Kulturë

Kompania gjermane prapë fiton, Ministria gabon, Opera me projekt pezull

Imazh nga projekti ideor i “Gerber Architekten International GmbH” për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, që fitoi në konkursin e vjetëm, por i cili u anulua në fillimvit, shkaku i shkeljeve të Ministrisë së Kulturës

Imazh nga projekti ideor i “Gerber Architekten International GmbH” për objektin e Teatrit të Operës dhe Baletit, që fitoi në konkursin e vjetëm, por i cili u anulua në fillimvit, shkaku i shkeljeve të Ministrisë së Kulturës

Edhe me tentativën e dytë, kompania gjermane ka dalë e para për ta projektuar Teatrin e Operës dhe Baletit me kosto prej 50 milionë eurosh, por as kësaj radhe nuk mund të shpallet fituese, shkaku i gabimeve të Ministrisë së Kulturës. E njëjta kompani fitoi me konkursin e vjetëm, por procesi u anulua pikërisht për shkak të kësaj kompanie. Tash fituesi është pezulluar për çështje administrative. Procesi është në “rivlerësim administrativ”. Nëse merr epilog, “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” do të marrë 2.4 milionë euro për projektimin e Operës e të sigurta tashmë i ka 7.8 milionë për masterplanin për kompleksin “Adem Jashari”

Ministria e Kulturës kurrsesi nuk po mundet “t’ia lidhë kryet” procesit për përzgjedhjen e projektit ideor për Teatër të Operës dhe Baletit. Dhe, si zakonisht, për shkak të shkeljeve që vetë i bën në procedura. Përderisa në procesin e vitit të kaluar, ishte Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik që kishte konstatuar se MKRS-ja ka bërë shkelje ligjore në proces, tash vetë institucioni ka ardhur në përfundim se ia kanë huqur. Do të bëjnë rivlerësim të ofertave që kanë marrë. E kjo vjen pas një kërkese që MKRS-ja e ka pranuar për të rishqyrtuar ofertat. Kësisoj, procesi që ka nisur në shkurt të këtij viti, nuk dihet se kur do të ketë epilog. 

Në shkurt të këtij viti, MKRS-ja kishte rihapur thirrjen ndërkombëtare “Zhvillimi i projektit ideor dhe të hollësishëm, të arkitekturës dhe të inxhinierisë, për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit të Kosovës, në Prishtinë, në Republikën e Kosovës – Ritenderim”. 

Deri në shtator, ky institucion nuk ia kishte dalë që të marrë vendim për kompaninë që ka zënë vendin e parë në vlerësim. 

Tenderit ndërkombëtar ia kishin mësyrë katër kompani. Në fazën e parë, sipas dokumentacionit të lëndës, ishin kualifikuar tri kompani, kurse një nuk i kishte plotësuar kushtet për të vazhduar më tej procesin. Më pas, pos vlerësimit të projektit ideor ishte vlerësuar edhe oferta financiare. Konzorciumi “Gerber Architekten International GmbH & Hark Architect” është vlerësuar me më së shumti pikë, 83.11 gjithsej duke zënë vendin e parë. MKRS-ja kishte vendosur që për 2 milionë e 480 mijë euro t’ia jepte këtij konzorciumi tenderin për të vazhduar më tej me projektimin e ndërtesës. Kompania gjermane që e udhëheq këtë konzorcium ka fituar edhe tenderin për masterplanin për kompleksin “Adem Jashari”. Do të paguhen me 7 milionë e 890 mijë euro veç për projektim. E njëjta kompani ishte bërë shkaktare që MKRS-ja të bëjë shkelje ligjore dhe të tentojë t’ia japë edhe projektin për Teatër të Operës, gjë që e ndaloi Organi Shqyrtues i Prokurimit Publik. 

Sipas vlerësimit, “Big Partners Ltd & ALB Architect” kanë marrë 66.87 pikë dhe kanë zënë vendin e dytë. Kurse “MVRD & OUD ARCHITECT” është eliminuar. Në dokumentacion figuron se nuk e kanë kaluar vlerësimin e ofertës financiare. 

Por “Big Partners Ltd & ALB Architect” ka bërë kërkesë për rishqyrtim të lëndës. Dhe vetë MKRS-ja i ka dhënë të drejtë. Ky institucion ka anuluar vendimin e shpalljes së rezultateve të thirrjes. 

“Mbështetur në dokumentacionin e paraqitur nga kompania ankuese, Autoriteti Kontraktues ka vendosur t’i trajtojë edhe njëherë lëndën (vlerësimin administrativ) dhe në këtë formë e kthen lëndën në rivlerësim”, shkruhet në vendimin e MKRS-së.

MKRS-ja kësaj radhe kishte qartësuar se i duhet projekt për teatër që do të kushtojë 50 milionë euro. Për projekt qenë paraparë 2.5 milionë euro.  

Paraprakisht në janar të këtij viti pas më shumë se një viti procedurë, shkaku i shkeljeve ligjore të Ministrisë së Kulturës, ky institucion nuk ia kishte dalë që ta bënte hapin e parë për këtë projekt të cilin shteti synon tash e dy dekada. Nëpërmjet vendimit, paneli i Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik kishte anuluar procesin e nisur në tetor të vitit 2022. Shpejt, në shkurt kishte pasuar ritenderimi. 

