Kulturë

Kjo ngrohtësi, këto ngjyra, ky fllad: Lisbona, qyteti i dritës

Ditari portugez (3): E bukura e Tezhos. Një ecje nëpër kryeqytetin e Portugalisë. Dhe një shpjegim për origjinën e sekretit më të ëmbël të Lisbonës. Plus një fusnotë për Porton, qytetin tjetër të bukur portugez dhe një shqiptar nga Peja që është më shumë se ciceron.

Më 1865 në Lisbonë u hap stacioni i trenit Santa Apolónia. Ai gjendet në bregun e lumit Tejo (lexo: Tezho). Alfa Pendular, treni i shpejtë i hekurudhave portugeze, arrin me kohë nga Porto në kryeqytetin e Portugalisë, në Lisbonë. Santa Apolónia ende hedh hije nga historia. Duhet ecur nja 15 minuta në këmbë për të arritur te Praça do Comércio, që në shqip i bie: sheshi i pazarit, ndër sheshet më të njohura të qytetit.

Lisbona i ka rreth 550 mijë banorë. Çfarë bie në sy menjëherë? Tramvajet kryesisht të verdhë, të quajtur Eléctrico. Lisbona i ka shtatë kodra. Në pjesën më të madhe të tyre enden poshtë e lartë Eléctricot, tramvajet e famshëm. Çfarë bie në sy pastaj? Për shembull: Elevador de Santa Justa, një ashensor në lagjen Baixa. Rendi i turistëve që presin të hipin në ashensor është i gjatë. Nga platforma e ashensorit mund të shijohet një pamje e bukur e qytetit. Ashensori punon nga viti 1902. Së pari me një makinë me avull, mandej (nga vitit 1907) me motorë elektrikë. Ashensori lidh Baixan me Chiadon (Shiado), pjesën pak më të epërme të qytetit.

Image

Viti i ka 365 ditë. Lisbona i ka 290 ditë me diell. Nuk është vetëm kryeqytet i Portugalisë, por edhe kryeqytet i Streetart-it, i artistëve që pushtojnë muret me talentin e tyre. Çka do ishte Lisbona pa futbollin? Benfica Lissabon është klubi i dytë më i madh i futbollit në botë.

Përballë Praça do Comércio qëndron Arco da Rua Augusta, Harku i Triumfit i Lisbonës, një ndërtesë në kujtim të katastrofës më të madhe të këtij qyteti portugez: më 1755 Lisbona u godit nga një tërmet, i cili bëri jehonë në mbarë Europën. Dridhja e tokës shkaktoi zjarre të shumta. Nga katastrofa humbën jetën mijëra njerëz, supozohet rreth 60 mijë. Nën drejtimin e kryeministrit Marquês de Pombal qyteti u rindërtua pas investimeve të mëdha. Tërmeti ndikoi jo vetëm në ndërtimin e qytetit, por edhe në funksionalizimin, reformimin dhe modernizimin e shtetit. Duket se brenda bukurisë së Lisbonës gjendet edhe një mallkim. Më 1988 në lagjen Chiado shpërtheu një zjarr që shkaktoi dëme të mëdha. Mbi 2000 veta humbën vendet e punës.

Mundësia më e mirë për të parë qytetin është, natyrisht, në këmbë. Por ka edhe një mundësi tjetër: me tramvajin numër 28, i cili kalon nëpër vendet më të bukura të qytetit. Metropoli portugez pëlcet nga historia po aq sa edhe nga modernizmi dhe kreativiteti. Përveç pikturave një art tjetër nga shekulli i 14-të dominon fasadat e qytetit: Azulejos (azulezhos) janë pllaka kryesisht me ngjyrë të kaltër. Fjala Azulejos rrjedh nga arabishtja dhe domethënë gur i lëmuar.

Rreth 10 kilometra larg qendrës së Lisbonës gjendet lagjja Belém, me Torre de Belém, kullën e famshme, e cila i shpëtoi tërmetit të vitit 1755. Sekreti i ëmbël i Belémit quhet Pastel de Belém ose Pastel de Nata, një tortë prej pudingu. Thuhet se në Belém prodhohen Pastel de Natat më të shijshme në Portugali. Historia e kësaj ëmbëlsire filloi para 200 vitesh: murgeshat nga Mosteiro dos Jerónimos (Manastiri i Belémit) përdornin sasi të mëdha të të bardhës së vezës për t’i forcuar vellot e tyre. E verdha e vezës pastaj përdorej për ta hedhur në petat me krem. Në lokalin më të njohur të Belémit çdo ditë prodhohen 22 mijë Pastel de Nata. Për këtë desert duhet miell, sheqer, kanellë, limon, vezë – dhe pak magji, siç thonë mjeshtrit e gatimit në Lisbonë.

