e ka dërguar për shqyrtim. Tash është në dorë të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve
Efikase është treguar Komuna e Prishtinës sa i përket procedurave ligjore pasi Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ia ka ndaluar punimet në sheshin “Xhorxh Bush”. Punimet qenë ndaluar të mërkurën e 12 marsit pasi Komuna s’kishte leje për implementimin e projektit midis katër monumenteve. Të premten e 14 marsit institucioni lokal ka dorëzuar projektin dhe kërkesën për shqyrtim në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë. Kurse të hënën e kësaj jave projekti voluminoz ka arritur në Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.
Përplasja e Komunës së Prishtinës me institucionet e trashëgimisë kulturore javën e kaluar ishte në pikën më të lartë të mundshme. Projekti për sheshin “Xhorxh Bush” qe i treti prej intervenimeve të mëdha në kryeqytet, për të cilin s’ka pajtim midis palëve. Por në këtë rast, Komuna s’e kishte bërë ende hapin e parë që i takon me ligj: kërkesën për miratim të projektit tek Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Për pasojë i qenë ndalur punimet për projektin që peshon 18.4 milionë euro.
“Punimet kanë filluar gjatë vikendit, ku është bërë rrethimi i vendpunishtes. Në këtë hapësirë do të ndërtohet sheshi ‘Xhorxh Bush’. Hapësira ku po zhvillohen punimet gjendet brenda hapësirës së aseteve të Qendrës Historike të Prishtinës, hotelit ‘Grand’, Rektoratit dhe Radio Prishtinës. Për këto punime ende nuk është adresuar kërkesë për pajisje me leje në institucionet e trashëgimisë kulturore, ndërsa nga pala u njoftuam se janë pajisur nga Komuna e Prishtinës me pëlqim për lejimin e punimeve”, shkruhet në procesverbal sa i përket konstatimit të gjendjes faktike.
Te masa e marrë qartësohet se është bërë ndalim i punimeve.
“Ndalohen punimet. Vendosen shiritat dhe shenjat zyrtare. Obligohet pala që të pajiset me leje nga institucionet e trashëgimisë kulturore në afatin prej 30 ditësh”, shkruhet në Procesverbalin e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore.
Megjithëse zyrtarët komunalë kishin thënë se punimet do të vazhdojnë, ata kanë vepruar ndryshe. Kanë dorëzuar projektin voluminoz në institucionet e trashëgimisë kulturore.
“Të hënën pasdite kemi pranuar projektin për shtatë fazat e punimeve në sheshin ‘Xhorxh Bush’ dhe tash do të nisë shqyrtimi i tij”, ka konfirmuar Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Zyrtarët komunalë në ditën e ndaljes së punimeve kishin thënë se bëhej fjalë për qasje bllokuese politike. Por në anën tjetër kanë ndjekur procedurat ligjore.
Ligji për Trashëgimi Kulturore përcakton se në situata ku zhvillohen punime afër monumenteve duhet leje me shkrim.
“Cilado ndërhyrje qё ndikon nё tërësinë ose vlerat e trashëgimisë kulturore, kërkon leje të shkruar nga institucioni kompetent”, përcaktohet në nenin 4 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore. Aty po ashtu bëhet e ditur se institucioni kompetent urdhëron ndaljen e menjëhershme për një periudhë të pacaktuar kohore të çdo lloj pune të paautorizuar në trashëgiminë kulturore.
“Aplikimi për leje për ndërtimin e ndërtesave ose krijimtari tjetër brenda zonës së mbrojtur të një monumenti arkitektural, ose brenda një hapësire konservuese arkitekturale, ose që ndikon nё mjedisin e një asambleje, paraqitet për shqyrtim në institucionin kompetent. Institucioni kompetent ka veto mbi dhënien e një leje të tillë. Nëse institucioni kompetent nuk përgjigjet brenda 15 ditëve në lidhje me aplikimin për ndërtimin e ndërtesave ose zhvillimeve të tjera, leja mund të përcaktohet nga autoriteti relevant për planifikim dhe ndërtim”, përcaktohet në nenin 9.
Ligji specifikon edhe zonën e mbrojtur përreth monumenteve.
“Monumentet arkitekturale nën mbrojtje të përkohshme ose të përhershme kanë një zonë tё mbrojtjes, që është 50 metra nga perimetri i monumentit. Kjo zonë e mbrojtjes mund të zgjerohet ose ngushtohet dhe përcaktohet në planin e institucionit kompetent dhe në planet hapësinore relevante në pajtueshmëri me nenin 2 të Ligjit nr. 2003/14 për planifikim hapësinor”, shkruhet në nenin 6 të ligjit.
Sali Shoshi, i cili udhëheq fondacionin Trashëgimia Kulturore pa Kufij – “CHwB Kosova”, ka thënë se është krejt legjitime që Komuna ka interes për ta shtyrë përpara një projekt për të cilin ata janë të bindur se është në interes të qytetareve. Sipas tij, në anën tjetër është gjithashtu legjitime të ketë një brengë në lidhje me efektet anësore të një projekti në një kontekst ku ekzistojnë shtresa kulturore që për disa qytetarë mund të jenë të rëndësishme, aq më tepër që ato janë në listën e trashëgimisë kulturore.
“Përtej retorikes, sulmeve mediale, debateve në Facebook, kjo brengë mund edhe duhet të adresohet sipas praktikave ndërkombëtare. Organizatat si UNESCO, ICOMOS, Banka Botërore, por edhe literatura rekomandon që nëse një projekt planifikohet të zhvillohet brenda një konteksti që prek shtresa të trashëgimisë kulturore duhet paraprakisht t’i nënshtrohet vlerësimit të ndikimit mbi trashëgiminë që është një proces sistematik që përdoret për të vlerësuar ndikimet e mundshme të një projekti të propozuar në trashëgiminë kulturore të një zone të caktuar”, ka thënë Shoshi.
Sipas tij, raporti i vlerësimit të ndikimit mbi trashëgiminë duhet të dorëzohet te institucionet e trashëgimisë por edhe të bëhet publik në mënyrë që edhe publiku të jetë i njoftuar për ndikimet e mundshme dhe masat për sanimin e tyre. Kjo do të ishte praktika më e mirë. Shumë më e mirë sesa sulmet e ndërsjella pa i shoshitur argumentet”, ka thënë Shoshi.
Ka thënë se sipas literaturës disa nga komponentët e raportit për vlerësimin e ndikimit mbi trashëgiminë janë: identifikimi i aseteve të trashëgimisë; vlerësimi i rëndësisë; vlerësimi i ndikimeve potenciale; masat e mitigimit; konsultimi publik; raportimi dhe dokumentimi.
“Ky raport u paraqitet institucioneve përkatëse për shqyrtim dhe konsideratë”, ka thënë Shoshi.
Për Komunën e Prishtinës nisja e implementimit të projekteve që prekin asetet e trashëgimisë kulturore pa pasur pëlqim nga autoritet përkatëse është bërë rutinë.
Vjet Komuna kishte nisur realizimin e “Ishullit urban Arbëri - Pallati i Rinisë” duke manovruar me vendin ku planifikohej të nisnin punimet. Tabelat informuese për projektin Komuna i kishte vendosur matanë hekurudhës e rrugës automobilistike. Aty qenë pozicionuar edhe mjetet e rënda për të inauguruar punimet. Por, hekurudha është vija kufitare midis “Arbërisë” dhe zonës së mbrojtur të Qendrës Historike të Prishtinës.
Meqenëse edhe Pallati i Rinisë dhe Sportit mbrohet si monument, Inspektorati i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve i kishte ndalur punimet që me vënien e tabelave, pasi Komuna s’kishte përfillur përcaktimet ligjore për marrjen e pëlqimeve nga institucionet e trashëgimisë kulturore.
Pasi i ishin ndërprerë punimet, nëpërmjet të cilave Komuna po bëhej gati për inaugurim të fillimit të projektit, institucioni kishte gjetur një zgjidhje: kishte zhvendosur tabelat matanë rrugës e hekurudhës dhe i kishte nisur punimet në “Arbëri”. E më pas kishte aplikuar për pëlqim, por Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve ka refuzuar projektin, me arsyetimin se është duke u hartuar Plani i Konservimit të Zonës Historike të Prishtinës dhe se projekti i Komunës duhet rishikuar. Komuna është ankuar për këtë vendim. Projekti ka kosto 6.5 milionë euro dhe mbi një milion tashmë i janë paguar kontraktuesit, megjithëse puna nuk vazhdon. “Ishulli...” kalon edhe nëpër hapësirën e dedikuar për Teatër të Operës dhe Baletit.
Ministria e Kulturës ka ushtruar kallëzim penal për këtë rast ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, për “cenim të 2.5 milionë eurove”, sa kushton projekti për Teatër të Operës dhe Baletit.
Komunës, IKMM-ja nuk ia ka miratuar as projektin për nënkalim në rrugën “Agim Ramadani”. Por, pavarësisht kësaj, këtë javë ka hapur tender në vlerë të parashikuar 6 milionë euro për këtë projekt. Tentimi për të nënshkruar kontratë me punëkryes pa u pajisur me miratim, projekti nga IKMM-ja është hap në kundërshtim me Ligjin për trashëgimi kulturore. Por edhe institucionet e trashëgimisë kulturore nganjëherë i mbyllin sytë.
Përderisa sheshin “Xhorxh Bush” e shohin si zonë mbrojtëse të Qendrës Historike të Prishtinës dhe kjo ka qenë prej arsyeve të ndaljes së punimeve të Komunës për rrugën “Rexhep Luci”, ku punimet kanë nisur qysh në nëntor, institucionet e trashëgimisë kulturore nuk kanë reaguar fare. KOHA ka konfirmuar se Komuna nuk ka marrë pëlqim nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për projektin që peshon mbi 1.3 milion euro. Të paktën sipas një shkrese të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prishtinë dhe një ekstrakti të hartës së zonës mbrojtëse të Qendrës Historike të kryeqytetit, kjo rrugë hyn te hapësirat ku nuk veprohet në infrastrukturë pa pëlqim nga IKMM-ja.