Kulturë

Komuna e Prizrenit “mbron artin”, pa datë për ”Të gjashtët kundër Turqisë”

Skenë nga shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”

Skenë nga shfaqja “Të gjashtët kundër Turqisë”

Përkundër akuzave ndaj tij si adresë kryesore e anulimit të dyfishtë të shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë” në Prizren, kryetari i këtij qyteti, Shaqir Totaj, ka thyer heshtjen tremujore. Nëpërmjet një përgjigje të nënshkruar nga Komuna e Prizrenit, aty shkruhet se “Komuna nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar apo anuluar shfaqjen teatrore të përmendur” dhe se “Kryetari i Komunës së Prizrenit respekton dhe mbron lirinë artistike si një vlerë thelbësore e një shoqërie demokratike”. Dramaturgu Jeton Neziraj thotë se këto janë të pavërteta e dëshmi ka anulimin e dy shfaqjeve. “Ai po sillet si një politikan hipokrit, që nga prapaskena vepron si censurues, e në publik mban tjetër pozicion, duke u prezantuar si liberal që mbron lirinë artistike”, ka thënë ai

Megjithëse në teatrin e qytetit të Prizrenit, “Bekim Fehmiu” dy herë është pamundësuar dhënia e shfaqjes “Të gjashtët kundër Turqisë”, udhëheqësia komunale shprehet se mbështet lirinë artistike. Kryetari i Komunës, Shaqir Totaj, ka thënë se “mbron lirinë artistike”. Por kjo s’ka ngjarë me produksionin e qendrës “Multimedia”. Komuna qe akuzuar se është shkaktare që shfaqja e cila trajton tendencën e pushtetit për autoritarizëm të mos jepet në këtë qytet, për dallim nga disa qytete të tjera në vend.

Shfaqja do të jepej në Prizren në fillim të marsit. Por sipas pruduksionit ishte Komuna ajo që ka ndërhyrë që të mos jetë në repertor. E paraprakisht në dhjetor ishte anuluar për “arsye teknike”, pas reagimeve e letrave për kryetarin e Prizrenit, Shaqir Totaj, që shfaqja të anulohej.

KOHA disa herë ka provuar që për këtë çështje të marrë një përgjigje nga vetë kryetari Totaj. Të martën ai ia ka përcjellë KOHËS një përgjigje që sipas tij është e Komunës.

“Lidhur me çështjen në fjalë, dëshirojmë të theksojmë se Komuna e Prizrenit nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për të ndaluar apo anuluar shfaqjen teatrore të përmendur. Programimi i shfaqjeve dhe menaxhimi i aktiviteteve artistike është kompetencë ekskluzive e institucionit të teatrit ‘Bekim Fehmiu’, i cili operon në përputhje me autonominë e vet profesionale dhe artistike”, shkruhet në përgjigje. Në këtë deklaratë vlerësohet edhe krijimtaria artistike.

“Kryetari i Komunës së Prizrenit respekton dhe mbron lirinë artistike si një vlerë thelbësore e një shoqërie demokratike dhe beson fuqishëm në të drejtën e shprehjes dhe krijimtarisë së lirë”, shkruhet në përgjigje. Sipas kësaj përgjigjeje me shkrim, çdo interpretim që e lidh këtë çështje me ndonjë ndikim të huaj është i pabazë dhe nuk përputhet me realitetin institucional të Komunës.

“Ju falënderojmë për mirëkuptimin dhe jemi të hapur për çdo sqarim tjetër që mund të ndihmojë në informimin e drejtë të publikut”, shkruhet në përgjigje. Por KOHA ka marrë vesh se pos reagime publike, ka mësuar se vetë ambasadori i Turqisë në Kosovë, ka zhvilluar takim me kryetarin Totaj pikërisht për këtë shfaqje që “mund të rrezikojë raportet me Turqinë”.

Pos kësaj, në fillim të muajit mars Burim Mustafa, drejtor i përgjithshëm i teatrit “Bekim Fehmiu”, kishte thënë se pasi në dhjetor shfaqja nuk u dha shkaku i problemeve me ngrohje, pas diskutimeve, u vendos që shfaqja të jepej më 5 mars si datë e propozuar nga qendra “Multimedia”.

“Megjithatë, pas një takimi me drejtorin e Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Prizren, na u sugjerua ta shtyjmë sërish. Aktualisht, jemi në pritje të caktimit të një takimi trepalësh nga DKRS-ja, ku do të marrin pjesë qendra ‘Multimedia’, Teatri dhe DKRS-ja, me qëllim që të kuptohen arsyet e kësaj shtyrjeje dhe të përcaktohet një datë për reprizën e shfaqjes”, kishte thënë Mustafa.

Drejtori i DKRS-së në Prizren, Adem Morina, i kishte thënë KOHËS se s’ka dijeni për këtë rast.

Dramaturgu Jeton Neziraj, njëherësh udhëheqës i qendrës “Multimedia” ka thënë se kryetari Totaj “është duke thënë të pavërteta”.

