Kulturë

KOHA në tri dekada me artefaktet e minimuzeut

Rrugëtimi i KOHËS, që nisi para 30 vjetësh, ka një vend të veçantë në minimuze. Puna filloi me tre laptopë, në selinë në “Kodër të Diellit”.  “ALT 386 SX LAPTOP AMSTRAD 1988”, është diçitura për pajisjen në qoshen e poshtme majtas, të vitrinës.

Janë pak metra katrorë që mbajnë më vete copëza të 30 vjetëve historie të shtëpisë mediatike. Një dekadë i takon kohës kur vendi ishte nën okupim. E dy të tjera, të periudhës së pasluftës së fundit. Në vitin 2020, dëshmitë 30-vjeçare të KOHËS – ballinat e para të së cilës janë shtypur në pëlhurë njashtu sikurse edhe ato të “Kohës Ditore” – e pajisjet që dokumentojnë fillet e Kohavisionit, kanë marrë vlerë eksponatesh dhe janë pjesë e minimuzeut të KOHËS.

Pas luftës kanali i ri, që po i shtohej skenës mediatike të vendit, nisi punën me hov. Stafi bëri kontaktin e parë me audiencën nëpërmjet teknologjisë më të përsosur të asaj kohe.

Ata që kanë rrugëtuar me KOHËN në 30 vjet i kanë ende të freskëta kujtimet e fillimit. Askush s’e kishte menduar se një ditë ajo dozë entuziazmi do të përkthehej në histori. Punuan pa e menduar që gjurmët e tyre një ditë do të merrnin formë tjetër.

Të martën e kësaj jave Kohavisioni shënoi 20-vjetorin. Të shtunën, një tjetër jubile: tri dekadat prej themelimit të KOHËS. Dhjetë vjetët e parë, një kapitull më vete. Më pas edhe një tjetër – ai i Kohavisionit.

Gjurmët e ecjes së KOHËS

Kur kalon pranë murit të veçantë të KOHËS – ku është vendosur xhami i shndërruar në hapësirë ekspozuese të objektit – Visar Nitaj përjeton ndjenja të përziera: nostalgji dhe krenari. Shefi i kameramanëve në Kohavision ishte pjesë e ekipit që më 22 shtator të vitit 2000 dha sinjalin e parë të kanalit televiziv, që lindi si nevojë e informimit të publikut në kapitullin e ri, atë të pasluftës.

Kësisoj ndihen edhe ata që i vunë themelet e KOHËS para tri dekadash. Fillimisht me revistën KOHA, numri i parë i së cilës doli më 26 shtator të vitit 1990, e më pas me të përditshmen “Koha Ditore”, prej 31 marsit të vitit 1997, kur doli numri 0.

Kamerat e para të KTV-së ishin analoge e peshonin rreth 17 e 18 kilogramë. E para që dha sinjalin, një “DVC Pro” e markës “Panasonic”, u ka rezistuar dy dekadave... (Më gjerësisht lexoni në KOHA Ditore)