Image

Në përgjithësi Lisabona është një kryeqytet kampion i kulinarisë, një arkë me margaritarë me të gjitha të mirat e kuzhinës. Detarët portugezë duke shtegtuar nëpër botë kanë sjellë shumë specialitete në qytetin e tyre. Disa portugezë (dhe shumë turistë) e festojnë ditën me një Ginja (gjinja), një liker prej vishnje. Pastaj mund të shijohen konservat me sardele ose peshk ton. Lisbona është qytet i muzikës fado, një miks mes melankolisë shpirt-drithëruese dhe mallit të pashuar, ëndrrave dhe shqetësimeve, dhimbjeve dhe lumturisë. Fado domethënë fat (nafakë).

Çka do të ishte qyteti pa lumë? Lisbona e ka lumin Tejo (Tezho). Përmes tij portugezët u nisën të pushtojnë botën. Në qytet ka edhe disa platforma prej nga mund të kundrohet qyteti, quhen Miraduro, më të njohurat janë: Miradouro da Graça (me pamje nga ura e famshme e 25 prillit), pastaj Miradouro Sao Pedro Alcantara, Elevator de Santa Justa, Igreja e Mosteiro Sao Vicente de Fora, Miradouro de Santa Catarina, Castelo de São Jorge, Calcada do Duque, Miradouro Nossa Senhora do Monte. Nga këto platforma më së miri mund të soditet Lisbona, qyteti i dritës. Ose vizitori mund të kridhet në tollovinë dhe labirintin e rrugicave të lagjes Alfama, me restorante, bare e lokale të fados. Edhe fjala Alfama rrjedh nga arabishtja, nga Al-hamma, që domethënë burim ose ilixhe.

Image

Një intermexo: bukuria e Portugalisë as nuk niset, as nuk bitiset me Lisbonën. Pejani Fatmir Alijaj jeton në Porto prej vitesh. Përveç pejan është edhe matematikan me shije të stërholluar për historinë, letërsinë dhe kulturën, veçanërisht atë portugeze. Një kohë ka punuar edhe si ciceron në qytetin e Portos, tani është i angazhuar në një firmë të njohur të prodhimeve sportive. Të zbulosh bukuritë e këtij qyteti nën drejtimin e Fatmir Alijajt është një ëndërr për çdo turist. Fillojmë. Porto është një qytet me lumë. Dhe çfarë lumi. Douro. Buron në Spanjë dhe kalon nëpër Portugalinë veriore. I gjatë: 920 kilometra. Te Barca d’Alva fillon pjesa portugeze. Lumi derdhet në Atlantik. Lugina e Douros është dyfish në listën e Unescos: vreshtat pranë lumit dhe parku nacional Côa janë trashëgimi botërore. Uji i Douros: herë ngjyrë gurkali, herë i errët në të kaltër, herë i zi katran në vendet më të thella. Këtu prodhohet e famshmja Verë e Portos (Port wine).

Porto ka një skenë kulturore të gjallë. Një pjesë historike të qytetit. Të ruajtur mirë. Mbi lumë përkunden barkat e vjetra (Barcos Rabelos), me të cilat dikur barteshin fuçitë me verë të Portos. Qyteti ka 250 mijë banorë. Më 2001 ishte kryeqytet kulturor i Europës. Më 2004 këtu u luajt ndeshja e parë e Kampionatit Europian të Futbollit. Që nga atëherë numri i turistëve është në rritje. Më 2019 në Porto erdhën 3 milionë turistë. Turizmi është tani dega më e rëndësishme e ekonomisë së qytetit.

Porto ka disa ura, por më e famshmja është Ponte Luis I., e cila lidh Porton me Vila Nova de Gaia, qytetin përballë. Për turistët të dy qytetet duken si tërësi. Vila Nova de Gaia ka disa restorante shumë të mira dhe një teleferik (të panevojshëm). Kuzhina në Porto është e gjithanshme dhe nga mbarë bota. Edhe ushqimet tradicionale janë të shijshme (ndonjë mund të rezultojë si bombë me kalori). Në Porto prodhohet ende sapuni më i famshëm i Portugalisë. Fabrika u themelua nga dy gjermanë më 1887.

Autorja e romaneve me Harry Potterin, J.K. Rowling, është inspiruar në së paku 7 vende në Porto. Ato janë: Livraria Lello (librari e famshme), Café Majestic, Escovaria de Belomonte, pelerinat e studentëve të quajtura Capes (Harry Potter e bart një të tillë), çezma Fonte dos Leões, Jardins do Palácio de Cristal (Mali i Ndaluar), shtëpia e hollë në Igreja do Carmo. Porto është e njohur për punimet prej qeramike (Azulejos), Vinho Verde, verë portugeze me rrush të ri, jo aq e ëmbël dhe me ujë mineral natyral.

Image