MKRS-në po e përcjellin telashe në procese prokurimi. Zbulimi i identitetit të një prej kompanive pjesëmarrëse gjatë procesit të vlerësimit në konkursin e kaluar, në fillimvit ka bërë që krejt lënda të bjerë poshtë.

“Paneli shqyrtues pas diskutimeve të palëve në këtë seancë dëgjimore dhe pas shtjellimit të provave dhe argumenteve të paraqitura ka ardhur te konstatimi se në këtë aktivitet të prokurimit, me rastin e hapjes dhe vlerësimit të ofertave tenderuese të operatorëve ekonomikë, ka pasur elemente identifikuese që kanë zbuluar identitetin e ofertuesve dhe ky fakt është në kundërshtim me kërkesat e dosjes së tenderit dhe Ligjit për Prokurim Publik”, shkruhet në arsyetim të vendimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit nëpërmjet të cilit u anulua krejt procesi. Sipas vendimit, është gjetur se pretendimet e operatorit ekonomik ankues janë pjesërisht të bazuara dhe “aktiviteti i tërësishëm i aktivitetit të prokurimit u përcoll me shkelje ligjore”. “Paneli shqyrtues konstaton se në këtë aktivitet prokurimi/konkurs projektimi ka pasur disa shkelje ligjore. Operatori Ekonomik i shpërblyer me çmimin e parë, me kodin 6842, ka shkelur nenin 80 të Ligjit për Prokurimin Publik, duke e zbuluar identitetin e tij në secilën faqe të pikës 1.5 Exhibition materials të ofertës...”, shkruhej në vendim. Kishte qenë pikërisht kompania që edhe tash ka dalë në vend të parë. 

Kanë qenë tri kompani në garë për projekt ideor: “Gerber Architektekten International GmbH” nga Dortmundi, “Consortium MVRDV” & ‘O.U.D.-ARCHITECTS’ SH.P.K”, kompani holandeze me arkitektin nga Kosova, Bekim Ramku, dhe “Big Partners LTd” me seli në Londër. Kompania gjermane mori më së shumti pikë në vlerësim e në rivlerësim. Pasoi ankesa. Qe kompania londineze që e bëri këtë për ta përfshirë më pas OSHP-në. Para komisionit vlerësues – që po ashtu proceduralisht nuk bëhet publik – do të duhej të hapeshin zarfet pa u ditur emrat e kompanive, por vetëm nëpërmjet kodeve. Kështu edhe kishte ndodhur. Komisioni në përbërje të anëtarëve vendorë dhe një ndërkombëtar kishte bërë vlerësimin e vet. Me 71 pikë kishte vlerësuar kompaninë gjermane, kurse me 54.2 dhe 51.4 pikë dy të tjerat.

Por dy kompanitë me më pak pikë kanë kërkuar qasje në dokumentacion, kanë gjetur një vjegëz ligjore për të bërë ankesa. Në versionin online të kompanisë “Gerber Architekten International GmbH”, projekti i së cilës është vlerësuar si më i miri, qëndronte edhe logoja e saj. 

Tentativa për të pasur një projekt për këtë ndërtesë është e katërta me radhë pas luftës. Ky tentim vjen pas konkursit të 17 vjetëve më parë, gurit themeltar të vitit 2009, dhe dy konkurseve të vitit 2019.

Ministria e Kulturës ka planifikuar që ky konkurs të rrumbullakohet me kosto prej 2.5 milionë eurosh dhe kaq qenë paraparë në Ligjin e Buxhetit të vitit 2023. Sivjet janë paraparë 2.7 milionë. Por sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore, për tre vjetët e ardhshëm nuk është paraparë asnjë cent për këtë projekt. 

Më 2019, Ministria e Kulturës kishte zhvilluar një proces të ngjashëm, po me konkurs ndërkombëtar, por procesi nuk pati epilog. Paraprakisht më 2 dhjetor të 2009-s qe vënë guri themeltar për këtë ndërtesë afër Fakultetit Teknik. Asokohe planifikohej që ndërtesa të mbante edhe emër: teatri i operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”.

Kuvendi i Kosovës në gushtin e vitit 2021 themeloi institucionin e Operës, i cili ende mbetet në konsolidim.
Në prill të vitit 2022 shumica e këshilltarëve të Kuvendit të Komunës së Prishtinës kanë votuar pro ndarjes së një pjese të hapësirës prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve si lokacion për Teatrin e Operës dhe të Baletit. Në lokacionin paraprak – te Fakulteti Teknik në “Kodrën e Diellit” – është afër konkretizimit ndërtimi i vrazhdë i një kampusi të ri universitar për Universitetin e Prishtinës.

I pari projekt i hartuar afro 16 vjet më parë ishte nënshkruar nga arkitekti gjerman, Kai Auffermann. Në dhjetor të vitit 2009 aty do të mblidhej krejt paria e shtetit. Mes të tjerash, edhe me një program artistik ishte vënë guri themeltar i teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”. Pas krejt punimeve, puna ishte ndërprerë për të mos filluar kurrë më.

Prej asaj kohe deri më sot, nuk është bërë kurrfarë shpjegimi se si kanë shkuar 1 milion e 12 mijë euro, kosto që përfshinte hartimin e projektit dhe nisjen e fazës së parë të punimeve.