“Ne kemi dëshmi për këto të pavërteta që i thotë ai. Dëshmi janë edhe dy shfaqjet e anuluara në Prizren. Ai po sillet si një politikan hipokrit, që nga prapaskena vepron si censurues, e në publik mban tjetër pozicion, duke u prezantuar si liberal që mbron lirinë artistike. Ne natyrisht do të provojmë të gjejmë edhe një datë tjetër për ta sjellë shfaqjen në Prizren”, ka thënë Neziraj i cili ka shkruar tekstin e dramës së realizuar nën regji të Blerta Rrustemi-Nezirajt.

Të martën shfaqja ka pasur reprizën e radhës në teatrin “Oda”. Pesha e saj po rritet edhe më në kohën kur Stambolli është nikoqir i protestave masive kundër arrestimit të kryebashkiakut Ekrem İmamoglu, i cili pritej të ishte kandidat për president. Për këtë kanë reaguar një pjesë e madhe e elitës kulturore turke, njëherësh edhe nobelisti Orhan Pamuk.

“Për dekadën e kaluar, Turqia nuk ka qenë një demokraci e vërtetë, vetëm një demokraci zgjedhore, ku mund të votosh për kandidatin tënd të preferuar, por nuk ke liri shprehjeje ose të mendimit”, shkruan Pamuk në një artikull për “The Guardian”.

“Tani, me arrestimin e politikanit më të njohur të vendit — kandidatit që do të kishte fituar shumicën e votave në raundin e ardhshëm të zgjedhjeve kombëtare — edhe kësaj forme të kufizuar të demokracisë po i vjen fundi”, vazhdon shkrimtari duke iu referuar Imamoglut. Shfaqja merret me kërcënimin e lirisë në pushtete që shkojnë nga autokracia.

Në dhjetor, sapo u publikua se kjo shfaqje do të jepet në teatrin “Bekim Fehmiu”, në rrjete sociale nisën kërcënimet e gjuha e urrejtjes në adresë të ekipit dhe shfaqja u anulua për “shkaqe teknike”.

Kërkesa për anulim i ishte adresuar zyrtarisht edhe kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, e aty i bëhej me dije se ky produksion teatror “është përgatitur kundër interesave të Turqisë, po ashtu kundër presidentit të Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyip Erdogan, i cili po ashtu është qytetar nderi i Komunës së Prizrenit”. “Kërkesa për anulimin e shfaqjes së datës 6 dhjetor 2024, pranë ‘Teatres së Qytetit Bekim Fehmiu’”, qe nënshkruar nga Ertan Simitçi, anëtar i Kuvendit të Komunës së Prizrenit, kryetar i Partisë Turke të Lëvizjes Novatore. Kryetarit i drejtohej edhe si përfaqësues i komunitetit turk. Kërkesa e tij ishte e qartë: shfaqja të anulohet. “Kjo shfaqje është kundër vlerave të komunitetit turk”, kishte gjykuar pas konstatimeve se është “kundër Turqisë e presidentit turk”. Kërkesa mbante datën dy dhjetor. Qe bërë publike nga qendra “Multimedia”.

Simitçi e luste kryetarin Totaj që të shfrytëzojë kompetencat dhe përgjegjësitë ligjore dhe të mos lejohet që të jepet shfaqja, të cilën ai, siç shkruante “Multimedia”, nuk e ka parë. Komuniteti kulturor në Prizren vazhdon të qëndrojë i heshtur në raport me këtë zhvillim në qytet.

“Të gjashtët kundër Turqisë” e ka zanafillën te mësimdhënësit turq të cilët në një mëngjes të vitit 2018 ishin kapur nga Policia e Kosovës. Atyre u ishin revokuar lejet e qëndrimit në Kosovë dhe shteti më i ri në Evropë ua kishte dorëzuar shërbimeve turke, ku nëpërmjet një avioni të veçantë ishin dërguar në Turqi, drejt e në burg. Të gjashtit, sipas shtetit turk që udhëhiqet prej vitit 2002 nga Recep Tayyip Erdogan, ishin pjesë e “krahut” të klerikut asokohe në ekzil, Fetullah Gülen. Lëvizja e Gülenit – dikur prej njerëzve më të afërt të Erdoganit – fajësohet nga shteti turk për grushtshtetin e dështuar të vitit 2016. Asokohe arrestimet në Turqi ishin në masë. E shfaqja e qendrës “Multimedia” merret me autoritarizmin. Shtron pyetje relevante në lidhje me shtrirjen e regjimeve shtypëse përtej kufijve.

Paralajmërimi për këtë premierë kishte nxitur reagime edhe në mediat turke.  Publikisht një gjë e tillë ishte bërë nëpërmjet medias “Yeniakit” që njihet si platformë mediale në përkrahje të pushtetit aktual në Turqi. Ayhan Demir, që vetidentifikohet si shkrimtar për çështje ballkanike, kishte shkruar tekstin “Propaganda e FETO-s në Kosovë”. KOHA ka raportuar se Ambasada e Turqisë kishte tentuar që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës të mos lejonte të jepej shfaqja. Vetë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, publikisht ishte solidarizuar me dramaturgun Jeton Neziraj për shkak të sfidimit për këtë çështje. Por Turqia zyrtare s’e ka për herë të parë me Nezirajn.

“Fluturim mbi teatrin e Kosovës” pati bërë goxha bujë në Stamboll më 2014. Pas kërkesës së Ministrisë turke të Kulturës për retushim të tekstit, kishte dhënë dorëheqje drejtori i Teatrit Shtetëror.

LEXO EDHE: